Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka dënuar sulmin me bombë ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it.
Në një postim në “Twitter”, Hovenier thotë se sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe se përgjegjësit duhet të japin llogari.
“SHBA-ja i bashkohet EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrullë të EULEX-it mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari përmes sistemit kosovar të drejtësisë”, shkroi Hovenier.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, konfirmoi më herët se një bombë është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit.