Te Fundit

Avokatja e Shtetit/Raporti i plotë/ Ja se si CEZ grabiste shqiptarët


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 13:03 - 02/11/15 |
b.f

Materiali i mëposhtëm i punuar nga Avokatura e Shtetit në vitin 2013 dhe që mban firmën e vetë kryeavokates Ledina Mandria, është një tjetër dëshmi e shkeljeve që kompania CEZ sh.a kreu në Shqipëri gjatë aktivitetit 4 vjeçar. Shkelje të cilat kishin për qëllim grabitjen më vetëdije të konsumatorëve dhe transferimin e shumave të mëdha të parave jashtë vendit. Por çfarë thotë raporti 12 faqësh i Avokates së Shtetit, i cili nëse do të merrej në konsideratë nga organi i akuzës, do të duhej të kishte edhe persona të ndaluar?

Ja çfarë thotë raporti: “Avokatura e Shtetit, mbështetur në nenin 5, gërma “e”, të ligjit nr. 10018, datë 13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit” është organi i caktuar me ligj për të mbrojtur interesat e shtetit. Pikërisht gjatë ushtrimit të këtyre funksioneve tona ligjore, në mbrojtje të interesave pasurore të Shtetit, kemi ardhur në dijeni të një sërë veprimesh të kundraligjshme të kryera nga persona në nivele drejtuese të shoqërisë “ÇEZ Shpërndarje” sh.a., në dobi të interesave pasurore të shoqërisë çeke ÇEZ a.s. Këto veprime të kundraligjshme konsistojnë në keqmenaxhim të shoqërisë duke e çuar atë në prag të gjendjes së falimentit; në veprime abuzuese që kanë pasur si objekt uljen e nivelit maksimal të mbrojtjes në fidera të ndryshëm dike shkaktuar ndërprerje kolektive të energjisë elektrike. Një shkelje tjetër e realizuar nga ÇEZ, me qëllim përfitim të paligjshëm të shoqërisë dhe dëmtim të interesave pasurore të subjekteve vendas, është edhe ajo lidhur me mbifaturimin e vazhdueshëm që i është bërë kompanisë Albpetrol sh.a. dhe Ujësjellës-Kanalizime. Po ashtu në punën e saj ERE ka konstatuar transferim të shumave të konsiderueshme të parave nga shoqëria “ÇEZ Shpërndarje” sh.a., jashtë territorit të vendit tonë. Ky transferim bëhej me ndihmën e të paktën një shoqërie të tretë, e quajtur MERCL Consulting, e cila ka si objekt të veprimtarisë së saj mbledhjen e detyrimeve të papaguara nga konsumatorët tariforë dhe jotariforë, sipas rastit, për furnizimin me energji elektrike. Pikërisht në masën e shpërblimit që shoqëria ka përcaktuar për shërbimin e kryer nga MERCL, mënyrën e llogaritjes së të ardhurave të vjelura, si dhe në fakte që lidhen me organizimin, numrin e punonjësve, të dhëna këto që kanë ndikim direkt mbi aftësinë e shoqërisë MERCL për të mbledhur efektivisht këto të ardhura, mendojmë se qëndron edhe thelbi i skemës mashtruese që është përdorur nga ortaku çek, me qëllim vjedhjen e shumave të konsiderueshme të parave nga të ardhurat e realizuara, duke mos i shpërndarë këto edhe për ortakun shqiptar dhe në investime të domosdoshme për kryerjen e shërbimit objekt i liçencës së ÇEZ, por duke i transferuar ato në llogari bankare të shoqërisë çeke. Konkretisht, me Ligjin nr.10116, datë 23.04.2009 “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të OSSH sh.a., ndërmjet METE dhe ÇEZ a.s.” kjo shoqëri ka blerë 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) duke u bërë kështu operatori më i rëndësishëm i shpërndarjes dhe furnizimit publik, me pakicë të energjisë elektrike. Në bazë të Ligjit Nr.9072, datë 22.05.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike” (i ndryshuar) (neni 45), ÇEZ Shpërndarje si shoqëri e liçensuar për furnizimin e përdoruesve me energji elektrike, është e detyruar të sigurojë furnizimin me energji elektrike te konsumatoreve të energjisë elektrike. Për këtë shërbim aplikohen tarifat përkatëse që në bazë të nenit 28 të ligjit të sipërcituar shqyrtohen dhe miratohen nga ERE. Duke pasur parasysh problematikat që ekzistonin në lidhje me vjeljen e detyrimeve të konsumatorëve për furnizimin me energji elektrike, për ÇEZ Shpërndarje sh.a. u krijuan shumë mundësi ligjore për të arkëtuar në kohë dhe në masë të plotë detyrimet e konsumatorëve për faturat e energjisë elektrike. Duke qenë se “ÇEZ Shpërndarje” sh.a. është furnizuesi më i rëndësishëm i energjisë elektrike, edhe në ligj (neni 25 i Ligjit Nr.9072, datë 22.05.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike” (i ndryshuar) u parashikua se “Veprimtaritë e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes, furnizimit me energji elektrike të klientëve … dhe funksionimi i sistemit elektro-energjitik realizohen si shërbime publike”. Në funksion të realizimit sa më efektiv të këtij shërbimi u aprovuan edhe ligje që lehtësonin procedurën e “ÇEZ Shpërndarje” sh.a. për vjelien e detyrimeve të konsumatorëve për faturat e energjisë elektrike, siç është edhe ligji “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”. Duke pasur parasysh këtë pozitë të veçantë të “ÇEZ Shpërndarje” sh.a., në ligjin e sipërcituar (neni 8) percaktohen një sërë të drejtash që ka Enti Rregullator i Energjisë, në trajtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet të licensuarve dhe konsumatorëve, ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet interesave të konsumatorëve, shtetit, investitorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në sektorin e energjisë elektrike, monitorimin e respektimit të kushteve të kontratës nga të licencuarit si dhe çmimet e furnizimit e të shpërndarjes së energjisë elektrike që kontrollohen nga ERE.

