Rajoni

Aleksandër Vuçiç: Jam mirë, të hënën kthehem në punë


               Publikuar në : 13:27 - 17/11/19 |
Geljano Fataj

Pas lajmit se presidenti serb Aleksandër Vuçiç ishte shtruar në spital, ka reaguar ky i fundit. Përmes një postimi në Instagram ai ka njoftuar përmirësimin e gjendjes dhe për këtë falënderon personelin mjekësor.

“Faleminderit mjekëve dhe stafit të Akademisë Mjekësore Ushtarake. Faleminderit të gjithë atyre që u kujdesën për mua. Do të jem në punë me kohë të plotë duke filluar nga e hëna”, shkruan Vuçiç në postimin e tij.

Presidenti serb u shtrua në spital pasditen e së premtes për shkak të problemeve kardiovaskulare. Ministri serb i mbrojtjes Aleksandër Vulin tha mëngjesin e kësaj të diele se gjendja e presidentit është e qëndrueshme. Aleksandër Vuçiç, një ish-ultra nacionalist që pohon të jetë shndërruar në një reformator pro evropian, ishte pjesë e Partisë Radikale Serbe të drejtuar nga ultra nacionalisti Vojislav Sheshel deri në vitin 2008.

Gjatë luftës në Kosovë, ai kishte shërbyer si ministër për informim në qeverinë e ish presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Aleksandër Vuçiç u bë kryeministër i Serbisë në vitin 2014, ndërsa në vitin 2017 u zgjodh president i saj. Partia Përparimtare Serbe e drejtuar prej tij është në pushtet që nga viti 2012. Serbia e mbështetur nga Rusia kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur më vitin 2008./ Opinion.al

Pas