Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov tha se tre djemtë e tij, 14, 15 dhe 16 vjeç, së shpejti do të udhëtojnë për në vijën e frontit të Ukrainës për të luftuar me forcat ruse.
Kadyrov është aleat i fortë i Vladimir Putin, megjithëse kohët e fundit ka kritikuar udhëheqjen ushtarake ruse.
Në rrjetet sociale, ai shkroi se një baba duhet t’i mësojë djemtë e tij se si të mbrojnë familjen, njerëzit dhe atdheun e tyre.
Rusia ka nënshkruar një traktat të OKB-së që synon të parandalojë fëmijët nën moshën 18 vjeç që të marrin pjesë drejtpërdrejt në luftë.
Nga ana tjetër, pjesmarrja e fëmijëve nën moshën 15-vjeç në luftë konsiderohet një krim lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, por Rusia nuk e njeh juridiksionin e saj.
Në një postim në “Telegram”, Kadyrov tha se trajnimi ushtarak i djemve të tij filloi kur ata ishin shumë më të vegjël dhe se kishte ardhur koha që ata të përjetonin një betejë të vërtetë.
BBC shkruan se, lideri çeçen vuri po ashtu në shënjestër ata njerëz që pretendonin se të dashurit e tij nuk po merrnin pjesë në operacionin ushtarak në Ukrainë.
Postimi u shoqërua me një video të djemve të tij duke qëlluar me armë të ndryshme në një terren stërvitor.
Kadyrov është një mbështetës i presidentit rus, Vladimir Putin dhe forcat çeçene kanë luftuar në Ukrainë që nga fillimi i luftës./Opinion.al