Anita Haradinaj – bashkëshortja e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë ditë më parë në Samitin Global të Grave.
Zonja Haradinaj ka përfaqësuar gratë nga Kosova në këtë samit që është mbajtur në Tiranë, transmeton Klan Kosova.
Ajo aty ka folur për gratë kosovare, por që ka shpalosur edhe historinë e saj, që nga fëmijëria, profesioni i saj prej gazetareje, takimi me Ramush Haradinajn, familjen e tyre dhe sfidën e saj më të madhe, aktakuzat e ngritura ndaj bashkëshortit.
Haradinaj aty ka pohuar ndër të tjera se nuk flet shumë për të drejtat dhe fuqizimin e grave, pasi për të, të qenit grua nënkupton fuqinë.
Ky është fjalimi i saj i plotë:
“Të nderuara gra dhe të dashura mike,
Rrëfimi im sot nuk do të ishte i plotë pa kontributin shumë të respektuar të nënave, shoqeve dhe shembujve; andaj para se ta ndaj atë me ju, nga thellësia e zemrës, dua t’ua shpreh mirënjohjen time të thellë të gjitha këtyre grave.
Janë ato që sakrifikuan, frymëzuan dhe që na mësuan të jemi ato qe jemi sot. Janë ato që ridefinuan se çfarë do të thotë të jesh grua në shekullin 21. Jam përjetësisht falënderuese.
Shpesh e kam mundësinë që t’i analizoj të gjitha ato diskutime stereotipie për t’i bërë gratë “më të forta.” Por, unë aspak nuk pajtohem me to. Ne tashmë jemi të fuqishme! Çfarë na duhet në këtë moment është të ndryshojmë perceptimin që e ka bota për fuqinë tonë. Për dhënien e secilës grimcë të energjisë tonë në fuqizimin e njëra-tjetrës, dhe për t’i treguar pjesës tjetër të botës që jemi të forta.
Në retrospektivë, jeta ime ngritë shumë pyetje të cilat unë ja bëj vetes çdo ditë: Anita, ku e ke gjetur forcën për t’u përballur me të gjitha gjërat që jeta pa të drejtë t’i servoi? Përgjigja është e thjeshtë: të përballesh me ankthet më të thella është proces i natyrshëm… pjesë e të qenit. Andaj, përmbajtja e rrëfimit tim është e ndarë në tri fusha të ndryshme: Mbijetesa, Rezistenca dhe Përparimi.
Unë jam Anita Haradinaj – gazetare që e kam trashëguar profesionin nga babai i cili e ka kaluar pothuaj një gjysmë shekulli në televizionin publik të Kosovës. Si babi edhe e bija, edhe unë kam qenë pjesë e RTK-së që gati dy dekada dhe përfaqësoj gjeneratën e dytë me qëndrimin më të gjatë në këtë institucion.
Si e re, personaliteti im është formësuar mes Prishtinës dhe Tiranës. Këtë Tiranë, dashurisë time të vjetër, jam moralisht e obliguar ta falënderoj për ruajtjen e gjithë atyre kujtimeve të adoleshencës me ty. Ato janë të shpërndara gjithandej nëpër qoshet e këtij qyteti. Më ke mësuar kush jam; ndërkohë qe Prishtina më ka mësuar të dua.
Të qenit nënë e tre fëmijëve të adhurueshëm, e mbaj këtë “titull” me dinjitet dhe nderë. Të quhesh nënë është maja e Olimpit në hierarkinë e të gjithë titujve. Nuk ka epitet në jetën time që e kam mbajtur me më shumë krenari. Prej të qenit nënë kurrë nuk pensionohesh; as nuk mund të dorëhiqesh nga përgjegjësia e të shprehurit dashurinë më të sinqertë që natyra njerëzore ndonjëherë e ka parë. Andaj, unë zakonisht nuk flas për të drejtat e grave apo fuqizimin, sepse për mua, të qenit gruan nënkupton FUQINË.
