Më 25 tetor 2013, ora 10 e darkës, katër shqiptarë po udhëtonin me dy makina në Itali shumë të mërzitur. Ata e konsideronin veten financiarisht të rrënuar pasi policia u kishte kapur një ngarkesë të stërmadhe droge në Augusta, në bregun jug-perëndimor të Sicilisë, rreth 50 kilometra lag Katanias. Ata nuk e dinin se bisedat e zemëruara në brendësi të dy makinave ishin duke u përgjuar nga policia italiane dhe se pikërisht këto biseda bëjnë provat për lidhjen e tyre me ngarkesën e Augustës.
Sipas transkriptimit të bisedave të tyre të përfshira në dosjen e policisë italiane, ata ishin pjesërisht të lumtur që i patën shpëtuar arrestimit dhe pjesërisht të mërzitur se kishin humbur sasi të mëdha malli dhe gjendeshin efektivisht “në krizë financiare”, se nuk kishin para as për t’u kthyer në Shqipëri dhe se tani i nevojitej “të merrnin borxh për të organizuar një rrugë tjetër”.
Një natë më parë, një tentativë e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj nga Babica e Vlorës për të dërguar një sasi të stërmadhe kanabisi me një gomone nga Shqipëria për në bregdetin e Sicilisë pati dështuar. Policia italiane thotë se ngarkesa u kap rastësisht, pas një njoftimi në numrin 112 për praninë e një gomoneje të dyshimtë në breg. Karabinierët ndërhynë dhe kapën 65 thasë me një peshë të përgjithshme prej 1,650 kg.
Policia italiane po i përgjonte makinat e tyre për të vërtetuar praninë e tyre në pikën e zbarkimit si dhe lidhjen e tyre me ngarkesën e sekuestruar të drogës.
“Bisedat e përgjuara vërtetojnë praninë e Moisi Habilajt, Sabaudin Çelajt dhe Maridian Sulajt në vendin e zbarkimit, arratisjen e tyre të vështirë nga vendngjarja si dhe lëndimin në këmbë të Sulajt gjatë arratisjes”, shkruhet në dosjen e policisë italiane, dosje e cila u publikua fillimisht në Shqipëri nga kreu i opozitës Lulzim Basha.
“Nuk kemi para as për t’u kthyer [në Shqipëri]” dëgjohet t’i thotë Sabaudin Çelaj Maridian Sulajt, ndërsa të dy falënderojnë Zotin që kanë shpëtuar si dhe diskutojnë dëmet që kanë pësuar. “Kam vetëm 100 euro ndërsa Moisiu ka 200”, vijon Sulaj.
“Mos u bëj merak, do të bëjmë rrugë tjetër, do të marrim para borxh,” thotë Çelaj.
Në makinën tjetër, një anëtar tjetër i organizatës, Mariglen Alimuçaj, i cili më 25 tetor gjendej në një makinë Fiat Brava me Moisi Habilajn, thotë se ka marrë para borxh sepse kishte mbetur edhe pa cigare. Më 26 tetor 2013, me një makinë Mercedes E Class Moisi Habilaj, Mariglen Alimuçaj dhe Sabaudin Çelaj u nisën me traget nga Brindizi për në Vlorë. Sipas policisë italiane, sipas gjasave, ata po ktheheshin në Shqipëri për t’i raportuar një personi të cilit i referohen si “shefi i madh” për humbjen e ngarkesës së drogës.
Edhe disa muaj më vonë, Moisi Habilaj shprehej i mërzitur nga humbja. Duke folur me një të dyshuar tjetër me emrin Eneo Sulaj më 9 janar 2014, ai thotë: “Atë natë mbetëm keq, çfarë kam hequr do t’ia tregoj varrit”.
