Kryesore

Amendamenti i plotë, si do të jetë KQZ-ja “e re”


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 13:18 - 08/06/20 |
Al Do

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve me ndryshimin e Kodit Zgjedhor nga Reforma në Drejtësi do të ketë një strukturë komplet të re.

Sipas amendamentit që pritet të miratohet në Kuvend, KQz do të ketë 3 organe drejtuese: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve; Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve do të drejtojë administratën e KQZ-së. Në amendament parashikohet që të ketë edhe një zëvendës komisioner. Të dy këta do të zgjidhet nga Kuvendi me 3/5 e votave (84). Sipas marrëveshjes së palëve, komisionari shtetëror do të propozohet nga mazhoranca ndërsa zv/komisionari nga opozita.

Komisioni Rregullator është organi kompetent për vendosjen e rregullave për zgjedhjet.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve  kompetent për shqyrtimin e ankimimeve dhe për vendosjen e sanksioneve .

Përbërja e Këshillit të Ankesave do të jetë e pavarur, me 5 anëtarë, nga të cilët 3 prej tyre do të propozohen nga mazhoranca dhe 2 nga opozita.

Amendamenti i Plotë i përbërjes së KQZ

KUVENDI I

REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Kreu I i pjesës së dytë, me nenet 12 deri 26 ndryshohet si vijon:

“Neni 12

Përbërja dhe funksionimi i KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucioni përgjegjës për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve dhe referendumeve, i cili drejton dhe mbikëqyr veprimtarinë e adminstratës zgjedhore, monitoron veprimtarinë e subjekteve zgjedhore, organeve dhe institucioneve shtetërore, si dhe të medias në raport me zgjedhjet, si dhe zgjidh në rrugë administrative kërkesat apo ankesat që kanë lidhje me procesin zgjedhor.

Organet drejtuese të KQZ-së janë:

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve;

Komisioni Rregullator; dhe

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (Komisioneri) është organ monokratik që ushtron kompetencat ekzekutive, drejton administratën e KQZ-së dhe përfaqëson KQZ-në në marrëdhëniet me të tretët.

Komisioni Rregullator (Rregullatori) është organi kompetent për miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet. Rregullatori funksionon me kohë të pjesshme dhe e ushtron veprimtarinë në mbledhje publike, të cilat thirren nga Komisioneri. Për pjesëmarrjen në mbledhje, anëtarët e Rregullatorit përfitojnë shpërblim në masën 50 për qind të pagës mujore të Komisionerit.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) është organ kompetent për shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje tëligjit zgjedhor. KAS-i funksionon me kohë të pjesshme dhe e ushtron veprimtarinë në seanca publike të shqyrtimit administrativ, të cilat thirren nga Komisioneri, me pjesëmarrjen e palëve të interesuara. Për veprimtarinë e tyre gjatë periudhës, e cila fillon 48 orë pas dekretimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore ose zgjedhjeve të pjesshme, deri në përfundim të shqyrtimit administrativ të ankimeve zgjedhore ose të kalimit të afateve të ankimit për zgjedhje, anëtarët e KAS-it përfitojnë shpërblim të barabartë me shumën e pesëpagave mujore të Komisionerit. Për veprimtarinë që zhvillojnë jashtë kësaj periudhe, anëtarët e KAS-it përfitojnë shpërblim në masën 50 për qind të pagës mujore të Komisionerit.

Anëtarët e Rregullatorit dhe të KAS-it nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht detyra të tjera brenda organeve, institucioneve apo enteve, pjesë e pushtetit ekzekutiv.

Veprimtaria e KQZ-së, organeve drejtuese dhe e administratës, udhëhiqet, sipas rastit, nga ky ligj dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, si dhe nga ligji Nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”.

Neni 13

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve

Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 7-vjeçar, të përtëritshëm, sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj.

Kanë të drejtën të kandidojnë ose të propozohen për komisioner, shtetasit shqiptarë që vijnë nga radhët e ish funksionarëve politikë apo të kabineteve, ish nëpunësve të nivelit të lartë drejtues, ose të ish drejtuesve të organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe të të drejtave të njeriut.

Përzgjedhja e Komisionerit bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në drejtim, të ligjëshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit. Dokumentat apo referencat provuese të kandidatit lidhur me suksesin dhe ligjëshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3 vjeçare veprimtarie.

Personi që kandidon ose që propozohet për komisioner nuk përfshihet në listën e kandidatëve që votohen, nëse në momentin e kandidimit ka qenë në ushtrim të detyrës si funksionar, nëpunës i nivelit të lartë drejtues, apo drejtues i organizatës jofitimprurëse, ose kur komisioni kompetent i Kuvendit krijon bindjen se marrëdhënien e tij të punës e ka ndërprerë për shkak të kandidimit ose propozimit për komisioner.

