Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për marrëveshjen e bashkëqeverisjes që u nënshkrua ditën e sotme.
“Urime udhëheqësve të VV dhe LDK që bënë të mundur që 2 Shkurti 2020 ta gjejë Kosovën me një marrëveshje kuptimplotë për Qeverinë e Re dhe vijimin e menjëhershëm të punës në rrugën e integrimeve europian”, ka shkruar Balla në Facebook.
Këtë urim ai e ka bashkuar në një përkujtim të 2 shkurtit 1990, kur në Kosovë nisi aksioni më i madh i pajtimit të gjaqeve.
“Sot 30 vite më parë, më 2 shkurt 1990, me nismën e profesorit Anton Çeta dhe të studentëve të Universitetit të Prishtinës, nisi në Kosovë aksioni i madh i pajtimit të gjaqeve. Me në krye Anton Çetën, qindra profesorë, studentë, aktivistë, njerëz të artit e kulturës mblidhnin në fusha e sheshe të mëdha popullin në çdo cep të Kosovës për të pajtuar ata që deri dje ishin në gjak mes tyre, për tu bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin. Ndiqni në këtë video fjalët e mençura të Anton Çetës që 30 vite më parë fliste për integrimin e Kosovës në familjen europiane, ku mes burrave në shesh spikat heroi kombëtar Adem Jashari”. /Opinion.al