Trafiku i marijuanës
Trafiku i marijuanës është një aktivitet fitimprurës dhe me rrezik të lartë. Organizimi i transportit të një sasie të madhe prej mbi 1 mijë kilogramë mund të kërkojë gjysmë milioni euro investim ndërsa nëse del me sukses, droga mund të shitet në Itali për 1500-1600 euro për kilogram. Një ngarkesë tipike prej 1 mijë apo 1,500 kg nëse mbërrin në Itali me sukses siguron 1.5 deri në 2 milionë euro të ardhura bruto dhe fitime neto që mund të arrijnë në 1 milionë euro. Megjithatë, çdo kilogram duhet të paguhet së paku 200-300 euro nga prodhuesit në Shqipëri ndërsa skafi, korruptimi i policisë, makinat dhe jeta luksoze e trafikantëve hanë një pjesë të konsiderueshme të fitimeve.
Moisi Habilaj ia shpjegoi pak a shumë gjendjen Sebastiano Greco-s në një bisedë që policia italiane e përgjoi më 20 nëntor 2013. Sipas tij, nëse bën një ‘punë’ me 1 mijë kilogramë, 600 janë të tijat ndërsa 400 janë miqtë dhe nderet.
Ngarkesa të tilla të stërmëdha droge përfshijnë një numër të madh njerëzish. Fillimisht janë kultivuesit, të cilët kanë nevojë për shumë tokë, (për të prodhuar së gjysmë kile kanabis nevojitet së paku 2-4 metra katrorë tokë ndërsa për të prodhuar një ton nevojiten 2-4 dynym). Pastaj nevojiten një ushtri me njerëz që duhet të kujdesen për krasitjen e bimës për ta mbajtur atë të shëndetshme dhe cilësore. Nëse nuk kujdesesh për bimën, marijuana mund të dalë me cilësi të keqe dhe çmimi i saj në treg të ulet në mënyrë dramatike.
Kërkohen minimalisht tre muaj që bima të bëhet gati për t’u vjelë dhe puna nuk mjafton këtu, pasi ajo do të duhet të thahet në hije para se të presohet dhe të bëhet gati për rrugë.
Sipërfaqja e konsiderueshme e tokës, bashkë me infrastrukturën vaditëse dhe imputet bujqësore si dhe numri i lartë i punëtorëve që duhen për krasitje e punime të tjera, e bën kultivimin e drogës një punë që vështirë se mund të mbahet e fshehtë nga sytë e fshatarëve, zyrtarëve vendorë apo policisë. Për këtë arsye, si kultivimi ashtu edhe trafikimi kërkojnë bashkëpunimin apo heshtjen e një numri të madh zyrtarësh.
Viti 2013 besohet se ka qenë një vit veçanërisht ‘i mirë’ për lulëzimin e marijuanës në Shqipëri. Fushata elektorale e tensionuar e atij viti si dhe muajt e ndërmjetëm që kalojnë nga humbja e zgjedhjeve nga një qeveri te krijimi i qeverisë së re, i mundësojnë kultivuesve dhe trafikantëve liri veprimi më të madhe se sa zakonisht. Në muajt e fundit të vitit 2013 dhe në fillim të 2014, sipas përgjimeve, banda e vëllezërve Habilaj qe në gjendje që të organizonte trafikimin e disa ngarkesave me sasi të konsiderueshme.
Përgjimet e policisë italiane sugjerojnë se organizimi i një trafiku në përmasa të tilla kërkon burime financiare që nuk disponohen as edhe nga një organizatë e vjetër trafikimi si ajo e Habilajve. Në një bisedë të përgjuar në shkurt 2014, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj diskutojnë se atyre u kanë mbi 1.7 milionë euro borxhe dhe kanë nga ana e tyre mbi 600 mijë euro borxhe te një numër i madh shqiptarësh, të cilët supozohet se janë furnizues ose financues të operacioneve të tilla të mëdha të qindra kilogramëve marijuanë njëherësh.