Personi që kandidon ose që propozohet për komisioner nuk përfshihet në listën e kandidatëve që votohen nga Kuvendi, nëse është anëtar aktiv i ndonjë partie politike, ose nëse ka interesa private, të dukshme ose të njohura, plotësimi i të cilave varet nga qeverisja në nivel qendror ose vendor.

Paga dhe privilegjet e Komisionerit janë të njëjta me pagën dhe privilegjet e kryetarit të Gjykatës së Lartë.

Neni 14

Nënkomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve

Nënkomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (nënkomisioneri) zgjidhet nga Kuvendi për një periudhë 7-vjeçare me detyrën për të monitoruar dhe mbikëqyrur implementimin e teknologjisë për identifikimin biometrik dhe rekrutimin dhe trainimin e zyrtarëve zgjedhorë.

Nënkomisioneri bashkushtron me të drejta të barabarta me komisionerin kompetencat për përzgjedhjen, monitorimin dhe zbatimin e teknologjisë për identifikimin biometrik të zgjedhësve.

Neni 15

Komisioni Rregullator

(Rregullatori)

Rregullatori përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët njeri ushtron detyrën e kryetarit. Kryetari dhe anëtarët e rregullatorit zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 5-vjeçar, sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj për Komisionerin.

Kandidati për kryetar ose anëtar i Rregullatorit duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret për të qenë Komisioner. Kriteri i eksperiencës së mëparshme të suksesshme në drejtim zëvendësohet për kandidatin për anëtar të Rregullatorit me kriterin e eksperiencës së mëparshme të suksesshme në hartimin, shqyrtimin ose oponencën e legjislacionit. Dokumentat apo referencat provuese të kandidatit lidhur me suksesin dhe ligjëshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3 vjeçare veprimtarie.

Mënyra e funksionimit të Rregullatorit dhe procedurat e shqyrtimit dhe miratimit të akteve  përcaktohet në rregulloren e mbledhjeve të Rregullatorit.

Neni 16

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve

(KAS)

KAS-i përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 9-vjeçar, sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj.

Kanë të drejtë të kandidojnë ose të propozohen për anëtar të KAS-it, shtetasit shqiptarë që vijnë nga rradhët e ish gjyqtarëve, ish anëtarëve të KQZ-së, ose të ish nëpunësve të nivelit të lartë drejtues.

Përzgjedhja e anëtarit të KAS-it bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në shqyrtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit. Dokumentat apo referencat provuese të kandidatit lidhur me suksesin dhe ligjëshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3 vjeçare veprimtarie.

Personi që kandidon ose që propozohet për anëtar të KAS-it nuk përfshihet në listën e kandidatëve që votohen, nëse në momentin e kandidimit ka qenë në ushtrim të funksioneve si gjyqtar, anëtar i KQZ-së ose nëpunës i nivelit të lartë drejtues, ose kur komisioni përgjegjës i Kuvendit krijon bindjen se marrëdhënien e tij të punës e ka ndërprerë për shkak të kandidimit ose propozimit për komisioner.

Personi që kandidon ose që propozohet për anëtar të KAS-it nuk përfshihet në listën e kandidatëve që votohen nga Kuvendi, nëse është anëtar aktiv i ndonjë partie politike, ose nëse ka interesa të dukshme ose të njohura, plotësimi i të cilave varet nga qeverisja në nivel qendror ose vendor.

Mënyra e funksionimit të KAS-it dhe procedurat e shqyrtimit të çështjeve përcaktohet në rregulloren e seancave të KAS-it.

Neni 17

Zgjedhja e Komisionerit, anëtarëve të Rregullatorit dhe të KAS-it

Komisioneri, anëtarët e Rregullatorit dhe anëtarët e KAS-it zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me jo më pak se tre të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Paraqitja e kandidaturave bëhet nëpërmjet vetofrimit ose propozimit nga grupet parlamentare ose deputetët e veçantë.

Për shqyrtimin dhe përzgjedhjen e kandidaturave, Kuvendi ngre komision të posaçëm parlamentar, me përfaqësim proporcional nga çdo grup parlamentar. Procedura e kandidimit dhe e përzgjedhjes së kandidaturave kryhet sipas dispozitave të rregullores së Kuvendit për zgjedhjen në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj, përveçse kur përcaktohet ndryshe në këtë dispozitë.

Komisioni i posaçëm parlamentar vlerëson me pikë kandidatët që plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara, sipas rastit, nënenin 13, nenin 14 ose nenin 15 të këtij ligji. Komisioni i paraqet Kuvendit për votim listën e kandidatëve, e cila përmban deri në 20 emrat e kandidatëve kalues, me vlerësimin më të lartë. Për secilën kandidaturë të listës shënohet propozuesi dhe organizatat apo partitë politike mbështetëse, nëse ka.

Në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Komisionerin, apo anëtarë të caktuar të Rregullatorit ose të KAS-it, me shumicën e kërkuar të votave sipas pikës të parë të këtij neni, atëherë administrata e Kuvendit hedh short midis të gjitha kandidaturave të paraqitura për votim Kuvendit për vendin përkatës. Fituesi i njoftohet Kuvendit dhe shpallet i zgjedhur në seance plenare nga Kryetari i Kuvendit.

