Ish-kryeministri Sali Berisha shpalli nisjen e protestave kundër institucioneve që sipas tij janë shndërruar në armë të diktaturës, pas përfundimit të tubimit para Gjykatës së Lartë.
Ai u shpreh i bindur se mosbindja civile do të vazhdojë për shumë gjatë.
Protesta e sotme nisi rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm jashtë ambienteve të Gjykatës së Lartë ku po mbahet seanca për vulën e PD-së, ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta duke u mbyllur me shpërndarjen e protestuesve, të cilët destinacion të fundit kishin selinë e PD-së.
Ish-kryeministri akuzoi kryeministrin Rama se po përpiqet të zhdukë PD-në, teksa premtoi se protestat do të zgjerohen shumë shpejt në çdo skaj të Shqipërisë.
“Sot, në betejën pa kthim kundër diktaturës çelëm një faqe të re. Sot ne nisëm protestën kundër institucioneve të shndërruara në armë të diktaturës. Kjo është protesta e parë në historinë para Gjykatës së Lartë, e cila ka shënuar një tradhti të lartë kundër Kushtetutës, shënon fillimin e betejave tona. Sot protesta në partinë e krimit shënon fillimin e betejës sonë kundër kësaj partie, e cila e udhëhequr nga Rama është përgjegjëse për dramën e madhe. Rama kërkon të zhdukë PD-në, por ne do të qëndrojmë, protestat tona do të përhapen në të gjithë vendin. Do përqendrohen para institucioneve të krimit, në çdo skaj të vendit për të mbrojtur liritë tona”,-tha Berisha.