Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar lidhur me arrestimin e protestuesve ditën e sotme tek Unaza e Re. Sipas tij këto veprime dëmtojnë rëndë vlerat evropiane dhe do të ndikojnë në vendimin e Brukselit lidhur me negociatat për anëtarësim.
“Kjo është javë vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë, kur do të vendoset nëse do të shkojmë përpara drejt Europës apo do të mbetemi ngecur në marshin indietro. Regjimi i Ramës vendosi ta tregojë sa i përkushtuar është ndaj vlerave Europiane të lirisë së shprehjes dhe sundimit të ligjit, duke arrestuar dhunshëm protestues paqësorë. Nëse lajmet nga Brukseli janë negative, askush mos ta vërë në dyshim, ngjarje si kjo e sotmja janë shkaku. Por ne nuk do ti lejojmë të na mbyllin gojën e të na mbajnë peng, beteja do të vazhdojë pareshtur drejt destinit tonë: Shqipërisë së zhvilluar, të lirë dhe Europiane!” shkruan Basha.
Më herët policia ndaloi shtatë protestues dhe ish-deputetin Klevis Balliu pas protestës së banorëve tek Unaza e Re. Ata ende mbahen në ambientet e drejtorisë së policisë. Ndërkohë në një reagim pas këtyre ngjarjeve ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se PD po keqpërdor qytetarët dhe se policia nuk do të tolerojë asnjë që të marrë peng qytetin. /Opinion.al