Qeveria shqiptare ka prishur kontratën koncensionare me kompaninë që kishte fituar ndërtimin e 6 HEC-ve në lumin e Shallës në Theth. Ky është lajm i mirë për banorët e zonës që e kundërshtuan me forcë shkatërrimin e natyrës si dhe për turistët e shumtë të alpeve.
Por nuk ndodh e njëjta që me një tjetër perlë të natyrës, Valbonën në Tropojë. Atje ka nisur puna për ndërtimin e HEC-ve edhe pse sensibilizimi ka qenë më i madh. Kundër HEC-ve në Valbonë janë bërë disa protesta dhe një e tillë është lajmëruar edhe të shtunën e kësaj jave.
Përsai i përket Thethit, mësohet se Ministria e Energjetikës i ka dërguar koncesionarit një letër me arsyet e prishjes së njëanshme të marrëveshjes. Këto shkelje kanë të bëjnë me mungesën e raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, skemës së shfrytëzimit hidroenergjetik, raportet hidroenergjetike dhe hidroteknike, si dhe ato të planit të biznesit.
Burime të sigurta nga Ministria e Energjetikës thanë për Opinion.al se “leja është anuluar pas një auditi ku u gjetën shkelje. Koncensionari nuk ka reaguar për të plotësuar dokumentet që i mungonin në kontratë”.
Pra, prishja e kontratës, thonë burimet, nuk bëhet për mjedisin as për faktin se është zonë e mbrojtur, duke lënë të kuptohet se nuk do të veprohet njësoj për Valbonën. /Opinion.al