Në këtë pjesë të Ballkanit, paragjykimet janë thellë të rrënjosura në strukturën tonë shoqërore; andaj gratë rriten kryesisht sipas modeleve konservative që i inkurajojnë ato t’iu konformohen normave shoqërore tashmë të etabluara. Të qenit “ndryshe” mund të rezultojë me disa mendime kundërthënëse. Megjithatë, kurrë mos u frikëso të jesh ndryshe. Gjithmonë lufto ta gjesh rrugën tënde për t’u bërë kush je. Si grua, i kuptoj implikimet që një deklaratë e tillë mund t’i shkaktojë. Jo secila prej nesh e ka mundësinë të jetë e pavarur nga familja për të përmbushur nevojën bazike për shkollim dhe mirëqenie. Megjithatë, edhe pse mentaliteti është faktor i madh përcaktues për të krijuar kush je; ju gratë duhet të kuptoni rëndësinë për t’u bërë ajo që doni të jeni. Një person i pavarur, mbi të gjitha, është rezultat i botëkuptimit emocional, kritik dhe racional të asaj që na rrethon. Kështu që, njëri nga mësimet më të vlefshme të jetës time është të kuptosh se duhet t’a lejosh mendjen të ndihet e lirë. Duhet të luftosh të mos jesh shënjestër e paragjykimit dhe të tejkalosh pengesat mentale që vihen nga shoqëria. Ju gra jeni të fuqishme! Bashkërisht jemi edhe më të fuqishme.
Para se të elaboroj përvojën time, më duhet që shkurtimisht të sqaroj që ftesa për këtë samit një është e lidhur ngushtë me luftën time për të drejtat e grave apo me rrëfimet e emancipimit përreth globit; por ka të bëj më parë me rezistencën emocionale të një gruaje që mund t’iu inkurajoj secilën prej jush të jeni kush dëshironi të jeni. Mbi të gjitha, fjalimi im këtu lidhet me një histori komplekse të një shteti që ende po i bënë hapat e parë të zhvillimit. Si rezultat, për t’u bërë ajo që jam sot, unë nuk kisha zgjidhje tjetër pos t’i tejkaloj kufizimet e mia.
Mbijetesa:
Si fëmijë i viteve të 80-ta, i takoj një gjenerate që ka jetuar përgjatë një periudhe shumë të brishtë dhe të tensionuar. Deri në mesin e vitit 1998, qëllimi kryesor i njerëzve të Kosovës ka qenë mbijetesa prej regjimit të dhunshëm jugosllav. Gjatë kësaj kohe, prindërit tanë kishin humbur punët e tyre dhe po bënin përpjekje për të krijuar çfarëdo mundësish që ne të ndihesh të sigurt. Për ne, lindja e vëllait në vitin 1995 shkaktoi tensionim serioz në familje sepse ishim të paaftë ta rrisnim atë me të mirat që i dëshironim. I mbaj mend ditët kur nuk kishim qumësht apo ushqimet që i donte ai për ta ushqyer. Për më tepër, situata doli nga kontrolli me vendimin e regjimit jugosllav për ta mbyllur shkollën tonë dhe të “bllokojë” atë që mund të ishte drita në fund të tunelit – shkollimin. Megjithatë, duke e ditur rëndësinë e dijes, ne nuk u dorëzuam kurrë. Kemi mësuar në bodrume dhe shtëpi private të profesorëve që rrezikuan jetën për të na mësuar. Demonstruam, rezistuam dhe mbijetuam – ishte çështje instinkti, por ishte shumë e fuqishme. Kjo situatë më së miri përshkruhet me fjalët e aktivistit të madh afrikan Desmond Tutu: “Nëse je neutral në situata të padrejtësisë, e ke zgjedhur anën e shtypësit.” Andaj, që nga mosha shumë e re, jam mësuar ta ngris zërin dhe të revoltoj kundër çfarëdo lloj shtypjeje. Kështu mësova se jeta është betejë për mbijetesë…