Neni 18

Shkarkimi  i Komisionerit, anëtarëve të Rregullatorit dhe të KAS-it,

mbarimi para kohe i mandatit

Shkarkimi i Komisionerit, anëtarëve të Rregullatorit dhe të KAS-it bëhet vetëm për të njejtat shkaqe (kushte dhe kritere), për të cilat nuk do të lejohej zgjedhja e tyre në detyrën përkatëse. Shkaqet për shkarkim duhet të kenë ndodhur pas fillimit të detyrës dhe duhet të jenë vërtetuar nga organet shtetërore që kanë kompetencë vërtetimin e tyre.

Në procedurën e shkarkimit, komisioni përgjegjës i Kuvendit nuk mund të bëjë vërtetimin e shkaqeve, por vetëm administrimin e dokumentave zyrtare të formës së prerë që vërtetojnë ekzistencën e shkaqeve për shkarkim.

Procedura e shkarkimit kryhet sipas dispozitave të Rregullores së Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të organeve të krijuara me ligj, përveçse kur përcaktohet ndryshe në këtë nen.

Komisioneri, anëtarët e Rregullatorit dhe anëtarët e KAS-it shkarkohen, kur “pro” shkarkimit votojnë jo më pak se tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.”

Kur Komisioneri, apo anëtarët e Rregullatorit dhe të KAS-it shkarkohen ose kur vendi i tyre ngelet vakant për cfarëdo lloj motivi tjetër, anëtarët e rinj zgjidhen në detyrë me mandat të plotë.

Neni 19

Kompetencat e Komisionerit

1. Komisioneri ka këto kompetenca:

drejton institucionin dhe e përfaqëson atë në marrëdhëniet me të tretët;

drejton dhe mbikëqyr, drejtpërdrejt ose nëpërmjet administratës së KQZ-së, veprimtarinë e administratës zgjedhore përgjatë zgjedhjeve dhe referendumeve;

vë në lëvizje Rregullatorin dhe KAS-in, sa herë që paraqiten çështje të kompetencës së tyre, u përgatit mbledhjet dhe seancat, si dhe kujdeset për zbardhjen dhe publikimin e akteve. Komisioneri nuk mund të vendosë për çështje që janë kompetencë e Rregullatorit apo KAS-it;

ç)            emëron dhe shkarkon anëtarët e KZAZ-ve;

lidh, në emër të KQZ-së, marrëveshje dhe kontrata me të tretët dhe monitoron ose kontrollon zbatimin e tyre;

dh)         kujdeset për zbatimin e këtij ligji në mënyrë të drejtë, të përpiktë, të saktë dhe uniforme nga të gjitha institucionet, subjektet apo personat e ngarkuar me detyra dhe detyrime, sipas ligjit;

organizon dhe administron proceset zgjedhore të institucioneve dhe organizmave publike, kur ligji e ngarkon me këtë detyrë;

ë)            monitoron, nëpërmjet administratës së KQZ-së apo subjekteve të kontraktuara, fushatën zgjedhore, të gjitha aspektet e financimit të fushatës zgjedhore, si dhe pasqyrimin e fushatës në media;

monitoron, nëpërmjet administratës së KQZ-së apo subjekteve të kontraktuara, sjelljen e institucioneve publike gjatë fushatës dhe përdorimim e burimeve publike;

kujdeset për edukimin, informimin dhe ndërgjegjësimin e zgjedhësve;

gj)           drejton procesin e trainimit dhe kualifikimit të administratës zgjedhore, trainimin e financierëve të subjekteve zgjedhore, trainimin e monitoruesve dhe auditëve financiarë, si dhe trainimin e përfaqësuesve të OJF-ve që vëzhgojnë dhe monitorojnë aspektet e financimit të fushatës;

informon publikun për veprimtarinë e KQZ-së, për vendimmarrjen, për fushatën, procesin e votimit dhe rezultatin e zgjedhjeve;

miraton shpërndarjen e mandateve në zgjedhjet për Kuvendin dhe për këshillat vendore, si dhe jep mandatet për çdo deputet;

prodhon dhe publikon të dhëna statistikore për zgjedhjet në vite, të dhëna statistikore për raportet gjinore në zgjedhje, administrimin e tyre, në kandidim dhe në organet e zgjedhura, si dhe të dhënat për listat e kandidatëve të Kuvendit dhe të organeve të qeverisjes vendore;

administron buxhetin e KQZ-së, sipas rregullave të fushës;

përgatit projektbuxhetin vjetor dhe atë për zgjedhjet, sipas ligjit përkatës, si dhe, pas miratimit me ligj të buxhetit, përcakton strukturën e shpenzimeve buxhetore.

ll)            raporton përpara Kuvendit për veprimtarinë e institucionit, si dhe jep rekomandime për përmirësimin e legjislacionit që lidhet me zgjedhjet;

m)          përgatit dhe i përcjell për miratim Kuvendit strukturën dhe organikën eadministratës së KQZ-së, me kohë të plotë pune dhe asaj me kohë jo të plotë;

ushtron në emër të KQZ-së kompetencat që i ngarkohen asaj me ligje të veçanta.

