Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, u zhvendos në Kanada për turneun e tij informues në Amerikën e Veriut. Në Toronto u takua me dhjetëra shqiptarë që i falënderoi për imazhin e mirë që i kanë dhënë Shqipërisë.
“Secili prej jush me punën që bën, me biznesin që ka, profesionin që ka, i ka bërë nder Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe shqiptarët këtu në Kanada vlerësohen si komuniteti i integruar plotësisht. Ju falënderoj me gjithë zemër. Largimi juaj ka lënë një boshllëk në Shqipëri, sepse në Kanada kanë ardhur kryesisht profesionistë të fushave të ndryshme. Kanadaja ka qenë pak përzgjedhëse dhe, ua themi, na ka marrë më të mirët.”
Balla tha se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të jetë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.
“Tani shumë vite kanë kaluar. Mund të themi se Shqipëria është vonuar. Nuk po hyj në diskutim pse jemi vonuar. Po jua them me plot siguri, ky mandat i ri është ai ku do ta shohim Shqipërinë pjesë e BE. Po jua them si politikan i vjetër, 20 vjet tashmë, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, se dhjetë vitet e fundit kanë qenë 10 vite të rëndësishme transformimi të vërtetë dhe përmbushjes së këtyre kushteve. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të jetë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, ndaj kam ardhur këtu t’ju kërkoj të regjistroheni.”
Balla bëri një përmbledhje të mënyrës se si mund të regjistrohen shqiptarët e Kanadasë në Kqz.gov.al dhe kërkoi votën për Partinë Socialiste.
“Unë ju them me plot bindje se ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka, për momentin të paktën. Ka dhe një arsye tjetër. Të tjerët, ata që janë konkurrentët tanë të drejtpërdrejtë, nuk përmbushin asnjë prej kushteve që duhet të plotësojë një ofertë politike: një ekip, një udhëheqës, një program. Ne i kemi të tre. Ata përballë nesh, udhëheqës jo e jo, biem të gjithë dakord unanimisht. Ekip, o zot na ruaj. Program, të marrtë të keqen Sudja, Vehbiu, Vefa etj. Sepse një parti që në këto 30 vite ka qenë 13 vjet në pushtet, nuk mund të premtojë unë do t’i bëj pensionet kaq. Nuk bëhen se do të kishim dashur dhe ne.”