Arbër Çekaj ka reaguar në seancën e radhës në Apelin e Posaçëm, një ditë pas arrestimit të babait të tij, Selim Çekaj.
Arbër Çekaj është shprehur se babai i tij është 72-vjeç, një profesor i nderuar. Më tej ai ka thënë se ndaj familjes së tij po vepron një klan i caktuar që kërkon t’i përfshijë ata në trafikun e kokainës.
“Po masakrohet gjithë familja ime. Babai im është 72 vjeç, profesor i nderuar. Arrestuat babanë e kulakut! Edhe brenda familjes nuk po na trajtojnë njëlloj. Mua ma çuan kontejnerin në magazinë në Maminas, ndërsa babait e hapën në port. Kjo tregon që është një klan i caktuar që kërkoj të përfshijë familjen tonë në trafik”, është shprehur Arbër Çekaj.
Ditën e djeshme policia sekuestroi në një kontejner me banane në Portin e Durrësit 49 kg kokaine, e cila vinte nga Ekuadori me destinacion Maminasin, për llogari të një firme, administrator i të cilës është Selim Çekaj.
Ndërsa 3 vite më parë u arrestua Arbër Çekaj, i biri i Selim Çekaj pasi në firmën e tij zbarkoi një konteiner me banane nga Kolumbia, që kishte brenda 613 kg kokainë./Opinion.al