Aktet administrative bazë të Komisionerit në ushtrimin e detyrës janë vendimet, urdhërat dhe udhëzimet.

Neni 20

Kompetencat e Rregullatorit

Rregullatori shqyrton dhe miraton projektaktet me karakter normativ, të përgatitura nga administrata e KQZ-së ose nga anëtarët e tij, për:

rregullat e detajuara për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve dhe referendumeve, detyrat e administratës zgjedhore dhe procedurat nënligjore që zbatohen në zgjedhje;

rregullat dhe udhëzimet për njehsimin dhe përmirësimin e praktikave zgjedhore, si dhe për veprimtarinë e institucioneve publike në shërbim të zgjedhjeve;

rregullat për raportimin e veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, kategoritë e veprimtarive të ndaluara përgjatë fushatës, si dhe procedurën e KQZ-së për zbatimin e ndalimit;

ç)            rregullat për metodologjinë e monitorimit të medias, për procedurën e shqyrtimit të raporteve dhe për vendosjen e masave qortuese apo ndëshkimore;

rregulloren e mbledhjeve të Rregullatorit dhe rregulloren e seancave të KAS-it;

dh)         rregullat për regjistrimin e votuesve nga jashtë vendit, për procedurat e tyre të votimit, për administrimin dhe numërimin e votave nga jashtë vendit dhe përfshirjen e tyre në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve për Kuvendin;

llojin dhe karakteristikat teknike që duhet të plotësojnë sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit që prokurohen dhe përdoren në zgjedhje në Republikën e Shqipërisë;

ë)            rregullat për përdorimin e sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit, tëdomosdoshme për të siguruar përdorimin e ligjshëm, të rregullt, transparent, efikas dhe të qendrueshëm të tyre;

rregullat për raportimin financiar të subjekteve zgjedhore, monitorimin dhe auditimin e pavarur të tyre, si dhe për hetimin administrativ të informacioneve kërkesave, propozimeve, ankesave apo denoncimeve për shkelje lidhur me financimin apo shpenzimet e fushatës;

rregullat për furnizimin dhe administrimin e materialit zgjedhor;

gj)           udhëzuesit dhe doracakët në shërbim të administratës zgjedhore, subjekteve zgjedhore dhe zgjedhësve;

h)            tarifat e shërbimit për organizimin dhe administrimin e proceseve zgjedhore të institucioneve dhe organizmave publike, kur ligji e ngarkon me këtë detyrë;

Rregullatori shqyrton dhe miraton projektaktet e përgatitura nga administrata e KQZ-së për:

kufijtë e zonave të administrimit zgjedhor, në përputhje me këtë ligj;

numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend;

përdorimin e sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit për të mbuluar aspekte apo procedura të vecanta të procesit zgjedhor, ose heqjen e tyre nga përdorimi;

ç)  zhvillimin për herë të parë të votimit nga jashtë vendit, mbështetur në raportimin e Komisionerit për plotësimin e masave tekniko-organizative që mundesojnë votimin;

rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në shkallë vendi, në përputhje me këtë ligj.

Aktet administrative bazë të Rregullatorit në ushtrimin e  detyrës janë vendimet.

Neni 21

Kompetencat e KAS-it

1. Në përputhje me dispozitat e këtij ligji, KAS-i ushtron këto kompetenca:

vendos për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve, në një ose më shumë qendra votimi, në një ose më shumë zona zgjedhore apo në të gjithë vendin, si dhe për përsëritjen e pjesshme ose të plotë të zgjedhjeve;

shqyrton dhe zgjidh në rrugë administrative ankesat ndaj akteve të Komisionerit;

shqyrton dhe zgjidh në rrugë administrative ankesat e subjekteve zgjedhore ndaj vendimeve të KZAZ-eve;

ç)   vlerëson performancën e zyrtarëve zgjedhorë, për çështjet që shqyrton.

d)  me kërkesë të Komisionerit vendos masat disiplinore ndaj zyrtarëve zgjedhorë në rastet kur, pas kontrollit aposteriori të materialit zgjedhor janë konstatuar shkelje ose parregullsi në administrim;

dh) me kërkesë të Komisionerit vendos sanksione administrative kundër personave apo subjekteve zgjedhore dhe/ose kandidatëve të tyre, që kryejnë kundërvajtje administrative në lidhje me zgjedhjet.

Aktet administrative bazë të KAS-it janë vendimet.

