Policia e Prizrenit ka arrestuar të enjten mjekun popullor Hysri Peqanin, të vetëquajturin Burdushi.
Lajmi për arrestimin e tij është konfirmuar edhe nga prokurori Petrit Kryeziu.
Policia sqaron se mjeku popullor është arrestuar, pasi dyshohet për veprat penale shmangie tatimi dhe mashtrim.
Gjatë kontrollit në banesë, atij i është gjetur armë dhe municion, gjithashtu i janë sekuestruar dëshmi të tjera materiale që vlejnë për hetime të mëtejshme.
Mësohet se Peqani, me urdhër të prokurorit të çështjes është ndaluar për 48 orë. Ditë më parë, Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj Peqanit për veprën penale të mashtrimit.
Prokuroria bën me dije se ai i kishte marrë një personi 2 mijë euro për shërim nga depresioni.
Mjeku popullor, i njohur si Burdushi, gjatë një interviste në emisionin televiziv ‘Frontal” në T7 është shprehur se ka materiale të cilat po të publikoheshin do të ndodhte “tërmet”.