Lulzimi i biznesit të Habilajve
Vetëm pak muaj pasi humbën mallin në Augusta, fati i organizatës kriminale duket se u përmbys, nga financiarisht të falimentuar në njerëz që nuk dinin çfarë t’i bënin paratë. Përgjimet tregojnë se Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorë të tij qenë përgjegjës për shpërndarjen e drogës në Itali dhe rekuperimin e të ardhurave nga shitja e saj ndërsa vëllezërit e tij rezultojnë të angazhuar nga Shqipëria.
Trafikantët përdornin disa makina me të cilat udhëtonin nëpër Itali, më së shumti në segmentet nga Brindizi ose Bari për në ishullin e Siçilisë, në Katania. Policia Italiane duket se arriti të vendosë çimka përgjimi në secilën prej këtyre makinave, gjë që i mundësoi nga njëra anë të dëgjonin të gjitha bisedat e të dyshuarve dhe nga ana tjetër, të ndiqnin përmes sistemit të pozicionimit global lëvizjet e tyre hap pas hapi, përfshirë banesat ku qëndronin dhe mjediset ku shisnin mallin. Përgjatë përgjimeve bëhet e qartë se Moisi Habilaj dhe drejtuesit e tjerë të bandës, ndonëse prisnin shkarkimin e mallit nga gomonet në Itali, nuk merreshin vetë me transportin detar nga Shqipëria në Itali.
Kjo nuk do të thotë se policia italiane kishte nën kontroll të përhershëm dhe tërësor aktivitetin e bandës. Shumica dërrmuese e përgjimeve janë kryer në territorin italian dhe janë përgjime ambientale të realizuara nga çimkat e vendosura në makinat e grupit. Anëtarët e organizatës duken të vetëdijshëm për rrezikun e përgjimit të telefonave dhe vazhdimisht shmangin diskutimet në telefon, përdorin nofka të pakuptueshme për njëri-tjetrin, përdorin numra telefoni të blerë nën emrat e personave të tjerë. Vetëm përgjimet mjedisore, të cilat vijuan përgjatë tre viteve, i mundësuan policisë italiane faktimin e përzjerjes së Moisi Habilajt dhe të të tjerëve në trafikimin e këtyre sasive të drogës si dhe faktimin e funksionimit të këtij grupi si një organizatë kriminale, me një bazë të sigurt në Shqipëri ku gjendej droga dhe financimet e nevojshme për operacione të tilla të kushtueshme dhe rrjeti i blerësve me shumicë në përgjithësi në zonën e Katanias në Siçili.
Në dhjetor 2013, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj përgjohen në Katania duke u shprehur të lumtur se një rrugë që kishin bërë kishte dalë me sukses dhe se ata tashmë mund t’i lejonin vetes të shpenzonin. Më 16 dhjetor, të dy pasi morën një pagesë 20 mijë euroshe nga shitja e drogës, filluan t’i shpenzonin menjëherë për të blerë rroba të shtrenjta. Moisiu thotë se ka blerë dy byzylykë, një për gruan e Saimirit dhe një për nënën. Sabi pyet se sa kanë kushtuar. Moisiu thotë: 2 mijë euro. Moisiu thotë se kishte parë një rolex të bukur 6 mijë euro. Në këtë pikë ai del në konkluzionin e trishtueshëm se pavarësisht se sa para shpenzojnë, problemet e tyre nuk përfundojnë kurrë.
Moisi Habilaj i thotë Eneas më 11 janar 2014 se një rrugë në Itali i kushton 7 mijë apo 8 mijë euro sepse pesë mijë i harxhon për të blerë rroba. “Po mos bli rroba çdo herë se nuk është se je pa rroba”, i thotë Enea Moisiut. “Jo, po thjeshtë për fiksim”.
Gjatë dhjetorit dhe janarit 2014, paratë e drogës fillojnë të rrjedhin lum. Habilaj dhe Çelaj kur flasin me njëri-tjetrin shpesh ngatërrojnë lekët me eurot. Flitet për porosi 100 deri në 500 kilogramëshe nga shpërndarës të fuqishëm në Katania.