Neni 22

Kompetencat e KQZ-së lidhur me teknologjinë në zgjedhje

KQZ-ja ka të drejtë të eksplorojë, eksperimentojë dhe të vendosë përdorimin në zgjedhje të sistemeve dhe/ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit, për të mbuluar aspekte dhe/ose procedura të vecanta të procesit zgjedhor, si dhe ka të drejtë të prokurojë sisteme apo pajisje të teknologjisë së informacionit apo edhe shërbimin e operimit të tyre. KQZ është e detyruar që përdorimin e sistemeve dhe/ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit ta zbatojë në zgjedhje nëpërmjet projekteve pilot, në jo më pak se 10 përqind të numrit të zgjedhësve për çdo fazë të implementimit.

KQZ-ja ka të drejtë të instalojë dhe përdorë sisteme video-monitorimi në qendrat e votimit, si dhe kur bëhet numërimi manual i votave, në VNV-të, për të monitoruar dhe provuar rregullshmërinë e procesit në mjediset e brendshme të tyre. Sistemi i video-monitorimit nuk mund të instalohet në qendrat e votimit në mënyrë të tillë që të cënojë ose të rrezikojë kryerjen në fshehtësi të votimit. Nëse nuk e kryen vetë, KQZ-ja ka të drejtë të prokurojë instalimin ose edhe operimin e sistemit të video-monitorimit.

Përdorimi i sistemeve ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit bëhet në përputhje me rregullat e posaçme lidhur me procedurat për aspektet e veçanta të procesit që mbulohen nga sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit. Rregullat proceduriale për këtë qëllim miratohen me akt normativ të KQZ-së.

Sistemet ose pajisjet e teknologjisë së informacionit që KQZ-ja vendos të përdoren në zgjedhje duhet të synojnë, në radhë të parë, identifikimin biometrik të votuesve, votimin me dhe nëpërmjet pajisjeve elektronike, si dhe numërimin nga pajisjet të votave të hedhura, si dhe të jenë të aplikueshme për së paku pesë procese zgjedhorë të njëpasnjëshëm.

Identifikimi, përzgjedhja dhe përdorimi i sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit i nënshtrohen parimeve të ligjshmërisë, transparencës, gjithëpërfshirjes, sigurisë, efikasitetit dhe qendrueshmërisë.

Përpara çdo procesi zgjedhor, sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit duhet t’i nënshtrohen testimit operacional nga KQZ-ja, në seanca publike dhe me procedurë të saktë dhe të detajuar, duke përzgjedhur, me kriter rastësor për secilën zonë zgjedhore, jo më pak se tri për qind të pajisjeve që do përdoren dhe duke simuluar me to veprimet operacionale zgjedhore, për një numër jo më të vogël se 50 votues.

Pas çdo procesi zgjedhor, pas nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve dhe konstituimit të organeve të zgjedhura, KQZ-ja kryen, në seanca publike dhe me procedurë të detajuar verifikimin e sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë informatike që janë përdorur për votimin dhe numërimin e votave në zgjedhje, nëpërmjet numërimit manual të jo më pak se 10 për qind të qendrave të votimit dhe krahasimit të rezultatit me rezultatin e nxjerrë nga sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit. Qendrat e votimit përzgjidhen nga KQZ-ja me kriter rastësor për secilën zonë zgjedhore.

Rezultatet e testimit parazgjedhor dhe të verifikimit paszgjedhor të sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit kushtëzojnë vendimmarrjen e KQZ-së për përdorimin në vijim të teknologjisë. Ato nuk mund të jenë bazë në vetvete, dhe as nuk mund të shërbejnë qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, për ankimimin, kundërshtimin, mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve, apo për anullimin, heqjen, shfuqizimin apo ndërprerjen e mandatit të fituar nga zgjedhjet, për cilindo subjekt, person të interesuar apo institucion që kërkon të ndërmarrë hapa ligjore në këtë drejtim. Rezultatet e testimit parazgjedhor dhe të verifikimit paszgjedhor mund të bëhen objekt i hetimit për kryerje të veprës penale nëse nxjerrin të dhëna dhe krijojnë dyshime për kryerjen e veprave penale, nëpërmjet keqpërdorimit të sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit në zgjedhje.

Neni 23

Procedura për futjen e teknologjisë në zgjedhje dhe vendimmarrja

Sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit në zgjedhje vihen në përdorim nga personel i kualifikuar i KQZ-së, i punësuar për këtë qëllim, përveçse kur Rregullatori vendos që përdorimi i tyre të bëhet nga operatorë privatë të kontraktuar sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin e shërbimeve. Prokurimi i shërbimit mund të jetë pjesë e kontratës për prokurimin e sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit dhe mund të kryhet edhe nga furnizuesi i këtyre të fundit.

Përdorimi i sistemeve ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit kryhet në përputhje me rregulloren teknike të përdorimit, e cila, përveç rregullave që burojnë nga manuali i përdorimit, duhet të përfshijë rregullat për testimin parazgjedhor, për dokumentimin e procedurave operacionale, për konstatimin dhe raportimin e defekteve, shkeljeve apo dhunimeve gjatë operimit, për pezullimin e operacioneve me dhe nëpërmjet sistemeve apo pajisjeve dhe kryerjen e procedurave manualisht, si dhe për përmbylljen e veprimeve operacionale me dhe nëpërmjet sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit dhe raportimin e rezultateve. Rregullorja teknike e përdorimit të sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë informatike miratohet me akt normativ të KQZ-së.

