Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti zhvilluan këtë të mërkurë një takim me strukturat e Partisë Demokratike në Durrës, ku të pranishëm ishin drejtues të degës, ish-deputetë, anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe përfaqësues të grupseksioneve. Në fjalën e tij para të pranishmëve, Alimehmeti kërkoi bashkim dhe mobilizim të të gjithë strukturave përballë asaj që e cilësoi si “regjim i konsoliduar i Edi Ramës”.
Gjatë fjalës, Alimehmeti u shpreh se qytetarët e Durrësit dhe demokratët në të gjithë vendin po tregojnë forcë të jashtëzakonshme në vitin e 13-të të opozitës. Ai theksoi se PD mbetet alternativa e vetme reale për të sjellë ndryshimin, por ky ndryshim, siç tha, kërkon bashkim të sinqertë dhe përfshirje të çdo mendimi.
Sipas tij, vendi ndodhet përballë një qeverisjeje që, përveç korrupsionit financiar, ka prodhuar edhe “korrupsion moral”, të cilin ai e quajti edhe më të rrezikshëm. “Ne nuk jemi mirë. Ky regjim duhet rrëzuar sa më parë. Sa më shumë e lëmë aty, aq më shumë na kalb neve dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”, u shpreh ai.
Ai nënvizoi dallimin mes të djathtës dhe të majtës, duke thënë se e djathta “vendos Shqipërinë para partisë”, ndërsa e majta “vendos partinë për të zhvatur Shqipërinë”. Për këtë arsye, tha se PD duhet të jetë forca që mbledh të gjitha idetë, të gjithë individët dhe të gjitha energjitë për një projekt të përbashkët.
Alimehmeti bëri thirrje për dialog të brendshëm, duke theksuar se brenda PD nuk ka mendime të gabuara dhe se çdo ide duhet dëgjuar e përpunuar, me qëllim që mesazhi i opozitës të shkojë qartë tek votuesit. “Votuesi flet me shpirt e me zemër. Nëse nuk i drejtohemi kështu, nuk na beson dot”, tha ai.















