Autoritetet amerikane kanë vendosur të rishikojnë të gjithë 55 milionë vizat e të huajve sa jetojnë në këtë vend me viza të vlefshme amerikane, shpjegoi një zyrtar i Departamentit të Shtetit të enjten (21 gusht).
Nëse ka ndonjë “tregues të papërshtatshmërisë”, Departamenti i Shtetit do të revokojë vizën e ndonjë personi të prekur, thuhet në deklaratë.
Kushtet për marrjen e vizave
Kjo mund të ndodhë nëse një person ka tejkaluar kohën e qëndrimit të lejuar në Amerikë, nëse personi është përfshirë në ndonjë kriminal, nëse paraqet kërcënim për sigurinë publike dhe nëse një person është përfshirë në ndonjë aktivitet terrorist ose mbështetje të ndonjë organizate terroriste.
Rishikimi do të marrë në konsideratë “të gjithë informacionin e disponueshëm”, duke përfshirë edhe deklaratat nga policia dhe autoritetet e imigracionit, si dhe “çdo informacione të tjera me rëndësi edhe pas lëshimit të vizës”, shtoi Departamenti i Shtetit.
Vizat studentore
Në veçanti vizat studentore do të rishikohen më intensivisht dhe me vëmendje, shtohet në deklaratë. Departamenti i Shtetit njoftoi të hënën e kaluar se kishte revokuar 6,000 viza studentore, prej ardhjes në pushtet të qeverisë së re në janar të vitit 2025.
Kjo do të thotë se numri i vizave studentore të revokuara është katërfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar 2024.
Ministri Marco Rubio kishte njoftuar më parë se do të ketë një kontroll të ashpër ndaj studentëve nga Kina. Do të kontrollohen rreptë edhe njerëzit që protestojnë kundër qeverisë izraelite dhe veprimeve të saj në Rripin e Gazës, duke i akuzuar ata për antisemitizëm.
Proceset gjyqësore
Por qeveria amerikane ka pasur pengesa në dy procese gjyqësore. Në qershor, një gjyqtar liroi nga akuzat studentin Mahmoud Khalil, i cili kishte organizuar protesta pro-palestineze. Ndërsa në maj, studentja turke Rümeysa Öztürk, e cila kishte shkruar një artikull kritik ndaj Izraelit për një gazetë studentore, u lirua përkohësisht.
Sekretari i Shtetit Rubio argumenton se qeveria amerikane mund të revokojë vizat pa asnjë shqyrtim gjyqësor. Ai tha se qytetarët jo-amerikanë nuk kanë të drejta sipas të drejtave kushtetuese të lirisë së shprehjes, sepse ata nuk janë shtetas të këtij vendi./DW