Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, kryeministri Rama ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat. Ai tha se nesër do të bëhet prezantimi i kandidatëve në qarqe dhe menjëherë do të nisë fushata.
“Sot kemi pasur mbledhjen e kryesisë së PS-së për të miratuar kandidaturat për 61 bashkitë dhe për të diskutuar për formësimin e listave për këshilltat bashkiakë. Nesër të gjithë të deleguarit sipas qarqeve do të jenë në qarqet përkatëse për të shpallur kandidaturat e miratuara në prani të grupeve drejtuese të fushatave elektorale dhe më pas fillojmë fushatën”, tha Rama.
I pyetur për bashkinë e Peqinit, për të cilën nuk ka ende një emër kandidati, Rama tha se është çështje teknike.
“Kemi vendosur për të gjitha bashkitë, janë disa detaje të fundit që janë çështje qarqesh, të deleguarit kanë mandatin”, u shpreh kryeministri.
I habitur që gazetarët nuk kishin më pyetje për t’i bërë, kryeministri duke qeshur ka thënë se janë bërë shumë të mirë dhe se ai do të sillej mirë me ta.
“Jeni bërë shumë të mirë, do bëhem edhe unë i mirë me ju”, tha Rama. Kujtojmë se shpesh herë kontaktet e Ramës me gazetarët e terrenit kanë qenë të acaruara, duke shkuar deri në ofendime dhe sulme verbale. Duket se afrimi i fushatës elektorale, ka bërë “të reflektojë” edhe kryeministrin Rama.
Sot pas mbledhjes së kryesisë, Kryeministri Edi Rama ka qëndruar për rreth një orë më shumë në zyrën e tij së bashku me Taulant Ballën dhe Gramoz Ruçin./Opinion.al