“Karriget i kemi por më shumë do të rrimë në këmbë” u ka thënë kryeministri i ri i Kosovës ministrave në mbledhjen e parë të qeverisë.
Albin Kurti mori sot zyrtarisht detyrën e kreut të qeverisë pas një ceremonie ku iu dorëzuar mandati nga zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli.
Më pas, Kurti mbajti mbledhjen e parë ceremoniale të qeverisë ku deklaroi se në kabinetin e tij nuk do të ketë parti të ndara, por ekip qeverisës.
“100 ditët e para do të jenë ditë të zëna me angazhim dhe përkushtim maksimal, karriget i kemi por më shumë do të rrimë në këmbë, programi ynë është ambicioz, por edhe pritjet e qytetarëve. Sytë e të gjithë popullit janë tek ky kabinet qeverisës. Mandati duhet të jetë më shumë për të shërbyer e jo për të urdhëruar. Shanset për sukses i kemi të mëdha”, tha ai
Ai iu bëri thirrje ministrave që të kalojmë më shumë kohë me qytetarët dhe të tregojnë angazhimin dhe profesionalizimin e tyre. /Opinion.al