Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla e ka cilësuar një shembull të funksionimit të institucioneve të reja të reformës në drejtësi, rastin e arrestimit të gjyqtares Enkelejda Hoxha.
Gjatë një interviste në Neës 24, Balla përmendi edhe rastin e mjekut, ndërsa tha se çdo goditje tjetër do të rrisë kredibilitetin e reformës në drejtësi.
“Rasti i gjyqtares është rasti më kuptimplotë i funksionimit të institucioneve të reja të reformës në drejtësi. Puna e SPAK kulmoi me një dosje me 13 të arrestuar. Edhe rasti i mjekut si i përfshirë në përgjimet e këtij hetimi. Ky është një mesazh për të gjithë ata që kanë pasur dyshime se reforma në drejtësi nuk po prodhonte institucionet e duhura. Ka pasur dhe një mesazh për të gjithë ata që mendojnë se ja kanë hedhur reformës në drejtësi. Sot jemi në kushtet që drejtësia e re po fiton besimin e qytetarëve. Jam shumë i sigurt se cdo goditje tjetër, do të rrisë kredibilitetin e reformës në drejtësi. Përgëzoj publikisht dhe nxis sa më shumë rezultate të tilla të këtyre paudhësive”, tha Balla.
I pyetur nëse një ditë SPAK do të godasë edhe politikanët, Taulant Balla u përgjigj se edhe Shqipëria do të ketë një regjistër të vetin të personavetë nivelit të lartë, që do të jenë subjekt i goditjes së drejtësisë së re.
“Ne kemi sot pas hekurave ata që konsideroheshin të paprekshëm. Fakt që këta po goditen nuk më bën të kem asnjë lloj dyshimi që goditjet do të vazhdojnë. Jemi në proces. Edhe Shqipëria do të ketë një regjistër të vetin të personave të nivelit të lartë, qofshin në drejtësi apo politikë, që do të jenë subjekt i goditjes së fortë të drejtësisë së re. Kjo drejtësi e re është e pavarur dhe si e tillë nuk pyet se je politikan, biznesmen, punonjës i institucioneve të drejtësisë, se je me apo pa lekë”./Opinion.al