Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla iu përgjigj deklaratës së sotme të Presidentit Meta nga Manastiri i “Shën Joan Vladimirit” në Shijon të Elbasanit. Balla tha se Zoti fal vetëm mëkate shpirtërore dhe jo penale.
“Në hyrje të kësaj kishe që për mua është një objekt shumë i dashur, mund të them se kisha dhe zoti fal vetëm mëkat shpirtërore dhe jo ato penale. Kaq mund të them”, tha Balla.
Më tej gjatë fjalës së tij Balla tha se fton edhe kolegët e PD-së për të vizituar Maanastirin e Shën Joan Vladimirit teksa theksoi se duhet të bashkohemi brenda politikës shqiptare dhe mbi të gjitha brenda këtij rajoni.
“Apeli im është se do të doja që këtu me mua të ishin edhe kolegët e PD-së, ftesa ime të vijnë ta vizitojnë Manastirin e Shën Joan Vladimirit. Këtu sot bashkë me ne janë besimtarë nga Mali i Zi dhe Serbia. Siç na bashkon ky shenjt, duhet të bashkohemi brenda politikës shqiptare dhe mbi të gjitha brenda këtij rajoni”, tha ai.
Më herët po nga Manastiri i “Shën Joan Vladimirit”, në një prononcim të shkurtër për mediat, Presidenti, Ilir Meta u pyet nga gazetarët nëse u lut që të mos shkarkohet nga Komisioni Hetimor.
Ndërkohë që përgjigja e tij ishte “ lutja është që Zoti të falë ata që nuk dinë se çfarë bëjnë”./Opinion.al