Kryeministri i Kosovës, Albin Kurtivka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të gazetarit Artur Zhejit, personalitet i njohur i medias së shkruar dhe asaj televizive, i cili vdiq dje në moshën 64-vjeçare.
Përmes një reagimi, Kurti e përshkroi Zhejin si një gazetar të rrallë, që përtej lajmit të ditës angazhohej dhe thellohej me seriozitet intelektual te çështjet dhe subjektet me të cilat ballafaqohej.
Ai e cilësoi Zhejin jo vetëm si reporter lufte, por si një gazetar aktivist, një patriot i emancipuar dhe dokumentues i angazhuar, i cili ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja shqiptare dhe të rritej jehona e kërkesës për liri.
Reagimi i plotë:
Artur Zheji, personalitet i medias së shkruar e asaj televizive është ndarë dje prej nesh në moshën 64-vjeçare. I kujtoj bashkëbisedimet me të, para apo pas kamerave, sepse të rrallë kanë qenë dhe janë gazetarët që, përtej lajmit të ditës, angazhohen e thellohen me seriozitet intelektual te çështjet e subjektet me të cilat ballafaqohen. I tillë ishte Artur Zheji, fjala e të cilit nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen.
I ati i lindur në Gjirokastër, intelektuali erudit dhe përkthyesi eklektik Petro Zheji. E ëma e lindur në Gjakovë, aktorja e shquar e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe e Kinostudios “Shqipëria e Re”, Besa Imami.
Duke ardhur prej një familje të tillë, është e kuptueshme pse Artur Zheji nuk mund t’ishte i përciptë në trajtimin e Kosovës dhe më gjerësisht shqiptarëve në rajon. Ai ishte jo thjesht një reporter i luftës, por një gazetar aktivist, një patriot i emancipuar, një dokumentues i angazhuar, që ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja jonë e të rritej jehona e kërkesës sonë të drejtë për liri.
Familjes, të afërmve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe publikut të Petro Zhejit, u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje të madhe!