  • Lidhur me shkeljet e kryera nga ÇEZ:
  • Gjatë afatit të liçensës, i Liçensuari (“ÇEZ Shpërndarje” sh.a.) ka pasur të drejtë dhe detyrim të kryejë të gjitha veprimtaritë që kërkohen për përmbushjen e veprimtarisë për të cilën është liçensuar, përfshirë këtu edhe instalimin e matësave dhe sigurimin e shërbimit të tyre. Nga monitorimi periodik ushtruar në “ÇEZ Shpërndarje” sh.a., ERE ka konstatuar shkelje të këtij detyrimi në disa zona. Konkretisht ka rezultuar se kishte 178.765 raste anomalish në matje, të cilat ÇEZ i faturonte me tarifën fikse të shërbimit për leximin zero, prej 200lek/muaj. Prej këtyre abonentëve rezulton se 27,849 abonentë nuk ishin të pajisur me matësa. Kjo situatë e lejuar nga ÇEZ ka shkaktuar humbje shumë të mëdha, pasi përveç detyrimeve të të papaguara tashmë shtohej edhe konsumi i energjisë elektrike i këtyre abonentëve, por që nuk paguanin për konsumin real të saj.
  • Për të fshehur këtë situatë, ÇEZ ka bërë deklarime të rreme në ERE duke pretenduar se 100% e klientëve të saj kishin të instaluar matës në banesat apo mjediset e tyre. Për të fshehur këtë situatë ÇEZ ngrinte pretendimin se nuk ka pajisur me matës vetëm klientët që janë lidhur me rrjetin e shpërndarjes në mënyrë të paligjshme dhe me të cilët nuk ka nënshkruar një kontratë të rregullt, apo ata të cilët pavarësisht se kanë pasur kontratë, kanë bërë rilidhje të paligjshme të energjisë elektrike, pasi ajo u është ndërprerë nga ÇEZ. Në fakt një pretendim i tillë është thjesht tentativë për të fshehur mosveprimin e ÇEZ ndaj kësaj situate, pasi numri 178,765 abonentë pa matës, nuk i referohet subjekteve të tilla (sipas intepretimit të ÇEZ), por konsumtatorëve me kontratë të rregullt, kuptimi i të cilëve është përcaktuar në kontratën e furnizimit me energji elektrike, e miratuar me vendimet nr.108 dhe 109, datë 21.10.2011 nga Bordi i Komisionerëve të ERE. Në bazë të kontratës si dhe të legjislacionit në fuqi, subjektet që nuk kanë marrëveshje me furnizuesin publik me pakicë nuk konsiderohen “konsumatorë të energjisë elektrike”. Prandaj kur në të dhënat e ERE-s flitet për shifra të konsumatorëve të energjisë elektrike pa matës, këtu nuk përfshihen ato subjekte që nuk kanë pasur kontratë për furnizim me energji elektrike.
  • Për këto konsumatorë jo të rregullt në shlyerjen e detyrimeve, në kontratën e furnizimit me energji elektrike është e përcaktuar qartë e drejta e furnizuesit që, krahas veprimeve për vjelien e detyrimeve të papaguara, të aplikohet edhe kamatvonesa, të bëhet ndërprerja e furnizimit me energji elektrike, madje edhe të bëhet ekzekutim i detyrueshëm i faturave të cilat, sipas ligjit, përbëjnë titull ekzekutiv. Në asnjë rast nuk parashikohet që ÇEZ të mos pajisë me matës konsumatorët, ose të lejojë faturim aforfe, duke e kthyer këtë në rregull. Në bazë të ligjit nr.9072, datë 22.05.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike” përcaktohet se Operatori i Sistemit të Shpërndarjes është i detyruar të pajisë me sistem matjeje çdo klient të lidhur në sistemin e shpërndarjes. Ky detyrim i furnizuesit parashikohet edhe në nenin 13.1 të kontratës së Furnizimit me energji elektrike. Po ashtu, në vendimin 104, datë 22.12.2009 Bordi i Komisionerëve të ERE kishte përcaktuar se afati i aplikimit të faturave aforfe, për klientët familjarë të energjisë elektrike që nuk janë pajisur me matës, do të ishte deri me 30.04.2010. kjo do të thotë që nga 1 Maj 2010, “ÇEZ Shpërndarje” sh.a. duhej të kishte bërë pajisjen me matës të energjisë për të gjithë klientët tariforë. Rregjistrimi në sistemin billing i këtyre konsumatorëve ka rënduar pozitën financiare të shoqërisë, pasi ajo furnizonte këto konsumatorë kundrejt faturimit 0.
  • Me mosveprimin e tij ÇEZ jo vetëm ka lejuar humbjen e shumave të konsiderueshme, duke “lejuar me dashje” një përfitim të këtyre konsumatorëve dhe humbje të të ardhurave për shoqërinë, por njëkohësisht e ka agravuar këtë situatë humbjesh duke mos realizuar veprimet për vjelien e tyre.
  • Pavarësisht gjithë këtij kuadri ligjor, ÇEZ nuk ka kryer detyrimet që kishte për të realizuar vjelien në kohë të detyrimeve të konsumatorëve për konsumin e energjisë elektrike. Në këtë mënyrë, shoqëria ka lejuar humbje të mëdha në realizimin e të ardhurave, humbje që më pas vetë ajo i përdor si argument për mosrealizimin e importit të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve, sipas nivelit të njohur nga ERE, për shkak të nivelit të situatës së vështirë financiare.
  • Për të mbuluar këto humbje, nga ana tjetër ÇEZ bënte mbifaturim të abonentëve të tjerë. Disa herë nga Albpetrol sh.a. dhe Ujësjellës-Kanalizime janë paraqitur ankesa lidhur me mbifaturime që i bëheshin në faturat e konsumit të energjisë elektrike duke i kontestuar ato si jo reale.
  • Këto mosveprime të ÇEZ jo vetëm bien ndesh me detyrimet ligjore që ajo kishte, por edhe me qëllimin e Shtetit për privatizimin e OSSH-së që kishte të bënte me uljen e humbjeve në shpërndarje dhe të krijonte një shoqëri furnizuese të energjisë elektrike të qëndrueshme dhe të besueshme.
