Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të prishë një vendim të shkallës së parë dhe të urdhërojë SPAK të hetojë një kallëzim të bërë ndaj kryebashkiakes së Lushnjës, Eriselda Sefa.
“Ndryshimin e vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar ankimin e ankuesit A.H. dhe duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të regjistrojë procedimin penal dhe të kryeje hetime”, thuhej në dispozitivin e vendimit të shpallur nga gjyqtarja Miliana Muça.
Kallëzimi i qytetarit A. H. ishte pushuar nga SPAK, vendim që u konfirmua edhe nga Gjykata e Posaçme. Pas ankimit në Shkallën e Dytë, Apeli vendosi t’u hapë dritë jeshile hetimit të SPAK. Në kallëzimin e depozituar në Strukturën e Posaçme, kallëzuesi pretendon shkelje të ligjit nga kryebashkiakja Sefa në një procedurë të dhënies me qira të një pasurie publike.