Liderët e NATO-s, të mbledhur në Uashington për një samit historik, janë zotuar se do ta rrisin mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, derisa Shtetet e Bashkuara thonë se avionët luftarakë F-16 janë rrugës për në Kiev.
Ndërkohë, në draftin e komunikatës së samitit, e cila është duke u përgatitur, thuhet se rruga e Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO është “e pakthyeshme”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se “derisa ne po flasim, dërgimi i avionëve F-16 ka filluar nga Danimarka, nga Holanda”.
Kjo u konfirmua edhe nga një deklaratë e përbashkët e këtyre dy vendeve, ndërsa avionët luftarakë pritet të mbërrijnë gjatë kësaj vere.
“Kjo është shenjë e qartë se aftësitë e Rusisë për t’i tmerruar popullin, qytetet dhe komunitetet ukrainase do të vazhdojnë të zbehen”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.