Avokati Ili Gërdupi, i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion”, komentoi vendimin e gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe lëvizjen e qeverisë për ta çuar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
Gërdupi u shpreh se, sipas tij, GJKKO ka tejkaluar kompetencat ligjore, pasi Kodi i Procedurës Penale ndalon vendosjen e masave ndaj personave të zgjedhur, ku përfshihet edhe statusi i deputetes që mban githashtu Balluku. Ai theksoi se ligji nuk bën dallim mes funksionit të deputetit dhe çdo funksioni tjetër që ai mban paralelisht, ndaj masa ndaluese, sipas tij, nuk duhet të ishte dhënë.
Sipas avokatit, vendimi i gjykatës nuk e ndalon Ballukun në ushtrimin e mandatit të deputetes, por vetëm e pezullon nga detyra si ministre.
Gërdupi sqaroi se, pavarësisht pezullimit, masa e ndalimit të udhëtimit jashtë vendit mbetet në fuqi dhe nuk ndikohet nga shqyrtimi që mund të marrë Kushtetuesja. Sipas tij, edhe nëse kjo gjykatë rrëzon vendimin për pezullimin, ministrja Balluku përsëri nuk do të mund të dalë jashtë Shqipërisë për sa kohë masa ndaluese është aktive.
Pjesë nga biseda në studio:
Gërdupi: Në gjykimin tim, GJKKO e ka tejkaluar kompetencën e saj në momentin që ka marrë një masë ndaluese ndaj një anëtari të kabinetit që është njëkohësisht edhe deputet, pasi Kodi i Procedurave Penale thotë se ndaj personave të zgjedhur nuk mund të jepen masa. Zonja Balluku, krahas të qenurit anëtare e kabinetit, është gjithashtu edhe një person i zgjedhur për shkak të statusit të saj si deputete.
Fevziu: Por a e ndan vendimi i gjykatës? Sepse nuk thuhet që kjo e pengon në të drejtën e saj si ushtruese e aktivitetit të deputetes së Kuvendit?
Gërdupi: Nëse do jemi literal në interpretimin e normës, siç është tentuar të bëhet nga ana e gjyqtarit dhe nga ana e një pjese të opinionit, nuk thotë që ndalohet nga funksioni. Nuk mund të jepet ky ndalim për funksionin e deputetit, por thuhet që nuk mund të jepet ndaj personit. Kodi nuk e bën diferencimin.
Fevziu: Pra e ka imunitetin për çdo çështje, edhe si ministre, edhe për çdo gjë tjetër?
Gërdupi: Deputeti mund të jetë vetëm ministër, nuk mund të ketë asnjë funksion tjetër publik përveçse anëtar i Këshillit të Ministrave.
Fevziu: Nuk e kam për pezullimin në detyrë, por si koncept është i mbrojtur nga çdo lloj gjëje apo jo?
Gërdupi: Po flasim vetëm për pezullimin. GJK është shprehur tashmë për ndalim shteti dhe detyrim paraqitje, nuk është shkelje e kushtetutës nëse GJKKO e merr vendimin pa pyetur Parlamentin…
Fevziu: Pra në rastin e pezullimit, nëse Gjykata nuk shprehet për Ballukun, ajo është e ndaluar për të dalë jashtë shtetit me vendim të gjykatës?
Gërdupi: Në GJK nuk është ky objekt gjykimi, znj. Balluku mund ta ndjekë atë në Gjykatën e Apelit…
Fevziu: Edhe nëse anulohet vendimi i pezullimit të saj nga GJK?
Gërdupi: Edhe nëse ndodh, nuk ka lidhje me vendimin për ndalimin e daljes së saj jashtë vendit.
Fevziu: Ajo do jetë e bllokuar për të dalë jashtë vendi? Flas për këtë vendim.
Gërdupi: Jo, nuk ka asnjë lloj ndikimi, sepse as nuk është kërkuar.
Fevziu: Pra ajo nuk do të lëvizë dot jashtë Shqipërie edhe po të jetë ministre në detyrë?
Gërdupi: Po, jemi duke diskutuar vetëm për pezullimin.














