Përgjimi ambiental i dy shpërndarësve të lëndëve narkotike, ka çuar në ndalimin e nënkomisarit të Sarandës Edmond Ruçi nga AMP, i cili akuzohet për veprat penale ‘Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion”.
Sipas informacioneve paraprake, pajisjet e përgjimit ishin vendosur me urdhër të Prokurorisë në dhomat e shoqërimit teksa 2 shpërndarësit e lëndëve narkotike ishin ndaluar dhe ndodheshin në komisariat.
Njoftimi i Prokurorisë Sarandë
Hetimet e Prokurorisë Sarandë për një çështje për ‘Prodhimin e shitjen e narkotikëve’ çojnë në ndalimin e oficerit të policisë, i dyshuar për përfshirje në korrupsion pasiv
Një oficer i policisë gjyqësore në Sarandë, shtetasi E.R., është ndaluar me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, i dyshuar për veprën penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.
Ndalimi u krye në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.305, datë 19.05.2026, i regjistruar për veprën penale te “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve K.D. dhe A.Z., pasi në automjetin e drejtuar nga shtetasi A.Z., u gjetën dhe sekuestruan 24 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Këta shtetas u arrestuan në flagrancë dhe hetimet po vijojnë.
Gjatë hetimit të këtij rasti, lindën dyshime per përfshirje në veprimtari të kundraligjshme nga oficeri i policisë gjyqësore, që po hetonte rastin në fjalë, shtetasi E.R.
Për rrjedhojë, nga ana e prokurorit të gatshëm, u kryen veprime hetimore, nga ku rezultuan të dhëna për përfshirjen e oficerit që heton çështjen në vepime të dyshuara korruptive dhe ndaj tij u procedua me urdhër për ndalimin e të dyshuarit për një krim per veprën penale te “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” prashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.
Oficeri i policisë gjyqësore është ndaluar nga shërbimet e AMP dhe hetimet po vijojnë.

