Rezistenca
Për më tepër, me fillimin e rezistencës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj regjimit, gati 1 milion kosovarë u dëbuan nga regjimi i dhunshëm. Gjatë kësaj periudhe, unë dhe familja ime u zhvendosëm në Tiranë. Njerëzit zemërmirë të Shqipërisë i hapën dyert e tyre për t’i mirëpritur njerëzit e frustruar dhe emocionalisht të dërmuar të Kosovës që po e braktisnin vendin e tyre të frikësuar për të ardhmen e familjeve dhe pronës së tyre. Pasojat e luftës ishin shkatërruese: mijëra njerëz të zhdukur, gati 20,000 gra, fëmijë, njerëz të luftës të abuzuar, dhe ëndrrat e iluzionet që thyheshin ngadalë nga regjimi famëkeq i Millosheviqit. Por, meqë gjithmonë ekziston një baraspeshë utopike mes të keqes dhe të mirës, intervenimi i NATO-s ridefinoi statusin tonë, shpresën, ëndrrat dhe të ardhmen. Shpresa u ngjall përsëri! Menjëherë pas intervenimit, familja ime vendosi të kthehej në Kosovë për ta rifilluar jetën.
Pas arritjeve të sukseseve të shumta profesionale dhe derisa po bëja përpjekje të përmbush ëndrrat e mia si gazetare në televizionin publik të Kosovës, ndodhi të takoja një komandant, Ramush Haradinajn, një njeri sharmant dhe karizmatik. Ai ishte përgjegjës për rajonin e Dukagjinit; një zonë e shkatërruar nga lufta që kishte përjetuar shkatërrim të vazhdueshëm nga regjimi jugosllav; por rezistenca ka qenë e fuqishme nga njeriu i cili që nga ajo kohë më ka shoqëruar duke u bërë bashkëshorti im. a very charming and charismatic man. Martesa jonë i ka pasur fazat shumë të vështira, jo për shkak të mungesës së dashurisë, por për shkak të thyerjes tonë emocionale sa herë qe dikush ka provuar të na ndajë. Me të, jo gjithmonë përkrahësh, por gjithmonë në mendjen time, e fillova një periudhë rezistence dhe durimi që rezultoi me një përfundim nga filma e Disneyt: sot jetojmë të lumtur së bashku me tre fëmijët tanë.
Por, rruga drejt kësaj lumturie që e përjetoj sot është e mbështjellur me momente të dëshpërimit, frikës, urrejtjes, dashurisë, durimit, kurajës, dhe më së shumti, dashurisë. Për ta arritur këtë stad, gjithmonë e kam marrë si shembull vjehrrën time, nënën e Ramushit. Ajo më ka mësuar që forca e njerëzve e ka burimin në dhembshuri dhe dashuri. Herën e parë kur e kam takuar, ata sy rezononin dhembje, dhe ato rrudha dëftuan rrëfime që rrallëherë mund t’i dëgjosh nga një njeri i zakonshëm. Por, ajo nuk ishte e zakonshme… ajo ishte shumë e veçantë. Me gjithë rrëfimet e tmerrshme për nënën e masakruar dhe vdekjen e dy djemve gjatë luftës, ajo ende gjente pozitivitetin brenda vetes për të gjeneruar dashuri dhe admirim për njerëzit. Ajo ishte një frymëzim që ecë që mund të tejkalonte gjërat e vështira vetëm për shkak se kishte aq shumë dashuri në zemrën e saj. E tëra që kishte kërkuar ishte që Ramushi dhe unë të kishim një martesë të lumtur.
