Bota

Ambasadori i SHBA në BE: Avokati i Trump i vendosi parakushte Ukrainës


               Publikuar në : 19:22 - 20/11/19 |
Al Do

Në Dhomën e Përfaqësuesve po vazhdon dëshmia publike e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland. Ai është deri më sot dëshmitari i profilit më të lartë që shfaqet në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa zhvillohen dëgjesat publike në kuadër të hetimeve që mund të çojnë në proces për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump. Gjatë deklaratës së tij, ai u shpreh se nuk kishte qenë dakord që në marrëdhëniet me Ukrainën ishte përfshirë Rudy Giuliani, avokatit personal të Presidentit Trump. Pohimi më i rëndësishëm që zoti Sondland bëri sot është se vërtet Rudy Giuliani i vuri si parakushte Ukrainës hetimin e zgjedhjeve të 2016-tës, të serverit të Partisë Demokrate dhe të kompanisë energjitike “Burisma”.

Dëshmia e Ambasadorit amerikan në BE, Gordon Sondland, u prit me vëmendje maksimale nga ligjvënësit dhe mediat amerikane. Zyrtari i profilit të lartë, një manjat i biznesit të hotelerisë, i pat dhuruar 1 milion dollarë komitetit organizator për inaugurimin e Presidentit Trump në vitin 2017. Në mars 2018, Presidenti Trump e emëroi atë ambasador në Bashkimin Evropian. Tashmë, ai e gjen veten në epiqendër të zhvillimeve politike për shkak të angazhimit të tij nga Brukseli me çështjet e Ukrainës.

“Këtë mëngjes do të dëgjojmë dëshminë e Gordon Sondland, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian. Jemi në vazhdën e një procesi hetimor të Dhomës së Përfaqësuesve, pasi Presidenti Donald Trump u përpoq të kushtëzonte asistencën ushtarake ndaj Ukrainës dhe një takim në Zyrën Ovale me Presidentin e ri të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, me hapjen e hetimeve të motivuara politikisht që Trump besonte se do të ndihmonin fushatën e rizgjedhjes së tij”, tha Adam Schiff, kryetar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Zoti Sondland pohoi se në mungesë të materialeve që mund t’i kishte ofruar Departamenti i Shtetit, kujtesa e tij mund të mos ketë qenë aq e saktë gjatë deponimit. Sidoqoftë, ai konfirmoi për ligjvënësit se përfshirja e zotit Giuliani ishte urdhëruar nga Presidenti Trump.

“Sekretari Perry, ambasadori Volker dhe unë punuam me zotin Rudy Giuliani për çështjet e Ukrainës, bazuar në udhëzimin e drejtpërdrejtë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ne nuk kishim dëshirë të punonim me zotin Giuliani. E thënë më thjesht, na duhej të luanim me kartat që na u dhanë”, deklaroi Gordon Sondland, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian.

Zoti Sondland tha se u kuptua nga të gjithë se nëse do të kishin refuzuar bashkëpunimin me zotin Giuliani, atëherë do të kishin humbur një mundësi shumë të rëndësishme për të forcuar marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Ukrainën.

“Megjithëse nuk ishim dakort me nevojën e përfshirjes së zotit Giuliani, në atë kohë nuk mendonim se përfshirja e tij ishte e papërshtatshme… Nëse do të kisha ditur për gjithë aferat e zotit Giuliani, apo partnerët e tij, një pjesë e të cilëve janë tashmë duke u hetuar penalisht, unë personalisht nuk do të kisha rënë dakord për pjesëmarrjen e tij. Nga sa dinim në atë kohë, ajo çfarë na kërkohej të bënim, nuk dukej se ishte e gabuar”, shtoi zoti Sondland.

Zoti Sondland tha se Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe udhëheqja e lartë e Departamentit të Shtetit ishin të mirinformuar për kontaktet me Ukrainën deri kur u lëvrua asistenca për Ukrainën në muajin shtator, si dhe hodhi poshtë sugjerimet se mund të jetë vepruar në mënyra të parregullta jodiplomatike. Megjithatë, ai konfirmoi se Rudy Giuliani i vendosi kushte Ukrainës.

“Kërkesat e zotit Giuliani ishin një quid pro quo (shkëmbim favoresh/parakusht) për të siguruar një takim në Shtëpinë e Bardhë për zotin Zelenskiy. Zoti Giuliani kërkoi që Ukraina të bënte një deklaratë publike ku të njoftonte hetime për zgjedhjet e 2016-tës, për serverin e Partisë Demokrate, dhe për kompaninë ‘Burisma’”, deklaroi zoti Sondland.

Ndërsa vazhdojnë pyetje-përgjigjet me ligjvënësit, pas paradites së dedikuar dëshmisë së zotit Sondland, pasdite pritet të dëshmojnë edhe Zv/Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes Laura Cooper dhe NënSekretari i Shtetit David Hale./ Burimi: VOA

Pas