Fluturimet e fundit të avionëve ushtarakë kinezë në jugperëndim të Tajvanit kanë ngritur alarmin në këtë ishull, të cilin Pekini pretendon se është pjesë e tij, por edhe kanë rritur tensionet në këtë rajon, që veçse ishte i tensionuar.
Më 9 tetor, presidenti i Kinës, Xi Jingping u zotua se do të ndodhë “ribashkimi” i Tajvanit, ndërsa një ditë më pas, presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen tha se shteti i saj nuk do t’i nënshtrohet presioneve të Pekinit.
Fluturimet e avionëve kinezë janë vetëm një pjesë e mozaikut kompleks në Azi, ku Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij kanë rritur manovrat detare dhe Australia njoftoi muajin e kaluar se do të blinte nëndetëse me energji bërthamore përmes një marrëveshjeje, që shihet si një sfidë e drejtpërdrejtë për Pekinin. Ndërkohë, Japonia është bërë gjithnjë më e zëshme lidhur me shqetësimet që Kina po shndërrohet në një kërcënim për sigurinë.
Ekspertët pajtohen se një konflikt i armatosur nuk është i pashmangshëm, por teksa rriten aktivitetet ushtarake, është rritur frika se një dështim apo një llogaritje e gabuar mund të çojë në një përshkallëzim të paqëllimshëm të situatës. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres muajin e kaluar u bëri thirrje Pekinit dhe Uashingtonit që të përmirësojnë “raportet e tyre plotësisht jofunksionale”, duke thënë se “ne duhet të shmangim me çdo kusht një Luftë të Ftohtë”, shkruan Associated Press.
Më poshtë mund të kuptoni disa çështje që janë kryesore për tensionet në rritje ndërmjet Kinës dhe Tajvanit:
Cilat janë qëllimet e Kinës?
Kina e portretizon profilin e saj ushtarak si krejtësisht mbrojtës, për të mbrojtur, siç shprehet ajo, të drejtat e saj sovrane nga Tajvani deri në Detin Jugor të Kinës dhe kufirin e saj të gjatë dhe të diskutueshëm malor me Indinë. SHBA-ja dhe shumë fqinjë të Kinës e shohin këtë qëndrim si agresiv dhe kanë rritur praninë e tyre me shpresën që të frenojnë përpjekjet e Kinës për të ndryshuar faktet që janë në terren.
Kina, pasi për vite të tëra ka rritur shpenzimet ushtarake, tani mburret se është shteti i dytë në botë me buxhetin më të madh të mbrojtjes – pas Shteteve të Bashkuara – ku buxheti arriti në rreth 209 miliardë dollarë këtë vit. Ky buxhet i ka lejuar Pekinit që të zhvillojë sisteme të avancuara të armëve, përfshirë edhe avionin e tipit J-20, raketat hipersonike dhe dy transportues avionësh, dhe një transportues që ende është duke u ndërtuar.
Presidenti kinez, Xi Jingping, që njëherësh është komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Popullit, ka mbikëqyrur ndërtimin e objekteve ushtarake në ishujt e krijuar nga Kina në Detin Jugor të Kinës, që kanë për qëllim zgjatjen e ujërave territoriale të Kinës. Ai ka deklaruar se vënia e Tajvanit nën kontrollin e Pekinit, nuk duhet t’i lihet gjeneratës së ardhshme. Këto kërcënime të tij drejtuar demokracisë vetëqeverisëse të ishullit, janë rritur edhe më shumë përmes stërvitjeve ushtarake përgjatë vijës bregdetare përballë Tajvanit dhe me fluturimin e një numri të madh të avionëve luftarakë kinezë në zonën identifikuese të mbrojtjes ajrore të Tajvanit. Vetëm të hënën, më 4 tetor, numër rekord prej 56 avionësh fluturuan në këtë zonë, ndërkaq brenda katër ditësh, në total u kryen 149 fluturime.
Cili është roli i SHBA-së?
SHBA-ja, që ka baza ushtarake në Japoni, Kore të Jugut dhe Guam, ka prezencë të madhe ushtarake në rajon dhe ka ndjekur një politikë të fokusuar drejt Indo-Paqësorit që t’i kundërvihet qëndrimit gjithnjë e më këmbëngulës të Kinës.
Gjatë një fjalimi gjatë kësaj jave, Sekretari amerikan i Marinës, Carlos Del Toro u tha kadetëve se Kina do të jetë “një sfidë që do të përcaktojë karrierat e juaja detare”, duke shtuar se Pekini po përdor fuqinë e tij ushtarake për të “kërcënuar fqinjët e tij, për të sfiduar normat e vendosura duke u përpjekur që të kontrollojë ujërat ndërkombëtarë duke thënë se janë të tij”.