  • Në bazë të Dokumentit të vitit 2008, të Ofertës së ÇEZ Shpërndarje, qëllimi i ÇEZ a.s., si investues strategjik, ishte ulja e humbjeve dhe reduktimi i humbeve teknike dhe joteknike, duke përfshire investime në pajisje të shpërndarjes, infrastrukturë monitoruese dhe parandaluese.ky qëllim ishte i përcaktuar edhe në bazë të Deklaratës Rregullatore nga ana e ERE.
  • Në bazë të Liçencës së Shpërndarjes (pika 4.7) dhe Liçencës së Furnizimit Publik me Pakicë (pika 4.7), ÇEZ kishte detyrimin për zbulimin dhe parandalimin e vjedhjeve të energjisë elektrike. Në bazë të nenit 51, të ligjit nr.9072, datë 22.05.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike” (i ndryshuar), parashikohet se energjia elektrike e përdorur nga konsumatorët, është energjia elektrike e lexuar dhe faturuar sipas matësave të energjisë. Mosllogaritja, mosfaturimi i energjisë së konsumuar ka shkaktuar dëm ekonomik që ka rritur nivelin e humbjeve. Ky qëndrim është i pajustifikuar, pasi ÇEZ gëzonte në përputhje me legjislacionin në fuqi, të gjitha mjetet dhe mekanizmat ligjorë për vjelien e këtyre detyrimeve.
  • Nga raportimet periodike që ÇEZ ka bërë tek ERE dhe monitorimi i vetë kësaj të fundit, ka rezultuar se kompania ka pasur një mosarkëtim total prej rreth 35,5miliadë lekë, për periudhën 2010-2012. I gjithë ky është dëm ekonomik që I është shkaktuar edhe shtetit tonë, si aksioner në shoqërinë “ÇEZ Shpërndarje” sh.a., por ka dëmtuar edhe mënyrën e funskionimit, cilësinë e shërbimit që siç thamë më lart realizohet si shërbim publik dhe ka ndikuar edhe në investimet që ÇEZ ka bërë për mirëmbajtjen e rrjetit elektrik.
  • Në bazë të Dokumentit të vitit 2008, të Ofertës së ÇEZ Shpërndarje, qëllimi i ÇEZ a.s., si investues strategjik, ishte ulja e humbjeve dhe reduktimi i humbeve teknike dhe joteknike, duke përfshire investime në pajisje të shpërndarjes, infrastrukturë monitoruese dhe parandaluese.ky qëllim ishte i përcaktuar edhe në bazë të Deklaratës Rregullatore nga ana e ERE.
  • Kështu duke analizuar ecurinë e investimeve nga ÇEZ Shpërndarje, për periudhën 2010-2012, vërehet ulje drastike e investimeve të realizuara. Me Vendimin nr.143, datë 07.12.2011 (i ndryshuar), “Për miratimin e planit të investimeve”, ERE ka miratuar planin e investimeve për vitin 2012, por nga të dhënat e marra nga monitorimi i kryer, ka rezultuar se për vitin 2012 “ÇEZ Shpërndarje” sh.a. ka realizuar më pak se 7% të planit të miratuar të investimeve. Kështu rezulton se gjatë vitit 2010, nga 4.338.598.498leke (investime të miratuara), ÇEZ ka realizuar 4.702.815.306lekë; për vitin 2011 nga 4.896.000.000lekë (investime të miratuara), ÇEZ ka realizuar 1.946.563.308 lekë dhe në vitin 2012 nga 6.500.473.000lekë (investime të miratuara nga ERE), ÇEZ ka realizuar vetëm 934.064.632lekë.
  • Dhe në fakt, gjatë monitorimeve të realizuara nga ERE, gjatë muajve Nëntor-Dhjetor 2012, po edhe siç jemi vënë në dijeni shpesh’herë nëpërmjet medias, gjatë kësaj kohe është vërejtuar përkeqësim i situatës së furnizimit me energji elektrike, duke sjellë ndërprejre në masë dhe duke lënë pa energji elektrike me mijëra konsumatorë të cilët nuk kishin asnjë përgjegjësi dhe që paguanin rregullisht fatura e konsumit të energjisë. Nga monitorimi është konstatuar se (A) në Tiranë, në Nënstacionin Uzina Dinamo e Re, në fiderin 254 që del nga ky nënstacion, ishte ulur tarimi i mbrojtjes maksimale nga 240A në 200A dhe si rezultat kishte ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike, duke lënë pa energji elektrike rreth 3.571 konsumatorë. Jo vetëm kaq, por në këtë nënstacion u konstatua se transformatori ekzistues, i dëmtuar, me fuqi 10MË ishte zëvendësuar me një transformator me fuqi 6MË i cili nuk mbulonte kërkesën për energji elektrike; (B) Një rast tjetër është ai në Krujë, ku fideri 1 del me kabëll 3x185mm2, vazhdon në linjë ajrore alumin-çelik 95mm2 dhe kampata fundore është me 50mm2. E njëjta situatë është konstatuar edhe në fiderin nr.2. në këtë zonë, deri me 11.07.2012 tarimet e mbrojtjes maksimale ishin 480A. Në këtë datë ato janë ulur më shumë se gjysma, duke u caktuar në vlerën 200A. Ulja e vlerës së mbrojtjes maksimale çon në stakimin e transformatorëve dhe ka shkaktuar mosfurnizimin me energji elektrike të 1.279konsumatorëve; (C) Në zonën e Mamurrasit është konstatuar e njëjta situatë duke lënë pa energji elektrike 2.691 konsumatorë për shkak të uljes së nivelit të mbrojtjes maksimale.
  • Gjithashtu në zonën e Postribës nga data 27.10.2012 deri me datë 02.11.2012, te gjithe fshatrat e komunes Postribë janë lënë në 90% të kohës pa energji elektrike.
  • Punonjesit e ÇEZ-Shperndarje kanë mbajtur qëndrimin se energjia është ndërprerë për efekt ëe mospagesës së faturave të energjisë elektrike në masën 100% nga banorët e komunës, por pas verifikimit të bërë në zyrën e postës së Postribës ka rezultuar se nga rreth 1700 abonentë që ka komuna, në muajin korrik 2012 kanë paguar faturat e energjisë në postë rreth 400 abonentë në vlerën 5.600.000 lekë, në muajin gusht 2012 rreth 310 abonentë kanë paguar 4.500.000 lekë, në muajin shtator 2012, rreth 315 abonentë kanë paguar 4.800.000 lekë. Nga ana tjetër ka pasur edhe abonentë të tjerë, familjarë dhe privatë që kanë paguar me bankë ose forma të tjera afërsisht në vlerën 2-2,5 milion lekë në muaj. Pavarësisht këtij fakti ÇEZ, në mënyrë abuzive, ka bërë dënim kolektiv të konsumatorëve.
