“Histeria e Shtëpisë së Bardhë i thotë të gjitha. Anglo-amerikanët duan një luftë”. Kështu u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, duke komentuar deklaratat e këshilltarit amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, i cili foli për mundësinë e një sulmi të afërt nga Rusia ndaj Ukrainës.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe presidenti amerikan, Joe Biden, do të kenë sot një bisedë telefonike me një iniciativë amerikane. Ndërkohë, CIA ka frikë nga një sulm rus për javën e ardhshme.
Qeveria e Ukrainës u ka kërkuar qytetarëve të saj të qëndrojnë të qetë dhe të shmangin panikun. “Për momentin është thelbësore të qëndrojmë të qetë, të bashkuar brenda vendit, për të shmangur veprimet destabilizuese që krijojnë panik”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë reduktuar stafin diplomatik në Kiev. “Duke pasur frikë nga provokimet e mundshme nga regjimi i Kievit apo nga vendet e treta, ne kemi vendosur të optimizojmë stafin diplomatik rus të pranishëm në Ukrainë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Moskës.
Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar pothuajse të gjithë stafin e ambasadës në Ukrainë të largohen menjëherë nga vendi. Nga nesër të gjitha shërbimet konsullore në Kiev do të pezullohen. Vetëm një kontigjent i vogël diplomatik do të mbetet për të “administruar emergjencat”.
Marina ruse ka nisur stërvitjet në shkallë të gjerë në Detin e Zi duke lëvizur 30 anije nga Sevastopol dhe Novorossiysk. Kjo u njoftua nga Ministria e Mbrojtjes e Moskës, duke nënvizuar se qëllimi “është mbrojtja e bregdetit të gadishullit të Krimesë, bazat e Detit të Zi dhe sektori ekonomik i vendit nga kërcënimet e mundshme ushtarake”. Gjermania ka ftuar gjithashtu bashkatdhetarët e saj të largohen nga Ukraina.
Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio ka thirrur një takim koordinues në Njësinë e Krizave Farnesina për zhvillimet mbi situatën./Opinion.al