Rrëzohet në rajonin lindor të Amurit, një avion pasagjerësh rus me 49 persona në bord, ku raportohet se nuk ka të mbijetuar.
Siç thonë agjencitë lokale, avioni i tipit An-24, i operuar nga kompania ajrore siberiane Angara, ishte nisur nga qyteti Blagoveshchensk, pranë kufirit me Kinën, dhe ishte drejtuar drejt qytetit Tynda, kur humbi kontaktin me kullën e kontrollit.
Përveç anëtarëve të ekuipazhit, pasagjerëve, në bord ndodheshin edhe 5 fëmijë.
“Janë angazhuar të gjitha forcat dhe mjetet e nevojshme për kërkimin e avionit”, bëri të ditur guvernatori rajonal Vasily Orlov në platformën Telegram.
Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, të gjithë personat në bord kanë humbur jetën. Dyshohet se shkaku i aksidentit ka qenë një gabim gjatë uljes në kushte të vështira të dukshmërisë.
Zyrtarët e emergjencave thanë se një helikopter shpëtimi ka zbuluar trupin e djegur të avionit, ndërsa autoritetet lokale kishin raportuar më herët se avioni ishte zhdukur nga radarët vetëm disa kilometra larg destinacionit të tij.
Ndërkohë, agjencia ruse SHOT raportoi se kontakti me avionin është humbur në një distancë të shkurtër nga aeroporti i Tyndës. Ministria e emergjencave në rajon dha një numër disi më të ulët për personat në bord, duke e vlerësuar atë rreth 40. Hetimet për shkaqet e aksidentit janë në zhvillim.