  • Nga grupi i monitorimit të ERE-s është verifikuar edhe dokumentacioni teknik operativ i mbajtur në N/st Shkodra 1, për takimet dhe stakimet e fiderit Nr.15 (fideri që furnizon zonen e Postribes). Mbrojtja maximale e këtij fideri ishte e taruar në vlerën 320 A( që nga momenti i ndërhyrjes nga ana e grupit të monitorimit të ERE-s me datë 20.10.2012, për rritjen e vlerës së tarimit të mbrojtjes maximale nga 210 A ne 320 A). Duke filluar nga data 27.10.2012 ky fider është stakuar vazhdimisht nga mbrojtja si e çastit dhe maximale, por nga verifikimet e kryera nga ERE ka rezultuar se të gjithë stakimet e fiderit 15 nga mbrojtja maximale kanë ndodhur kur ngarkesa ka qenë më e vogël se 320 A dhe kjo ka ndodhur për shkak të lidhjes në fiderin 15, të 5 kabinave nga fiderat e tjerë.
  • Një rast flagrant ka qenë mbifaturimi i shkollës 8-vjeçare Drisht për muajt Qershor, Korrik, Gusht 2011, me 4000 këh çdo muaj, si dhe faturimi i po kësaj shkolle në muajin mars 2011 me 81428 këh për të cilën komuna ka hedhur në proces gjygjësor ÇEZ-in. Kjo është një vjedhje e pastër që ÇEZ ka tentuar të realizojë në dëm të këtij konsumatori, e parashikuar në nenin 134 të K.Penal.
  • Nga ÇEZ këto veprime janë justifikuar si të detyrueshme për të shmangur humbjet, për shkak të amortizimit të rrjetit, por pikërisht ulja e këtyre humbjeve si dhe normës së amortizimit është arsyeja pse ERE ka miratuar në mënyrë periodike planin e investimeve, që sistemi elektroenergjitik të funksionojë në mënyrë  sa më efikase dhe ÇEZ Shpërndarje të  përmbushë detyrimet  ligjore  për furnizimin me  energji të klientëve tarifor sipar standarteve të parashikuara  në   rregullore dhe  në   marrëdhëniet
  • Në fakt nga kontrollet në magazinat e ÇEZ, ERE ka konstatuar se aty nuk ka materiale që duhej të ishin për nevojat që ka për mirëmbajtjen e rrjetit elektrik. Kjo është pikërisht pasojë e mosrealizimit të planit të investimeve që ÇEZ kishte për detyrë të realizonte, i miratuar nga ERE, dhe në funksion të mirëmbajtjes së rrjetit, dhe rritjes së cilësisë së shërbimit.
  • Nuk mund të ketë asnjë argument ligjor të përdorur nga ÇEZ për të justifikuar dënimet kolektive të konsumatorëve me ndërprerje të energjisë elektrike, me pretendimin se është i domosdoshëm për të ulur uljet apo se rrjeti është i amortizuar. Në fakt jemi para një situate ku ÇEZ me mosveprime flagrante nuk ka shfrytëzuar si duhet mjetet dhe mekanizmat ligjorë për të vjelur detyrimet e prapambetura, pavarësisht se i kishte të gjitha mjetet e duhura. Po ashtu, në një situatë keqmenaxhuese, të kryer me dashje nga administratorët e ÇEZ, nuk janë realizuar investimet e domosdoshme, duke shkaktuar më pas ndërprerje në masë të energjisë elektrike apo mosdhënien e këtij shërbimi në cilësinë e duhur.
  • Këto veprime mendojmë se, në kushtet kur nuk ka një vepër specifike në seksionin e veprave penale të kryera në shoqëritë tregtare, duhet të cilësohen sipas nenit 248 të K.Penal (Shpërdorimi i detyrës). Në fakt, duke qenë se shërbimi i furnizimit me energji elektrike realizohet si një shërbim publik, pavarësisht faktit se ÇEZ është një shoqëri tregtare, qëllimi i saj, përveç realizimit të fitimit, ka qenë edhe furnizim me energji elektrike i konsumatorëve, mirëmbajtje e rrjetit, rritje e cilësisë së shërbimit dhe ulje e humbjeve. ÇEZ nuk mundet që të moskryejë ato veprime që i kishte të detyrueshme me ligj, për vjelien e detyrimeve dhe riparimin e rrjetit dhe më pas, duke shpërdoruar faktin se është furnizuesi kryesor me pakicë, të kryejë veprime arbitrare duke lënë pa energji elektrike me mijëra konsumatorë që shlyejnë detyrimet rregullisht.
  • Drejtuesit dhe administrator i shoqërisë, duke shpërdoruar detyrën kanë marrë vendime të kundraligjshme, për ndërprerje kolektive të energjisë elektrike, apo ulje të niveleve maksimale të mbrojtjes (me pasojë ndërprerjen e energjisë elektrike) dhe si pasojë e këtyre vendimmarrjeve të kundraligjshme janë cënuar interesat e ligjshme të konsumatorëve familjarë, por edhe atyre privatë dhe publikë.
  • Jo vetëm kaq, por në bazë të provave të mbledhura mendojmë se shume nga këto veprime të ÇEZ nuk janë bërë të nxitura nga shkaqet që ata përmendin, por kanë pasur si qëllim mbledhjen e të arhurave dhe transferimin e fondeve jashtë territorit të vendit tonë, duke përdorur për këtë qëllim një shoqëri të tretë, e quajtur MERCL Consulting, e cila rezulton se administrohet nga z.Milan Mercl.
  • Konkretisht, gjatë aktivitetit të saj, ERE është vënë në dijeni, nga shoqëria ÇEZ Shpërndarje sh.a., të disa kontratave që kjo shoqëri ka realizuar me shoqëri të treta për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura të konsumatorëve.