Më 10 janar, Moisi Habilaj dhe Eneo Sulaj komentojnë për veshjet që kanë blerë te Hugo Boss. Moisiu ankohet se një palë çorape i kanë kushtuar 320 euro. Ata flasin për pagesa prej 100 mijë apo 200 mijë euro si dhe komentojnë me njëri-tjetrin për shlyerjen e borxheve që organizata ka marrë në persona të ndryshëm në Shqipëri në rendin e qindramijëra eurove.
Në shtator 2014, banda shqiptare dhe bashkëpunëtorët e blerësit e tyre italianë vendosin të përdorin një peshkarexhë me emrin Fatima për të transportuar një sasi të panjohur droge nga Shqipëria. Gjithsesi, përdorimi i peshkarexhës, e cila duhej të bënte një udhëtim konsiderueshëm të gjatë nga brigjet e Sicilisë deri në brigjet e Shqipërisë, nuk eci mirë. Për shumë muaj me rradhë, nga shtatori 2014 deri në verën e vitit 2015, peshkarexha u nis disa herë dhe e la udhëtimin përgjysmë për shkak të kohës së keqe apo defekteve. Vetëm më 6 maj 2015, peshkarexha arriti të kryejë udhëtimin deri në brigjet shqiptare, ku pasi hyri në ujërat territoriale të Shqipërisë, u prit nga një mjet lundrues i Habilajve për t’i treguar rrugën deri në vendin e takimit.
Koha e gjatë e kalimit nga vendimi për të përdorur pershkarexhën Fatima deri te udhëtimi i saj për në Shqipëri duket se i mundësoi policisë italiane ta vinte këtë mjet lundrues nën përgjim. Kur Fatima mbërriti në Shqipëri, Moisi Habilaj i priti italianët Giuliano dhe Greco në Porto Palermo. Italianët zbulojnë se Habilajt kishin kontroll pothuajse të plotë të territorit dhe të forcave të rendit në Shqipëri. Sipas bisedave të përgjuara, Moisi Habilaj nuk kishte frikë policinë në tërësi, por vetëm ndonjë element policor i cili mund të gjendej i transferuar rishtazh në Vlorë. Për më tepër, Habilaj duket se ka nën kontroll jo vetëm policinë, por ka njerëz të infiltruar në sistemin e monitorimit të detit me radar. Ai dëgjohet duke i dhënë instruksione italianëve që të dalin nga ngushtica e Korfuzit duke përdorur ujërat territoriale shqiptare para se të kalojnë në det të hapur me qëllimin që të shmangin me çdo kusht qëndrimin në ujërat territoriale greke. Sipas informatorit që Moisi Habilaj thotë se kishte te sistemi i radarëve, peshkarexha kishte gabuar gjatë mbërritjes duke qëndruar në ujërat territoriale greke, aludohet duke rrezikuar në këtë mënyrë që autoritetet greke të vepronin. Ata duhej të largoheshin jo më shumë se sa 2 milje nga bregu dhe të vijonin përgjatë bregdetit shqiptar drejt veriut deri sa të dilnin në Karaburun para se të merrnin kthesën drejt perëndimit për në brigjet italiane. Sa për autoritetet shqiptare, ato nuk gjendeshin asgjëkundi atë ditë të majit 2015.
Peshkarexha në fjalë rezulton të jetë ankoruar në brigjet shqiptare në Porto Palermo, policia italiane identifikon koordinatat 40.063083, 19.7926733. Këtu është ekzaktësisht moloja ushtarake në Porto Palermo.
Pershkarexha kur mbërriti në brigjet e Italisë, pritej nga dy varka më të vogla të cilat do të duhej të transportonin drogën nga deti në tokë para se Fatima të hynte normalisht në port e shtirur sikur po kthehej nga një udhëtim i zakonshëm peshkimi. Problemi qe që rrugës së kthimit moti u përkeqësua ndjeshëm dhe peshkarexha nuk arriti të kontaktojë varkat e vogla pritëse. Në pamundësi për të zbarkuar mallin në det, ata u futën në port bashkë me ngarkesën. Policia, e cila priste në port ndërkohë që kishte nën monitorim edhe plazhin e përcaktuar për zbarkim dhe makinat pritëse, konfiskoi 880 kilogramë marijuanë natën e 8 majit 2015. Policia dyshon se një pjesë e drogës qe hedhur sakaq në det.
