Te Fundit

Alimehmeti shpall kandidaturën për Primaret: Tirana jonë është e sëmurë dhe në krizë



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 11:23 - 02/11/22 |
Opi Nion

Mjeku i njohur epidemiolog, Ilir Alimehmeti po prezanton kandidaturën për primaret në PD për Bashkinë Tiranë.

Gjatë fjalës së tij mjeku tha se i dedikohet plotësisht Tiranës, ndërsa shtoi se kryeqyeti është i sëmurë dhe në gjendje krize.

Teksa tha se Tirana i ka të gjitha mundësitë për t’u shëruar dhe ringjallur, Alimehmeti theksoi se ka besim të plotë se procesi i Primareve do të jetë plotësisht transparent.

“Unë jam Dr. Ilir Alimehmeti, mjek dhe pedagog, lindur në Tiranë në vitin 1979, nga dy prindër mjekë me eksperiencë përkatësisht mbi 40 dhe 50-vjeçare. Përveç kulturës së punës dhe shërbimit ndaj personave në nevojë, ndërgjegja qytetare e të cilëve u shpalos edhe në angazhimet politike në Partinë Demokratike, ku, ndër të tjera, kanë shërbyer më parë si deputetë, kandidatë për deputet dhe këshilltarë në këshillin bashkiak të Tiranës.

Lindur e rritur në këtë frymë, u mbrujta me besimin te vlerat, dija, vërtetësia dhe shërbimi, të cilat arrihen vetëm përmes edukimit, arsimit, punës, mundit dhe djersës. Me eksperiencën time rreth 15-vjeçare si mjek dhe pas formimit si epidemiolog klinik në Europë Perëndimore, vendosa të rikthehem në Tiranë në vitin 2014 për t’i vënë frytet e punës, mundit dhe djersës në shërbim të komunitetit tim, në edukimin dhe shërimin e tij, si profesionist i shëndetësisë dhe si pedagog.

 Gjatë viteve në vijim gëzova mbështetjen dhe vlerësimin e pacientëve, kolegëve dhe studentëve të mi, por bashkë u njohëm më gjerë për shkak të krizës së shëndetit publik që goditi botën gjatë tri viteve të kaluara. Ajo prani mediatike dhe ai adresim i publikut nuk erdhi si rrjedhojë e babëzisë për përfitime ekonomike dhe as e etjes për lavdi personale, por erdhi si rrjedhojë e përgjegjësisë qytetare për të vendosur dijet, vlerat dhe vërtetësinë në shërbim të komunitetit tonë të sëmurë e në nevojë.

Me të njëjtën ndërgjegje qytetare, me të njëjtat vlera dhe me të njëjtin seriozitet, duke ndjekur hapat e prindërve të mi më parë, vij para jush për t’ju dedikuar plotësisht Tiranës dhe komunitetit të saj, pasi Tirana jonë është e sëmurë dhe në gjendje krize miqtë e mi. Dhe, miqtë e mi, Tirana i ka të gjitha mundësitë për t’u shëruar dhe ringjallur, vlerat dhe bukuria e saj mund të ripërtëriten, por kjo mund të ndodhë vetëm përmes punës, mundit dhe djersës, ndërgjegjes qytetare dhe kontributit të çdonjërit prej nesh që ka vendosur të ndërtojë jetën në Tiranë, përfshirë këtu edhe mua.

Sot, në shërbim të komunitetit, unë kandidoj në  primare për Bashkinë e Tiranës pranë Partisë Demokratike të Shqipërisë, me besimin e plotë se procesi i Primareve do të jetë plotësisht transparent, i besueshëm dhe shpresëndjellës.

Pranë Partisë Demokratike të Shqipërisë gjej njerëz, profesionistë dhe personalitete, që ndajnë të njëjtat shqetësime, kanë të njëjtën ndërgjegje qytetare, kanë të njëjtat vlera, dhe kanë të njëjtin besim se vetëm puna, mundi dhe djersa e pashtershme mundet ta shërojë Tiranën tonë dhe të çojë përpara zhvillimin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të Tiranës sonë. Ky ekip nuk është hermetikisht i mbyllur. Ai është një ekip i hapur dhe do të pasurohet me figura dhe profesionistë të tjerë me vlera të pamohueshme si nga forcat aleate, si nga shoqëria civile, pasi Tirana është e jona, është e të gjithëve ne!

 Së fundmi, dua të bëj një thirrje patjetër të marrim pjesë masivisht në protestën kombëtare të datës 12 nëntor 2022 pikërisht në Tiranën tonë, për të filluar çrrënjosjen e të keqes që ka pllakosur në çdo prag.”-tha Alimehmeti.

Pas