Rezulton se fillimisht “ÇEZ Shpërndarje” sh.a. ka lidhur kontratë me shoqërinë Debt International Advisory Ltd (DIA), me datë 01.09.2010. Kjo kontratë kishte për objekt (të deklaruar) mbledhjen  e detyrimeve të debitorëve që nuk kishin shlyer faturat brenda afatit 90 ditë nga lëshimi i faturës së konsumit të energjisë elektrike. Afati i kësaj kontrate ishte dy vjeçar. Pas kontratës së parë, ÇEZ ka rinovuar kontratën me shoqërinë DIA, për një afat tjetër 2 vjeçar (e lidhur me datë 01.02.2011-2012). Këto akt-marrëveshje nuk janë lidhur mbi vend të këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, por nga dy administratorët e saj, përkatësisht shtetasit Josef Hejsek dhe Ian Ivan. Sipas akt marrëveshjes shpërblimi që DIA do të merrte për shërbimin e kryer ishte 49.9% të borxhit të mbledhur. Sipas kësaj akt-marrëveshjeje ÇEZ do t’I paguante DIA-s edhe një shumë që mund të shkonte deri në 512.000E/muaj, si shpenzime mujore fikse. Në tetor 2011, ÇEZ zgjidh kontratën me DIA me argumentimin se nuk është rënë dakort në vendosjen e një targeti të ri për mbledhjen e borxheve. Kjo bëri që DIA, t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit duke kërkuar nga ÇEZ, tashmë në administrim shtetëror një shpërblim në masën e rreth 108milion Euro. Gjatë zbatimit të kësaj aktmarrëveshjeje ÇEZ veproi në kundërshtim me kushtet e saj. Kështu, detyrimi për t’i vënë në dispozicion listën e debitorëve (që nuk kishin shlyer faturat të cilat ishin lëshuar në një afat prej 90 ditësh nga ÇEZ) i përkiste ÇEZ. Ky i fundit nuk i vinte në dispoziocion shoqërisë fatuarat e maturuara, por ato që kishin një afat më pak se 90 ditë (fakt ky i pranuar edhe nga vetë DIA). Po ashtu, në tetor 2011, ÇEZ zgjidhi kontratën me DIA-n, me pretekstin se nuk ishte arritur një marrëveshje për rivlerësimin e targetit të aktmarrëveshjes. Në fakt rezulton se ÇEZ kërkoi një amendim të marrëveshjes duke kërkuar heqjen nga lista e debitorëve të konsumatorëve familjarë në zonat më me interes dhe duke lënë zonat ku niveli i debive shkonte në masën 83% si dhe heqjen e debitorëve buxhetorë, jobuxhetorë dhe klientët privatë. Si afat për pranimin e këtyre kushteve ishte caktuar data 20 tetor 2011. Siç pretendon shoqëria DIA, brenda afatit të përcaktuar ata kanë pranuar kushtet e reja të vëna nga ÇEZ. Pavarësisht këtij fakti, ÇEZ me një shkresë të datës 28 tetor 2011 ka zgjidhur kontratën. Pas zgjidhjes së kontratës me DIA, zgjidhje që është bërë me dashje nga administratorët e ÇEZ, në kundërshtim me kushtet e akt-marrëveshjes, DIA ka kërkuar, në Gjykatën e Arbitrazhit, dëmshpërblim në masën 108.483.739 Euro. Si lidhja e kësaj akt-marrëveshjeje, ashtu edhe zgjidhja e saj është bërë nga dy administratorët e ÇEZ, z.Ian Ivan dhe Josef Hejsek, pa marrë asnjë miratim paraprak nga organet vendmmarrëse të shoqërisë. Këto veprime ne mendojmë se janë bërë me dashje nga shoqëria çeke dhe administratorët çekë duke konsumuar elementët e veprës penale të ”Shperdorimit të kompetencave”. Me shkresën nr.2874Prot., datë 30.05.2011 “ÇEZ Shpërndarje” sh.a. i drejtohej ERE-s duke e informuar për lidhjen e marrëveshjes me kompaninë DIA, me qëllim rritjen e arkëtimeve për faturat e papaguara. Sipas kësaj shkrese rezultatet e arritura kishin qenë aq të mira sa ÇEZ informonte ERE-n se po shqyrtonte mundësinë për të autorizuar DIA-n edhe në kryerjen e ndërprerjes së energjisë për konsumatorët debitorë. Megjithatë, pas më pak se 3 muaj dy administratorët çek, në kapërcim të kompetencave të tyre bëjnë zgjidhjen e aktmarrëveshjes së lidhur me kompaninë DIA. Kjo zgjidhje e akt-marrëveshjes nuk është bërë pas vendimmarrjes së organeve kompetente të shoqërisë, por në mënyrë abuzive është vendosur nga dy administratorët çekë të cilët nuk kishin tagra të tilla. Ndërkohë që zgjidhte këtë akt-arrëveshje, pas pak muajsh ÇEZ fillon një projekt pilot. Qëllimi i këtij projekti, sipas argumentimit të ÇEZ ka qenë përmirësimi i kapacitetit të përgjithshëm të procesit të arkëtimit në disa zona të vendit, me qëlllim rritjen e arkëtimeve të shumave të prapambetura. Në fakt jemi para të njëjtave kontrata si ato të lidhura me kompaninë DIA, dhe shpërblimi i dhënë këtyre shoqërive është i njëjtë në masë me atë që përfitonte edhe shoqëria DIA. Madje ÇEZ i kërkoi ERE-s që shpërblimi që duhej dhënë kompanive që do të kontraktoheshin, të përfshihej në çmimin e energjisë elektrike dhe t’i faturohej konsumatorëve, por nga ana e saj ERE nuk e pranoi një kërkesë të tillë, duke i kthyer përgjigje ÇEZ-it se këto kosto nuk do të njiheshin në tarifën e energjisë elektrike. Pavarësisht kësaj përgjigjeje, ÇEZ vazhdoi procedurën duke kontraktuar shoqëri të treta për mbledhjen e detyrimeve të papaguara, kur një gjë të tillë mund ta realizonte edhe vetë. Aq më tepër po të kemi parasysh faktin se ÇEZ ankohej për një gjendje të rënduar financiare.

