Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare ditën e sotme pjesë e diskutimit ka qenë dhe amnistia penale, për të cilën mazhoranca ka paralajmëruar miratimin e saj në fund të këtij viti.
Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferri hodhi dyshimet se kjo nismë po përdoret për qëllime elektorale.
“Duke qenë se në vitin që vjen është shpallur data e zgjedhjeve lokale a ka një studim lidhur me amnistinë apo është diçka që do bëhet në fund të vitit për qëllime elektorale? A ka ndonjë gjë të studiuar apo ka diçka që do shpërthejë para zgjedhjeve?”, tha Ferdinand Xhaferri i PD-së.
Ndërkohë, ministri Ulsi Manja tha se amnistia penale është traditë që nga viti 2013 dhe nuk ka lidhje me zgjedhjet.
“Lidhur me amnistinë penale dua të jem i qartë, se sa herë ka periudha zgjedhore e flitet për amnistri penale ka tendencë për t’i gërshetuar këto dy gjëra. Amnistia penale është traditë, niset nga parimet e humanizmit e qëllimeve që ka dënimi, është ushtruar herë pas herë amnistia, ka pasur që në 2013 e fundit është bërë në 2020, jemi në një proces të studimit e analizimit të gjithë faktorëve e indikatorëve që merr në konsideratë një amnisti penale e pse jo ministria e drejtësisë do propozojë por që s’ka lidhje me zgjedhjet se të paraburgosurit e ushtrojnë te drejten e votës dhe pa pasur amnisti. Të paraburgosurit dhe të dënuarit do votojnë. Sa e gjerë do jetë kjo amnisti nëse do ketë ndjekjen penale, gjykimin dhe ekzekutimin e vendimeve penale, pra të tre fazat, këtë po e studiojmë në ministri me Drejtorinë e Burgjeve”, tha Manaj./Opinion.al