“Detyra jonë është që të ruajmë paqen, duke u siguruar që Republika Popullore e Kinës nuk ka ndikim ushtarak mbi Shtetet e Bashkuara apo aleatët dhe partnerët tanë”, tha ai.
Në këtë drejtim, SHBA-ja kryen vazhdimisht stërvitje në rajon së bashku me një sërë aleatësh, përfshirë edhe stërvitjet e fundit ku ishin të përfshira 17 anije nga gjashtë shtete. Këto stërvitje u kryen në verilindje të Tajvanit, afër ishullit japonez Okinava, në kohën e njëjtë kur avionët kinezë po fluturonin në jug të Tajvanit.
Politika e SHBA-së për një kohë të gjatë është që ofrojë mbështetje politike dhe ushtarake për Tajvanin, duke mos premtuar në mënyrë eksplicite se do ta mbrojë këtë ishull nga ndonjë sulm kinez.
Edhe pse SHBA-ja nuk ka baza ushtarake në Tajvan, zyrtarët amerikanë konfirmuan gjatë kësaj jave se forcat speciale për më shumë se një vit janë duke u trajnuar me ushtrinë e Tajvanit, përfshirë edhe operacione të marinës gjatë javëve të fundit janë kryer së bashku me komandantët e marinës.
Mbështetja ushtarake e SHBA-së për Tajvanin “bazohet në një vlerësim të nevojave të mbrojtjes së Tajvanit dhe kërcënimit që paraqitet” nga Kina, ka deklaruar zëdhënësi i Pentagonit, John Supple.
Muajin e kaluar, gjatë adresimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti amerikan, Joe Biden nuk e përmendi Kinën me emër, por theksoi se SHBA-ja “do të ndihmojë aleatët tanë dhe miqtë tanë dhe do t’iu kundërvihet përpjekjeve të shteteve më të fuqishme për të dominuar shtetet më të dobëta”.
Cili është pozicioni i Tajvanit?
Tajvani është kryesisht i shqetësuar për të forcuar statusin e tij de fakto të pavarur, duke ruajtur lidhjet ekonomike me Kinën dhe duke shmangur një konflikt ushtarak.
Derisa Tajpei dhe Uashingtoni nuk kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike që prej se SHBA-ja themeloi raportet me Pekinin më 1979, ligjet në SHBA kërkojnë që Uashingtoni të asistojë Tajvanin që të mbajë kapacitetet e tij të mbrojtjes dhe të trajtojë çështjet e kërcënimeve ndaj ishullit si çështje “të shqetësimit të madh”. Kjo ka përfshirë edhe shitjen e sistemeve të avancuara të radarit, të avionëve luftarakë dhe anijeve, që kanë zemëruar Kinën.
Përveç blerjes së armëve nga SHBA-ja, presidentja Tsai Ing-wen ka rritur edhe industrinë vendore ushtarake, veçanërisht në ndërtimin e nëndetëseve që konsiderohen thelbësore për çështje të mbrojtjes, por Tajvani nuk ka qenë të gjendje të blejë këto pajisje nga jashtë për shkak të presionit kinez. Tajvani gjithashtu të dielën, në Ditën Kombëtare, shfaqi disa prej armëve. Kjo është parada e parë ushtarake që u mbajt në Tajvan që prej se Tsai mori detyrën më 2016.
Tajvani gjithashtu po lufton për t’iu kundërvënë fushatës kineze që ka për qëllim ta izolojë këtë ishull në aspektin diplomatik. Këtë gjë Tajvani e ka bërë duke mirëpritur në vizitë zyrtarët amerikanë dhe gjatë kësaj jave priti edhe një delegacion të senatorëve francezë dhe ish-kryeministrin australian, Tony Abbott, i cili e ka akuzuar Kinën se po e ngacmon Tajvanin dhe njëherësh ka shprehur mbështetjen e tij për Qeverinë tajvaneze, teksa Australia dhe Kina kanë përkeqësuar marrëdhëniet.
Po aktorët e tjerë rajonalë?
Australia bëri një deklaratë të fortë muajin e kaluar kur njoftoi se do të anulonte një marrëveshje në vlerë prej 66 miliardë dollarësh me Francën për nëndetëset me naftë, në mënyrë që t’i bashkohej një pakti të ri me SHBA-në dhe Britaninë për nëndetëset me energji bërthamore.
