Një operacion policor është zhvilluar ditën e sotme me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të lëndëve narkotike.
Policia bën me dije se pas një hetimi 3-mujor janë vënë në pranga: U.M., 33 vjeç, banues në Halil, Fushë-Krujë, E.B., 24 vjeç; M.B.,29 vjeç; B.S., 28 vjeç; E.S., 28 vjeç, të gjithë banues në Bulqizë.
Këta persona akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kultivuar bimë narkotike në vendin e quajtur ‘Golomeran’, në njësinë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë.
Gjatë operacionit policia i ka gjetur 33-vjeçarit nga Fushë-Kruja një armë zjarri automatik me 28 fishek që i posedonte pa leje. Gjithashtu është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 2.6 kilogram kanabis në proces tharjeje.
Pesë personat e arrestuar akuzohen për veprat penale “Prodhim e shitje narkotikësh”, kryer në bashkëpunim, “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtje pa leje “ , “Moskallzim Krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.