Me tërë këto gjëra në mendje, jeta ime mori një kthesë të madhe kur unë u bëra gruaja e Kryeministrit të Kosovës. Fëmija im i parë, Gjini, ishte vetëm 6 muajsh kur Ramushi mori mandatin; megjithatë gjërat e këqija më ndodhnin në jetën time gjatë kësaj periudhe shpeshtoheshin. Tre muaj pasi ishte zgjedhur kryeministër, Ramushi mori një aktakuzë që e akuzonte atë për krime lufte pran Tribunalit jugosllav për krime lufte në Hagë. Me personalitetin e tij të fortë dhe syrin e patrembur, Ramushi më tha ta merrja sikur po shkonte për një fundjavë në Holandë. Me dorëheqjen e tij të menjëhershme nga detyra, ai iu dorëzua ligjit ndërkombëtar dhe dëshmoi se do të përballej me këtë proces gjyqësor me kujdes, dinjitet dhe durim. Ditën kur arritëm në Rotterdam, e pashë bashkëshortin tim të më rrëshqiste nga duart derisa e merrte policia. Bashkëshorti im shkoi, kryeministri i Kosovës po dërgohej në burg. Ai ishte luftëtari ynë i lirisë; njeriu që na e ktheu shpresën.
Gjatë kësaj periudhe 10 vjeçare që bashkëshorti im shkonte e vinte në shtëpi për shkak të përgjegjësisë dhe kufizimeve ligjore, neve na lindën edhe dy fëmijë. U mundova të jem nënë dhe baba për ta. Shpenzova aq shumë energji për t’i rritur në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhimbjes që po e përjetoja gjatë kësaj periudhe iu shtua, vetëm disa ditë pasi që Ramushi ishte shpallur i pafajshëm, engjëlli im, nëna ime, e cila humbi betejën me kancerin. Ajo nuk ishte vetëm idhulli im, por edhe personi që më drejtoi, këshilloi dhe fuqizoi në ditët e më të vështira të jetës time. Urtësia e saj vazhdon të mbes me mua.
Përparimi
Për ta përmbyllur këtë përvojë time shumëdimensionale, unë isha dëshmitare e një thyerje emocionale pas arrestimit të bashkëshortit tim herën e tretë me radhë. Kësaj here në Francë, e arrestuan për të njëjtat arsye që e kishin dërguar në Hagë ku e kishin gjetur të pafajshëm; andaj, vetëm në atë moment e kuptova plotësisht që Ramushi dhe unë jo vetëm që i takojmë njëri tjetrit, por edhe njerëzve të këtij vendi. Rrëfimi im i takon secilës grua që ka përjetuar një rezistencë kaq fatkeqe e të dhimbshme. Ky rrëfim u takon të gjitha atyre grave që nuk u është dëgjuar zëri; grave që i kanë rritur fëmijët e tyre në kohë lufte; grave që kurrë nuk e panë drejtësinë që e meritojnë. Të gjitha atyre që sot janë suksesi i gjeneratës së prindërve të tyre që kanë punuar dhe hequr shumë: Majlindës, Ritës dhe Duas, të cilat shtruan rrugën përpara për tjerat që vijnë pas tyre.
Në fund, e përmbylli këtë fjalim sot me mesazhin për nevojën për përparim. Gjatë maturitetit tonë si individ e kam kuptuar që feminizmi nuk përfaqëson lëvizje politike apo ideologji, por nevojën për t’i zbatuar të drejtat e barabarta në kornizë ligjore dhe diskurs publik. Si rezultat, investimi ynë fillestar kryesor duhet të jetë ekonomia. Vetëm 8 përqind të grave kosovare janë pronare biznesesh, dhe vetëm 2% kanë kredi bankare. Ky është shembull se situata duhet ndryshuar; andaj ne nuk mund të jemi të heshtura dhe duhet të vazhdojmë ta përkujtojmë secilin për betejat dhe kontributin e grave para nesh.
Duhet të përparojmë drejt ndërtimit të një të ardhme më të mirë.
Ju falënderoj për vëmendje.”