Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako ka mbërritur këtë të mërkurë në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Ditën e sotme gjykata e Apelit do të shqyrtojë ankimimin që SPAK i bëri vendimit të Gjykatës së Posaçme për lirimin e Alqi Bllakos. Pritet që të vendoset nëse Bllako do të qëndrojë në arrest shtëpie apo do të rikthehet në qeli.
Gjykata e Posaçme vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” ndaj ish-deputetit Bllako më 6 tetor. Ai fitoi lirinë me argumentet se gjendja familjare është e rënduar, ka fëmijë të mitur për t’u kujdesur dhe se hetimet për dosjen janë drejt fundit.
Kujtojmë se, Bllako akuzohet për veprat penale shpërdorimi i detyrës dhe korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.
SPAK pretendon se në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Mjedisit, Bllako në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka dhe kryetarin e Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi kanë ndryshuar kategorinë e pronës për vendin ku është ndërtuar inceneratori i Fierit, duke i shkaktuar një dëm prej 16 milionë Lekësh shtetit.
Gjithashtu Prokuroria thotë në dosje se ish-deputeti ka përfituar rreth 15 milionë Lekë ryshfet për favorizimin e kompanisë fituese të inceneratorit të Fierit./Opinion.al