Dyshimi bazohet edhe më shumë nëse do të kemi parasysh procedurën e ndjekur nga ÇEZ për përzegjdhjen e shoqërisë MERCL Consulting, faktin se kjo shoqëri u rregjistrua pikërisht ditën e vlerësimit të kërkesave për propozim, ndërsa u themelua pikërisht ditën e paraqitjes së kërkesave. Jo vetëm kaq, por nga informacioni i mbledhur në DPT, rezulton se kjo shoqëri, pavarësisht shumave të larta të mbledhura, që deklaronte, rezulton se kishte të rregjistruar vetëm nje punonjës çfarë e bën objektivisht të pamundur kryerjen e këtij shërbimi në nivelet e deklaruara. Një element tjetër ku Prokuroria duhet të fokusohet është edhe vërtetësia e të dhënave të deklaruara nga MERCL dhe të pranuara si të tilla nga ÇEZ, lidhur me të ardhurat e siguruara nga vjelia e detyrimeve të papaguara si dhe përqindja e lartë, që merr MERCL Consulting, nga “ÇEZ Shpërndarje” sh.a. për detyrimet e mbledhura.

Të gjithë këto elementë të krijojnë bindjen se kontrata të tilla nuk kishin në thelb synimin për vjelien e detyrimeve të prapambetura, por transferimin e parave jashtë vendit tonë, duke shmangur palën shqiptare nga marrja e përfitimeve, si dhe duke iu shmangur pagimit të tatimeve përkatëse, veprime këto që përmbajnë elementë të veprave penale “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Mashtrimi”, të parashikuara përkatësishr nga neni 164 i K.Penal dhe 143 i K.Penal.

