Një 27-vjeçar që përndoqi për disa muaj një shtetase dhe mbante municion luftarak në banesë është vënë në pranga nga policia.
Në një njoftim për mediat policia bën me dije se nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Cross road”, të ndjekur me metoda speciale të hetimit.
Në kuadër të tij u bë ndalimi i shtetasit A. C., 27 vjeç, banues në Shijak, Durrës.
27-vjeçari dyshohet se ka përndjekur një shtetase, për disa muaj. Gjatë kontrollit në banesën e tij, në Shijak, shërbimet e Policisë gjetën një sasi municioni luftarak, të cilin e sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.