Tre persona dyshohet se ishin autorët e atentatit të një nate më parë në Milot, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi, dhe u plagos Ylli Ibrahimi. Sipas raportimeve, ata kanë ndjekur dy miqtë dhe njihnin lëvizjet e tyre.
Mësohet gjithashtu se ata kanë qëndruar për rreth 10 minuta në rrugën përballë rrugicës së pallatit ku jetonin dy personat, të cilët ishin fqinj me njëri-tjetrin.
Në momentin kur makina e Preçit dhe e Ylli Ibrahimit u afrua për të hyrë në rrugën e pallatit, dolën dy nga tre autorët dhe qëlluan me breshëri ndaj sheshpushimit të pallatit ku ndodheshin dy miqtë.
Ata pritën deri sa Preçi, 28 vjeç dhe Ibrahimi, 46 vjeç të zbrisnin nga makina e tyre blinduar “Land Chrysler”, me targa të Shkupit.
Pas ngjarjes, autorët u larguan ndërsa në fshatin Gramës është gjetur një makinë duke u djegur, e cila dyshohet se i përket autorëve të ngjarjes. Brenda në mjet janë gjetur 2 kallashnikovë.
Klisman Preçi dhe Ylli Ibrahimi i kanë mbijetuar atentateve të mëparshme, por për të riun Preçi plumbat e ditës së djeshme rezultuan fatale, pasi nuk mundi t’iu mbijetojë plagëve të marra.