Në rastet kur nga testimi parazgjedhor rezulton se sistemet apo pajisjet shfaqin defekte apo pasaktësi operacionale, të cilat mund të cenojnë integritetin e tyre apo të procedurave, atëherë KQZ-ja mund të vendosë zbatimin e procedurave manualisht dhe të heqë sistemet apo pajisjet nga përdorimi në zgjedhjet e radhës.

Neni 24

Kompetencat e KQZ-së lidhur me votimin nga jashtë vendit

KQZ-ja udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit dhe kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë.

Votimi nga jashtë vendit organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendit, sipas këtij ligji.

KQZ-ja duhet të marrë vendim për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit.

Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të KQZ-së.

Neni 25

Procedura e votimit nga jashtë vendit

Pavarësisht nga procedura e votimit, manuale ose elektronike, votat e votuesve nga jashtë vendit administrohen nga KQZ-ja, duke garantuar integritetin e votimit dhe fshehtësinë e votës, nga çdo ndërhyrje mbi fletët e votimit ose mbi informacionin elektronik të votimit që administrohet prej saj.

Votimi nga jashtë vendit quhet i çelur nga dita që KQZ-ja nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit ose, sipas rastit, dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve nga jashtë vendit. Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit. Me mbylljen e votimit nga jashtë vendit, KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë më në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur më pas. Nëse votimi nga jashtë vendit bëhet elektronik, sistemi elektronik i votimit mbyllet në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit.

Rregullat për administrimin e materialit zgjedhor ose të informacionit të votimit, të regjistruar dhe ruajtur nga sistemet e teknologjisë informatike, për votimin nga jashtë vendit, si dhe për testimin parazgjedhor dhe verifikimin paszgjedhor të sistemeve, janë pjesë e rregullave të përgjithshme që KQZ-ja miraton për administrimin e materialit zgjedhor apo për përdorimin e sistemeve të teknologjisë informatike në zgjedhje. Garancitë ligjore për vëzhgimin, monitorimin dhe aksesin në KQZ gjatë administrimit të votave nga jashtë vendit, si dhe për testimin, verifikimin dhe sigurinë e materiali zgjedhor apo të sistemeve të teknologjisë informatike që përdoren për këtë votim nuk mund të jenë më të ulta se sa ato për votimin brenda vendit.

Neni 26

Përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore në KQZ

Partitë politike ose koalicionet e partive politike, që regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhje, nëpërmjet personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në, mund të caktojnë me autorizim një përfaqësues dhe një zëvendës të tij pranë KQZ-së, me tagra përfaqësimi për gjithë periudhën deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar. Përfaqësuesit e partive parlamentare i ushtrojnë tagrat e përfaqësimit edhe jashtëperiudhës së përcaktuar në fjalinë e parë të kësaj pike.

Përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore në KQZ kanë të drejtë:

të paraqesin kërkesa dhe propozime pranë KQZ-së;

të marrin kopje të akteve të KQZ-së;

të njihen dhe të marrin informacion për të gjitha aspektet e procesit zgjedhor, pa cenuar veprimtarinë e KQZ-së, pa cënuar fshehtësinë e hetimeve administrative vijuese apo veprimtarinë estrukturave të tjera zgjedhore;

ç)  të njihen dhe të marrin kopje të dokumentacionit zgjedhor, të miratuar nga KQZ-ja.

d) të marrin pjesë në mbledhjet e Rregullatorit, të diskutojnë në mbrojtje të interesave të  ligjshme të subjektit, të paraqesin amendamente për projektaktet që shyrtohen dhe të marrin fjalën për shtjellimin e amendamenteve të propozuara prej tyre;

dh) të paraqiten, kur legjitimohet subjekti, si palë në seancat e KAS-it dhe të mbrojnë interesat e subjektit.

Të gjitha veprimet e kryera nga përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore në KQZ konsiderohen sikur të jenë kryer nga vetë subjektet zgjedhore.

Përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore janë të detyruar të respektojnë rregulloret e KQZ-së, si dhe etikën e mbledhjeve dhe të komunikimit. Në rast të thyerjes së tyre merren masat e parashikuara në rregullore.”

Neni 2

Neni 179 ndryshohet si vijon:

“Neni 179

Prokurimi i sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit

Sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit që do të përdoren në zgjedhje do të implementohen me projekte pilot, të cilat duhet të përfshijnë jo më shumë se 20 për qind të zgjedhësve. Pavarësisht nga ky rregull, në zgjedhjet e para për Kuvendin pas hyrjes në fuqi të këtij ligji identifikimi elektronik do të shtrihet në 100 për qind të zgjedhësve.

