Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka zbardhur detaje nga mbledhja e sotme e grupit parlamentar, duke theksuar se në rendin e ditës kanë qenë disa çështje me rëndësi, mes të cilave prezantimi i një projekti për ngritjen dhe funksionimin e një Komisioni Etike brenda Partisë Socialiste.
Sipas Ballës, prezantimi është bërë nga ministrja Pirdeni dhe vjen në vijim të komunikimit publik të kryetarit të PS-së, Edi Rama, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të 11 shtatorit. Komisioni i Etikës do të jetë një strukturë partiake dhe jo pjesë e grupit parlamentar.
“Është prezantuar një draft i parë që përcakton qëllimet, funksionet dhe mënyrën e funksionimit të këtij komisioni, i cili lidhet drejtpërdrejt me një nga hapat më të rëndësishëm të mandatit të katërt”, u shpreh Balla, duke theksuar se synimi kryesor është goditja e çdo forme nepotizmi dhe emërimesh klienteliste, edhe kur ato maskohen me mbulesë partiake.
Balla e cilësoi mandatin e katërt të PS-së si historik, duke nënvizuar se besimi i fortë i dhënë nga qytetarët më 11 maj shoqërohet me një përgjegjësi të shtuar për standarde të reja etike dhe politike. Sipas tij, krijimi i një “vije etike” të qartë është i domosdoshëm për të ndarë përfundimisht përfaqësimin politik nga përfitimet personale apo familjare.
Duke marrë shembullin e një deputeti të zgjedhur, Balla theksoi se duhet të jetë absolutisht e qartë për çdo anëtar të rrethit familjar se nuk mund të ketë lidhje apo përfitime nga administrata publike. “Unë nuk e kam këtë hall, por kushdo që e ka këtë hall, duhet të shkëputet prej tij”, deklaroi ai.
Sipas Ballës, Komisioni i Etikës pritet të shërbejë si një instrument i rëndësishëm vetëkontrolli brenda PS-së, në funksion të transparencës, përgjegjshmërisë dhe standardeve europiane të qeverisjes.