Konkretisht, shoqëria “ÇEZ Shpërndarje” sh.a., me justifikimin e shumave të mëdha të detyrimeve të papaguara e të prapambetura, ka iniciuar një projekt pilot që kishte si qëllim përmirësimin e kapacitetit të përgjithshëm të procesit të arkëtimit të këtyre shumave. Ky projekt do të shtrihej për periudhën Janar 2007-Dhjetor 2011. Pagesa do të bëhej vetëm nëse arkëtimi është për borxhe të kësaj periudhe dhe llogaritë e arkëtueshme debitore përputheshin me sistemin e faturimit, me konfirmim pagese.

Sipas kërkesës për propozim ofertat do të paraqiteshin deri më 29.02.2012.

Pikërisht në këtë datë, referuar ekstraktit të shoqërisë nga rregjistri tregtar i QKR-së, është themeluar edhe shoqëria MERCL Consulting, me kohëzgjatje të papërcaktuar. Përfaqësues ligjor i shoqërisë është shtetasi Milan Mercl.

Sipas projektit pilot, ai kishte synim mbledhjen e detyrimeve të papaguara në qytetin e Durrësit, në Tiranë (pjesërisht); në pjesë të qytetit të Fierit dhe Elbasanit dhe pjesë të fshatrave, në Shkodër, në pjesë të qytetit të Gjirokastrës, Korcës dhe Vlorës dhe në pjesë të qyteteve Patos, Ballsh, Berat. Ajo që bie në sy është fakti se në këtë procedurë kanë marrë pjesë 7 kompani, ku secila kompani ka paraqitur propozimin e saj për një zonë të caktuar. Pra nuk ka një konkurrencë, pavarësisht se procedura është paraqitur si “tender”. Ky fakt të lind dyshimin se ka pasur një marrëveshje paraprake mes këtyre shoqërive për ndarjen e zonave, duke shmangur konkurrencën.

