Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu është takuar me zv/ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, z.Demian Smith.
Zv/ambasadori Smith shoqërohej nga znj. Karen Riley, shefe e Zyrës Rajonale të Sigurimit të Shërbimit Diplomatik në Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe Argron Zotria, nga zyra e sigurimit të Ambasadës.
“Veliu i uroi zv/ambasadorit, suksese në detyrë dhe e siguroi atë se bashkëpunimi mjaft i shkëlqyer i deritanishëm mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe Ambasadës Amerikane në Tiranë do vijojë të forcohet akoma më tej në interes të sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Sipas deklaratës zyrtare, Veliu njohu Demian Smith, me rezultatet e arritura së fundmi nga strukturat e Policisë së Shtetit në drejtim të parandalimit dhe goditjes së kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të drogave të forta, si dhe me operacionet e përbashkëta me partnerët dhe me agjencitë ligjzbatuese amerikane, për të goditur e çmontuar grupet kriminale që veprojnë në fushën e krimit të organizuar dhe terrorizmit./Opinion.al