Takimet e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin me tre grupet parlamentare të PS, PD dhe LSI do të zhvillohen në një ditë, të martën e javës së ardhshme. Mësohet se kryediplomati amerikan dhe ajo e Bashkimit Europian në Shqipëri, do të nisin serinë e takime nga selia e Partisë Socialiste, që ka edhe grupin më të madh parlamentar.
Donald Lu dhe Romana Vlahutin parashikohet të mbërrijnë në PS në orën 15:00 të së martës. Më pas do të kalojnë në selinë e Partisë Demokratike ku pritet të mbërrijnë rreth orës 16:00, ndërkohë që takimi i fundit, ai me grupin parlamentar të LSI-së do të zhvillohet në orën 17:00.
Në të treja këto takime mësohet se ambasadori amerikan dhe kolegia e tij e Brukselit nuk do të bëjnë thjeshtë vëzhguesin, por do të flasin përpara deputetëve të secilës parti, në lidhje me draftin final të reformës në drejtësi.
Kujtojmë se këto takime ishin planifikuar për të premten në Kryesinë e Kuvendit, por u anuluan pa një motiv të saktë.