Prokurimi i sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit për identifikimin apo votimin elektronik herën e parë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji kryhet nga agjensitë e specializuar shtetërore në fushën e teknologjisë së informacionit.

Për prokurimin e sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit për identifikimin apo votimin elektronik zbatohet procedura në fuqi për kontratat sekrete, kontratat që kërkojnë masa të veçanta sigurie dhe kontratat që diktohen nga interesa thelbësorë të shtetit.

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, në zbatim të këtij neni përcakton me vendim agjensinë e specializuar shtetërore të autorizuar për kryerjen e procedurave të prokurimit sipas pikës 2 të këtij neni, si dhe alokon në buxhetin e saj fondin e nevojshëm për prokurimin.

Pas përfundimit të procedurave dhe kolaudimit të sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit të prokuruara, agjensia e ngarkuar me prokurimin e tyre bën transferimin në dobi të KQZ-së.

Neni 3

Neni 179/1 ndryshohet si vijon:

“Neni 179/1

Dispozitë tranzitore për shqyrtimin gjyqësor të mosmarrëveshjeve zgjedhore

Për zgjedhjet e para të përgjithshme pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, shqyrtimi gjyqësor i ankimeve gjyqësore sipas Kreut I të  Pjesës XI të këtij ligji, do të kryhet nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, i cili  ngrihet dhe funksionon në përputhje me përcaktimet e bëra në Aneksin që i bashkëlidhet këtij ligji.”

Neni 4

Neni 182 ndryshohet si vijon:

“Neni 182

Përfundimi i mandatit të anëtarëve të KQZ-së

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, lirohen nga detyra me hyrjen në fuqi të këtij ligji.

Anëtarët e liruar nga detyra përfitojnë nga KQZ-ja pagën e plotë deri në datën kur duhet të mbaronte mandati i tyre. Pas kësaj date, ata trajtohen në përputhje me ligjin nr. 8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar.

Komisioneri, Nënkomisioneri, Anëtarët e Rregullatorit dhe të KAS-it zgjidhen jo më vonë se 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji.”

Neni 5

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Kryetar

Gramoz RUÇI

ANEKS Kolegji Zgjedhor Gjyqësor dhe konstituimi i tij

Kolegji Zgjedhor Gjyqësor përbëhet nga tetë gjyqtarë të përzgjedhur me short nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, nga rradhët e gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë, gjykatave të apelit të Republikës së Shqipërisë, gjykatave administrative të shkallës së parë dhe të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, të cilët kanë kaluar me sukses, me vendim të formës së prerë, procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, sipas ligjit nr. 84/2016.

Shorti për përzgjedhjen e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor hidhet jo më vonë se 48 orë nga data e përcaktimit të datës së zgjedhjeve me të afërta, sipas këtij ligji. Shorti hidhet në praninë e publikut, përfaqësuesve të KQZ-së, partive politike, organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe të drejtësisë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, brenda 24 orësh nga hedhja e shortit, miraton me vendim zgjedhjen e gjyqtarëve si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor delegohen në këtë detyrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor deri ditën kur Gjykata Administrative e Apelit Tiranë të plotësohet në përbërje të plotë me gjyqtarë, të cilët kanë kaluar me sukses, me vendim të formës së prerë, procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, sipas ligjit nr. 84/2016. Në rast se plotësimi, sipas kësaj pike, i përbërjes së Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë nuk kryhet brenda tri vjetëve nga data e konstituimit të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, atëherë Këshilli i Lartë Gjyqësor nis, brenda 5 ditëve, procedurat për përtëritjen e plotë të  Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Përtëritja bëhet duke zbatuat procedurat dhe afatet e këtij aneksi për përzgjedhjen, delegimin, betimin dhe konstituimin e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor.

Brenda 3 ditesh nga delegimi në detyrë, gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor bëjnë betimin në një ceremoni publike, në prani të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Betimi ka përmbajtjen që vijon: “Betohem solemnisht se do të respektoj, do të mbroj dhe do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë, se do të respektoj të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe do të përmbush detyrat e mia. Betohem se do të kryej detyrën time me të gjitha mundësitë e mia dhe në mënyrë të paanshme, të drejtë dhe pa favorizuar ndonjë person, parti politrike apo subjekt zgjedhor”.

Konstituimi i Kolegjit bëhet menjëherë pas betimit dhe thirret në detyrë nga Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në rast se krijohen vakanca në përbërjen e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, vakanca plotësohet sipas përcaktimeve të bëra në këtë Ankes vetëm nga gjyqtarët që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve sipas nenit 84/2016 deri në datën e krijimit të vakancës.

Gjyqtari, gjatë ushtrimit të detyrës në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor, nuk mund:

t’i nënshtrohet hetimit apo procedimit disiplinor gjatë gjithë periudhës për të cilën është krijuar Kolegji;

të lëvizet nga detyra në mënyrë të përkohshme apo të përhershme për shkaqe disiplinore, organizimi gjyqësor apo ngritje në detyrë;

të vlerësohet “i paaftë” për veprimtarinë profesionale dhe etike.

