Policia italiane ka shkatërruar një rrjet shqiptar të trafikut të drogës, që vepronte në qytetin e Savonës. Në total u lëshuan 12 urdhër-arreste nga autoritetet e vendit fqinj. Në pranga ranë 4 persona, 3 në Savona dhe 1 në Pavia, ndërsa 8 të tjerët mbeten në arrati dhe dyshohet se janë larguar drejt Anglisë, Zvicrës apo mund të jenë kthyer në Shqipëri.
Shqiptarët akuzohen për trafik heroine, kokaine dhe marijuane. Sipas hetuesve italianë droga vinte nga Shqipëria, më pas shpërndahej në rrethinat e Savonës, në veri të Italisë.
Në krye të bandës mësohet se ishin tre shqiptarë, nga 27 në 30 vjeç, ndërsa rrjeti ishte i mirëorganizuar, me persona pa precedentë penalë që transportonin drogën me makina të ndryshme për t’iu shmangur policisë.
Operacioni policor u quajt “Kushëri”, pasi kokat e bandës ishin të afërm me origjinë nga Tropoja. Hetimet rreth këtij grupi kriminal kishin nisur në mars të vitit 2013./Klan