Vijojnë të dalin detaje në lidhje me atentatin që trondit mbrëmjen e djeshme kryeqytetin, ku në një lokal në zonën e “Don Boskos”, u vra një grua dhe u plagosën 5 të tjerë.
Nga breshëria e armëve humbi jetën Mimoza Paja, e cila ishte kameriere dhe banakiere në lokalin në pronësi të Fajton Muratit, një person me precedentë të mëparshëm penal, ndërsa u plagos xhaxhai i këtij të fundit, Sehat Murati dhe Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli. Po ashtu e lënduar ka mbetur dhe një 10-vjeçare, e cila është mbesa e viktimës.
Sipas News 24, personat e plagosur, përveç xhaxhait të Muratit, që dyshohet se ka qenë dhe shënjestra e sulmit, ishin klientë të lokalit.
Ndërkohë, gjendja shëndetësore e të plagosurve paraqitet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa po marrim mjekim te Spitali i Traumës.
Atentati ndodhi rreth orës 21:05 të së dielës. Për hetimin është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./Opinion.al