Të vetmet financime që Rusia bën në Shqipëri janë ato për studentët. Të paktën kështu thotë ambasadori rus në Tiranë. Sipas tij, Moska nuk ka asnjë interes të bëjë financime për Partinë Demokratike apo kryetarin Lulzim Basha.
“Unë dyshoj se biznesmenët rusë kanë dëgjuar ndonjëherë për ekzistencën e saj. Përse duhet t’i japin para Partisë Demokratike? Mos vallë është më proruse sesa Partia Socialiste? Jo, aspak. Sot ne shohim se njësoj si mazhoranca, ashtu edhe opozita nuk janë të prirura për të bashkëpunuar me Rusinë dhe janë futur në garë me njëra-tjetrën se kush bën më shumë deklarata antiruse. Në të njëjtën kohë, aleatët e demokratëve në parlament organizojnë aktivitete rusofobike në Uashington me mbështetjen e kongresmenëve amerikanë. Nga të gjitha këto, çfarë mund ta shtyjë Rusinë, të paktën teorikisht, për të mbështetur opozitën shqiptare?”, tha ambasadori rus.
Aleksandër Karpushin, po ashtu ka qenë kritik dhe ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
“Ka edhe një moment tjetër interesant që dua ta përmend. Pak kohë më parë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tashmë një politikan me përvojë, e paraqiti lajmin e rremë për financimin e Partisë Demokratike si një fakt të vërtetuar. Ai deklaroi haptazi se kandidatët për postin e Kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit shqiptar caktohen dhe madje paguhen nga Moska. Kjo deklaratë më duket një gabim”, shtoi Karpushin./Opinion.al