Për gjyqtarët e përzgjedhur anëtarë të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor përpara nisjes së procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, sipas ligjit nr. 84/2016, procesi i rivlerësimit pezullohet deri në përfundim të detyrës si anëtar i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor.

Me kërkesë të motivuar të gjyqtarit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi merr edhe mendimin e kryetarit të gjykatës, ku gjyqtari ushtron funksionin, vendos lehtësimin e ngarkesës së punës së tij.

Pas përfundimit të delegimit në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor, ushtrimi i detyrës në këtë Kolegj konsiderohet vlerë e shtuar në përvojë për qëllime të ngritjes në detyrë.

Gjykata Adminsitrative e Apelit Tiranë vë në dispozicion të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor mjedise të mjaftueshme pune, pajisje dhe personel, në mënyrë që të sigurojë kryerjen në kohë dhe në mënyrë profesionale të detyrave të veta.

Me kërkesë të Kryetarit të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, Kolegji rithirret në detyrë sa herë që pranë kësaj gjykate depozitohen ankime ndaj vendimeve të KQZ-së, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 132 të këtij ligji.

 Shqyrtimi i ankimeve nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor

 Ankimet sipas nenit 133 të këtij ligji paraqiten në formën e kërkesëpadisë dhe depozitohen në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë, e cila ia kalon atoKolegjit Zgjedhor Gjyqësor.

Kërkesë padia përmban elementët e parashikuar në nenin 134 të këtij ligji.

Kolegji Zgjedhor gjykon me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë. Relatori i çështjes kryeson trupin gjykues.

Kolegji Zgjedhor njihet me kërkesëpadinë jo më vonë se 24 orë nga dërgimi i saj dhe:

a) merr vendim për kërkesën e paditësit për përjashtimin e gjyqtarit;

b) hedh shortin për përbërjen e trupit gjykues dhe relatorin e çështjes; dhe

c) cakton datën dhe orën e fillimit të shqyrtimit gjyqësor.

Relatori, menjëherë pas caktimit, kryen veprimet paraprake të mëposhtme:

a) njofton palët për datën dhe orën e gjykimit të çështjes dhe përbërjen e trupit gjykues;

b) sipas rastit, i kërkon paditësit plotësimin e kërkesëpadisë, jo më vonë se 24 orë para datës së caktuar për shqyrtim gjyqësor;

c) u dërgon palëve të interesuara kopje të kërkesëpadisë dhe i informon ato për të drejtën ligjore për të kërkuar përjashtimin e gjyqtarit të trupit gjykues, sipas Kodit të procedurës Civile. Palët e interesuara, kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit duhet ta paraqesin brenda 24 orëve nga marrja e njoftimit, sipas shkronjës “a” të kësaj pike. Kërkesat, sipas kësaj shkronje, shqyrtohen nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor në dhomë këshillimi brenda 24 orëve nga depozitimi i kërkesës;

ç) në rast se KQZ-ja nuk ka lëshuar vendimin, sipas nenit 130 të këtij ligji, i kërkon asaj të depozitojë vendimin në gjykatë jo më vonë se 24 orë para datës së caktuar për shqyrtimin gjyqësor.

Të drejtat e palëve në proces

Palët në procesin e shqyrtimit gjyqësor të kërkesëpadisë kanë të gjitha të drejtat procedurale, që parashikohen në Kodin e Procedurës Civile, përveç rastit kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.

KQZ-ja sjell në gjykim të gjitha provat e administruara prej saj gjatë shqyrtimit administrativ, pavarësisht nga kërkesat e palëve për to, si dhe çdo provë tjetër që Kolegji Zgjedhor Gjyqësor kërkon.

Kur gjatë hetimit gjyqësor kanë dalë fakte apo prova të reja, për të cilat paditësi nuk mund të kishte dijeni përpara se të paraqitej kërkesëpadia, me kërkesë të paditësit objekti i padisë mund të shtohet apo ndryshohet përpara se Kolegji Zgjedhor Gjyqësor t’i japë fund hetimit gjyqësor. Kërkesa mund të përfshijë ndryshimin e tabelës së rezultatit ose pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qendër/qendra votimi.

Mungesa e njërës palë gjatë procesit nuk përbën pengesë për vazhdimin e gjykimit nga ana e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, përveç rastit kur Kolegji vendos ndryshe.

Afati i gjykimit dhe llojet e vendimeve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor

Afati i gjykimit dhe llojet e vendimeve që merr Kolegji Zgjedhor Gjyqësor në përfundim të shqyrtimit gjyqësor janë sipas nenit 139 të këtij ligji. Kolegji Zgjedhor Gjyqësor është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tre ditë nga data e dhënies së tij. Vendimi i Kolegjit publikohet menjëherë në faqen e internetit të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

Vendimet e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor janë përfundimtare dhe ndaj tyre nuk mund të bëhet ankim.

Pas