Në ditën e dytë të qëndrimit në Portin e Durrësit, anija ikonike italiane “Amerigo Vespucci” hapi dyert për vizitorët, duke u kthyer menjëherë në një atraksion për qytetarët dhe turistët.
Me pamjen e saj mbresëlënëse dhe historinë e gjatë detare, ajo tërhoqi vëmendjen e qindra njerëzve që donin ta vizitonin nga afër.
“Anija është e bukur. Një shembull i mirë i ndërtimit italian. Ne jemi rezidentë këtu në Durrës prej pak kohësh. E dinim që do të vinte këtu sepse po bënte xhiron nëpër botë”, u shpreh një turist italian.
“Unë jam italiane dhe doja ta shikoja. E kam parë dhe në Itali, por ta shohësh jashtë shtetit është një ndjesi tjetër. Megjithatë është gjithmonë emocionuese. Është e bukur sepse e gjitha është prej druri dhe ekuipazhi është fantastik. Janë njerëz të sjellshëm dhe mbi të gjitha të përgatitur”, tha një tjetër turiste nga Italia.
“Është vërtet tërheqëse. Të duket sikur je në det të hapur. Është një eksperiencë e bukur dhe këshilloj të gjithë që kanë mundësi ta shikojnë nga afër. Unë erdha këtu rastësisht dhe më pas mësova që këtu është anija Amerigo Vespucci. Nuk e kam parë në Itali, por pata mundësinë ta shikoj këtu. Anija është e veçantë me të gjithë detajet”, u shpreh një turist tjetër nga i njëjti vend.
Gjatë qëndrimit të saj, vizitorët patën mundësinë të ngjiteshin në bord dhe të eksploronin nga afër. Pamjet nga brenda, pajisjet detare dhe historia që mbart kjo anije që nga viti 1931, krijuan një përvojë unike për të gjithë të pranishmit.
“Shumë e bukur, edhe sepse kam jetuar në Itali dhe e di historinë e kësaj anije”, u shpreh një qytetar.
“Shumë e bukur, ngaqë është antike dhe e vjetër”, shtoi një tjetër qytetar.
Simbol i marinës italiane dhe ambasadore e kulturës detare, “Amerigo Vespucci” ndaloi në Durrës në kuadër të një turi ndërkombëtar. Ndërsa pritet të largohet nga porti mëngjesin e së premtes.
Klan News