  • Për qytetin e Durrësit rezulton se është paraqitur shoqëria MERCL Consulting, me të cilën, me datë 07.03.2012 është lidhur akt marrëveshja për mbledhjen e borxheve, mes z.Martin Nemecek dhe Jan Ivan-anëtarë të bordit drejtues të shoqërisë “ÇEZ Shpërndarje” sh.a. dhe z.Milan Mercl, përfaqësues i shoqërisë MERCL Consulting.
  • Këto marrëveshje janë lidhur pavarësisht faktit se ERE ka mbajtur qëndrim zyrtar se kostot që buronin prej tyre nuk do të njiheshin si tarifë e energjisë elektrike.
  • Së dyti, rezulton se vendimi për kontraktimin e kësaj shoqërie, ashtu si edhe për shoqëritë e tjera, nuk është marrë nga Këshilli mbikëqyrës, por nga administratorët;
  • Së treti, tek ERE nuk është depozituar asnjë aplikim i shoqërisë MERCL Consulting, për kryerjen e shërbimit për të cilin rezulton të jetë lidhur marrëveshja mes subjekteve të sipërcituar;
  • Së katërti, sipas dhënave që disponon Drejtoria Rajonale e Tatimeve, kjo shoqëri ka vetëm një punonjës, ndërkohë që deklaron dhe i njihen nga “ÇEZ Shpërndarje” sh.a., shuma të mëdha arkëtimesh. Nisur nga procedura që kërkon vjelia e detyrimeve të prapambetura, dokumentat që duhen përpiluar dhe shumat që deklaron shoqëria, është praktikisht e pamundur që një i punësuar të realizojë arkëtimin e gjithë atyr shumave;
  • Së pesti nuk ka asnjë dokument që të provojë shërbimin e kryer nga shoqëria MERCL Consulting. Në nenin 4 të marrëveshjes (Detyrimet e agjentit) parashikohet se çdo pagesë e debitorëve duhet të bëhet direkt, në llogarinë bankare osë në pikat e arkëtimit të “ÇEZ Shpërndarje” sh.a. Për të provuar se këto të ardhura janë rezultat i punës së shoqërisë së kontraktuar, ajo duhet që çdo javë raport të detajuar për çdo debitor dhe prova të pakundërshtueshme se shërbimi (vjelia e të ardhurave të prapambetura) është realizuar efektivisht nga shoqëria, si kontakte që ka pasur me debitorin, premtim-pagese nga debitori, marrëveshje, kërkesa për proces gjyqësor ose për hapjen e procedurave të ekzekutimit, debitë e paguara, etj.). Tek ERE janë dërguar raportet mujore, sipas sistemit billing të ÇEZ ku pretendohet se pasqyrohen shumat e arkëtuara. Në fakt nuk ka asnjë dokument që këto shuma janë rezultat i veprimtarisë së shoqërisë MERCL Consulting, e cila duhej ta provonte këtë me dokumenta sipas akt-marrëveshjes.
  • Së gjashti, “ÇEZ Shpërndarje” sh.a. pretendon se nuk është në gjendje të evidentojë se çfarë është vjelë nga shoqëritë e kontraktuara, por këto të dhëna i nxjerr sipas sistemit të faturimit duke konsideruar çdo të ardhur pas afatit të shlyerjes së faturës, si shërbim i kryer nga shoqëria e kontraktuar. Gjithashtu ERE konstaton se në disa raste arkëtimet e njohura nuk i përkisnin detyrimeve të maturuara. Ky veprim i ÇEZ është në kundërshtim me pikën 5.4, të nenit 5 të aktmarrëveshjes ku parashikohet se ÇEZ do të tregojë kujdesin e duhur që të sigurojë se detyrimet (pra lista e detyrimeve të maturuara) që do t’i dorezohen agjentit (shoqëria MERCL Consulting) janë maturuar dhe bërë të kërkueshme.
  • Pavarësisht sa më lart dhe pretendimit se nuk mund të identifikojë arkëtimet e realizuara nga shoqëritë e kontraktuara, “ÇEZ Shpërndarje” sh.a. ka rënë dakort që t’i paguajë shoqërisë 49% të shumës së arkëtimeve që shoqëria deklaron se ka mbledhur.
  • Me akt-marrëveshjen e datës 19 Mars 2012, është lidhur marrëveshja mes “ÇEZ Shpërndarje” sh.a. dhe kompanisë CE2 Services sh.p.k., për mbledhjen e debive në zonën e Tiranës.
  • Nga informacioni i marrë nga QKR rezulton se kjo shoqëri është rregjistruar me datë 15.03.2012.
  • Shpërblimi për shërbimin është përcaktuar në maën 50% për interesat e mbledhura dhe varion nga 28-32% për detyrimet e papaguara.
  • Me datë 19.05.2012 është lidhur marrëveshja mes administratorëve të “ÇEZ Shpërndarje” sh.a. me kompaninë “CE2 Debt Management” shp.k., për zonën e Qytetit Tiranë. Kjo kompani rezulton të jetë rregjistruar në QKR me datë 10.04.2012. Shpërbimi për shërbimin e kryer ishte 35% të detyrimeve të vjelura nga shoqëria dhe 50% e onteresit të mbledhur dhe paguar.
  • Me datë 12.04.2012 është lidhur marrëveshja mes administratorëve të “ÇEZ Shpërndarje” sh.a. me kompaninë “CONSTAL” shp.k., për zonën e Qytetit dhe fshatrave të Elbasanit, Fierit dhe Peqin. Sipas kësaj akt-marrëveshjeje, dhe sa kërkuar nga vetë kompania, shpërbimi do të ishte në masën 30% të detyrimeve të vjelura nga shoqëria.
  • Me datë 12.04.2012 është lidhur marrëveshja mes administratorëve të “ÇEZ Shpërndarje” sh.a. me kompaninë “Elite Consulting” shp.k., për zonën e fshatrave në lindje të Fierit dhe qytetet Shijak, Bulqizë, fshatrat e Patosit, Ballsit, Lushnjes dhe Burrelit. Kjo kompani rezulton e rregjistruar me datë 25.01.2011 dhe sipas kësaj akt-marrëveshjeje, dhe sa kërkuar nga vetë kompania, shpërbimi do të ishte në masën 30% të detyrimeve të vjelura nga shoqëria.
  • Këto shpërblime të dhëna shoqërive të treta, përveç se janë shumë të larta, përballohen nga të ardhurat e vetë ÇEZ, pasi siç theksuam më lart nuk i është njohur si kosto e energjisë, nga ERE. Gjithashtu ka diferencë të madhe në përqindjet e këtyre përqindjeve ku përfitimin më të madh e kanë kompania MERCL dhe “CE2 Servise” që është pothuaj 2-fishi i shpërblimit të kompanive të tjera.
  • Fakti që ÇEZ deklaron për vështirësi të mëdha financiare, aq sa nuk realizon as 7% të planit të investimeve nga njëra anë dhe nga ana tjetër paguan pothuajse 50% të shumës që siguron nga arkëtimet e prapambetura, e analizuar edhe me elementët e tjerë si më lart, na bën që të hedhim dyshuime të bazuara se në fakt nuk jemi para lidhjes së një kontrate për kryerjen e një shërbimi, por para një skeme të mirëmenduar dhe organizuar për të vjedhur shoqërinë nga persona të caktuar brenda saj. Po ashtu, edhe keqmenaxhimi që i është bërë shoqërisë, mungesa e investimeve, të gjitha këto kemi arsye për të menduar se bëhen me qëllim mbledhjen e të ardhurave nga ÇEZ, të cilat më pas i kalohen shoqërive të treta, si “shpërblim” për shërbimin e kryer dhe që më pas i kthehen administratorëve çekë apo/dhe shoqërisë çeke ÇEZ a.s.. Në fakt asnjë document i dorëzuar nga ÇEZ nuk provon se shoqëritë realisht kanë siguruar arkëtimet e pretenduara. Në këtë drejtim është e domosdoshme të hetohet se sa janë arkëtimet e papaguara, të maturuara, që shoqëritë e treta kanë realizuar (provuar kjo me dokumenta). Në rast se rezulton se këto shoqëri nuk kanë realizuar arkëtime në shumat e deklaruara dhe pavarësisht kësaj ato kanë përfituar sipas përqindjes së përcaktuar në akt-marrëveshje, atëherë do të provohet se jemi para një skeme vjedhjeje të pastër të të ardhurave nga persona konkretë që veprojnë brenda shoqërisë “ÇEZ Shpërndarje” sh.a.
  • Në këtë rast janë konsumuar elementët e veprës penale të “Fallsifikimit”, e cila ne rast se provohet cilesohen sipas pag.2 dhe 3 te K.Penal (e kryer në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo kur ka sjellë pasoja të rënda) si dhe “Shpërdorimit të kompetencave”, e parashikuar nga neni 164 i K.Penal dhe “Mashtrimit”, e parashikuar nga neni 143 i K.Penal.

Sipas kësaj dispozite penale subjekte të veprës janë anëtarët e këshillit mbikëqyrës (nëse vendimet janë marrë nga këshilli) ose administrator/ët e shoqërisë (nëse vendimet janë marrë prej këtij të fundit). Në dispozitë parashikohet se veprime të tilla kryhen I-me qëllim përfitimi(personal ose për personin juridik) dhe II-për të favorizuar një shoqëri tjetër ku këto subjekte kanë interesa. Sa më lart kërkojmë ndjekien penale, duke vënë para përgjegjësisë personat fizikë dhe juridikë që kanë realizuar këto fallsifikime dhe vjedhje. Në zbatim të ligjit nr.9754, datë 14.06.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, kërkojmë marrjen e masave ligjore sipas parashikimeve të neneve 8, 9 10 të ligjit “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, shoqërisë çeke ÇEZ a.s.

avokatia e shtetit

 

 

 

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

    Pas