Ky vendim u pa si një forcim i aleancës Australi-SHBA, në kohën kur Kina po i bën presion Australisë përmes tarifave dhe ndalesave të tjera në import. Pekini e dënoi këtë marrëveshje, sipas të cilës, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar do ta ndihmojnë Australinë që të ndërtojë të paktën tetë nëndetëse, duke e cilësuar si “jashtëzakonisht të papërgjegjshme” dhe duke shtuar se kjo marrëveshje “seriozisht do të dëmtojë paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale”.
Liderët e Australisë, SHBA-së, Japonisë dhe Indisë – grup që njihet si Dialogu Katërkëndësh i Sigurisë – u takuan në Uashington pak kohë pas marrëveshjes për nëndetëset dhe biseduan për një sërë çështjesh përfshirë edhe për mënyrat sesi ta mbajnë Indo-Paqësorin “të lirë dhe të hapur”.
India u është bashkuar manovrave rajonale, veçanërisht në gusht dërgoi anije në Detin Jugor të Kinës për të marrë pjesë në stërvitje me SHBA-në, Japoninë dhe Australinë në Guam. Qëllimi i pjesëmarrjes në këto stërvitje, sipas Nju Delhit, ishte që të tregohej “përkushtimi ndaj lirisë për lundrim në det”.
Kina dhe India janë të përfshira në mosmarrëveshje për kufirin tokësor, që ka çuar në disa përleshje gjatë këtij viti dhe vitin e kaluar. India është e shqetësuar me rritjen e prezencës së anijeve kërkimore kineze dhe të anijeve të peshkimit në rajonin e Oqeanit Indian. Prezenca e këtyre anijeve lejohet në këtë zonë sipas ligjit ndërkombëtar, por India dyshon se anijet kineze po mbledhin të dhëna për qëllime ushtarake.
Ndërkaq, Japonia për një kohë të gjatë ka qenë e kujdesshme për raportet e saja me Kinën, që e ka partnere kyçe tregtare. Por, gjithashtu ky shtet ka rritur shqetësimet duke e parë gjithnjë e më shumë Kinën si kërcënim për siguri. Kryeministri i ri japonez, Fumio Kishida ka thënë se dialogu me Kinën është i rëndësishëm, por Japonia gjithashtu duhet të bëhet bashkë me demokracitë e tjera dhe të rritë aleancën e sigurisë me SHBA-në dhe partnerët e tjerë.
Cila është përfshirja e Evropës?
Së fundmi, Britania ka qenë një prej shteteve më të përfshira në rajon, me një kombinim përmes një shtrirjeje të zgjeruar diplomatike, dhe dërgimit të një grupi të transportuesve sulmues për një periudhë 28 javore, teksa po ndjekë një politikë karshi Indo-Paqësorit, pasi Qeveria britanike ka rekomanduar një rishikim të politikës të mbrojtjes dhe asaj të jashtme.
Si një shtet që ka të zhvilluar tregtinë detare, Britania ka theksuar nevojën që të mbajë të hapura rrugët e transportit komercial detar dhe ka përdorur praninë e saj detare për të rritur sigurinë në rrugët ndërkombëtare të tregtisë, duke dërguar luftanijen HMS Richmond përmes Ngushticës së Tajvanit, një lëvizje që është kritikuar nga Kina, që e ka cilësuar si “një shfaqje të pakuptimtë të pranisë me qëllime tinëzare”.
Bashkimi Evropian muajin e kaluar prezantoi strategjinë e tij për të rritur raportet politike dhe të mbrojtjes në Indo-Paqësor, duke theksuar nevojën për dialogu me Kinën, por në të njëjtën kohë duke propozuar rritje të prezencës detare dhe bashkëpunim më të lartë të sigurisë me partnerët rajonalë.
Franca rregullisht dërgon anije të marinës në rajon dhe për momentin, Holanda dhe Gjermania kanë anije që po marrin pjesë në stërvitjet që po mbahen me SHBA-në dhe me shtete të tjera. Më shumë sesa rritja e pranisë ushtarake, gama e gjerë e forcave të përfshira që të kundërshtojnë pozicionin kinez, që po reagon ndaj veprimeve të njëanshme amerikane.
Në fjalimin e tij, Sekretari amerikan i Marinës, Del Toro tha se nuk ka “zëvendësim për përvojat e ndara me aleatët, duke punuar së bashku për të penguar armiqtë tanë”./ REL