Në janar 2017, policia italiane nisi një seri të re përgjimesh pasi u vu re se Moisiu dhe të tjerët po punonin për ngarkesë të re nga Shqipëria. Policia dallon kësaj here se Habilajt ia kishin dalë të transferonin drejtpërsëdrejti në Sicili me skafe shqiptare sasi të panjohura marijuane, një operacion i vështirë ky nëse marrim parasysh autonominë e kufizuar në karburant të një skafi tipik. Përgjimet tregojnë se skafet e përdorura në trafik harxhojnë rreth 60 litra karburant oër orë udhëtim dhe se për të vajtur deri në Sicili mund të nevojiten deri në 600 litra.
Arrestimet e shumta të korrierëve dhe kapjet e përsëritura të drogës kanë bindur bandën ndërkohë se përgjimet, veçanërisht ato të telefonit, janë një rrezik i përhershëm. Ata zgjedhin të mbajnë telefonin fikur me bateri të hequr gjatë udhëtimeve, si dhe ndërrojnë numrat e telefonat vazhdimisht. Ata vendosin të përdorin celularë të caktuar vetëm për komunikim me njëri-tjetrin dhe një grua me emrin Brunilda Alikaj rezulton se i ka dhënë këshilla se si të shmangin përgjimet telefonike. Trafikantët fillojnë të mbështeten gjithnjë e më shumë te makinat e marra me qira por policia arrin me lehtësi të vendosë së paku sinjalizues GPS për të pasur mundësi ndjekjen e vendndodhjes së tyre.
Laku për këtë organizatë kriminale u mbyll më 12 tetor 2017. Hetuesit italianë iu drejtuan gjykatës së Katanias për të kërkuar masat e arrestit për 11 të dyshuar, shtatë shqiptarë dhe katër italianë. Mes të akuzuarve janë dy vëllezërit Habilaj, Moisi dhe Florian, 39 dhe 37 vjeç, dy vëllezërit Sulaj, Maridian dhe Armando, 29 dhe 33 vjeç si dhe Sabaudin Çelaj, 49 vjeç e Fatmir Minaj, 55 vjeç.
Roli i Tahirit
Dokumenti i policisë italiane e përmend ish-ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri si gjatë përgjimeve, ashtu edhe gjatë komenteve në tre raste. Në njërin rast, (faqja 100), dy të dyshuarit, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj diskutojnë me njëri-tjetrin se çfarë ka më shumë se sa ata Saimir Tahiri. Moisiu beson se Saimiri ka bërë 5 milionë euro brenda një muaji ndërsa Çelaj thotë se këto janë para të parëndësishme për të pasi atij 20 milionë nuk i mjaftojnë në një fushatë elektorale. Në kohën e zhvillimit të kësaj bisede, 16 dhjetor 2013, Tahiri kishte vetëm tre muaj në postin e Ministrit të Brendshëm, por ai pati qenë deputet që nga viti 2009.
Në rastin tjetër, (f 93) Moisiu thotë se ka blerë dy byzylykë, një për gruan e Saimirit dhe një për nënën. Sabi pyet se sa kanë kushtuar. Moisiu thotë: 2 mijë euro.
Në rastin e tretë, (f. 193-194) policia italiane shënon se më 3 mars 2014, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj patën mbërritur në Sicili me makinën A8, nën pronësinë e Saimir Tahirit. Ata u kthyen në Shqipëri më datë 24 mars po me makinën e Tahirit.
Në rastin më problematik për Tahirin, ai përmendet si përfitues i mundshëm i një shume parash nga trafiku i drogës./ Burimi: reporter.al