Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, thotë se problemet e partisë së tij me LDK-në janë “të tejkalueshme” dhe ato lidhen kryesisht me bashkëpunimin e kësaj të fundit me PDK-në gjatë mandatit të kaluar qeverisës.
Në një intervistë për gazetën Jeta në Kosovë, Kurti tha se Vetëvendosje i mban dyert e mbyllura për PDK-në edhe në nivelin lokal, pavarësisht se ndonjë situatë mund të kërkonte koalicion pas zgjedhjeve të 22 tetorit. “Kush është i ndershëm brenda PDK-së e ka derën e hapur tek ne, por koalicion me atë subjekt nuk do të bëjmë”, tha Kurti.
Përderisa e quan “të rëndomtë” një takim të tij si kryeministër me drejtues të shtetit të Serbisë, Kurti e quan “të vdekur” dialogun e Kosovës me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE.
Gazeta JnK: Keni përmendur disa herë që LVV nuk e voton Kadri Veselin për Kryetar Kuvendi, por mund të votoni emra tjerë brenda PAN-it. A mund të na tregoni përveç Veselit, cilët janë deputetët e tjerë të PAN-it të papranuar nga LVV ?
Kurti: Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i para tre vjetëve praktikisht ka konsistuar në veton e PAN-it për të propozuar ata Kryetarin e Kuvendit. Atëherë, le ta bëjnë. Por, nuk po e bëjnë. As nuk po del në votim Veseli dhe as ndonjë tjetër. Ky bojkot Kuvendit e ky bllokim institucional është i pashembullt. Tashti, nuk na takon ne të sugjerojmë emra për PAN, pasi jemi subjekte të ndryshme. Ne flasim vetëm për subjektin tonë, dhe për ne nuk është çështje emrash, por çështje standardesh. Ne do të votojmë atë propozim i cili i përmbush standardet e pranueshmërisë nga palët, dhe që është figurë e respektuar politikisht e intelektualisht. Posti i Kryetarit të Kuvendit është shumë i rëndësishëm në një republikë parlamentare si puna e Kosovës, prandaj ne nuk do të votojmë asnjë figurë të dyshimtë, përçarëse, apo dikë që nuk ka formim së paku mesatar kulturor e intelektual. Megjithatë, sa i përket pyetjes suaj, kur ata të propozojnë dikë ne do ta shqyrtojmë dhe do të shprehemi. Është absurde të mendosh që më i pranueshmi nga PAN-i për ne të tjerët është Veseli. E kundërta është e vërtetë.
Gazeta JnK: Si po shkojnë bisedimet me LAA-në. Çka ju ndan me ta e çka ju bashkon ?
Kurti: Besoj që pyetja duhet të kishte renditjen e anasjelltë, pasi është më e rëndësishme se çka na bashkon, e më e parëndësishme çka na ndan. Çka na bashkon është nevoja e Kosovës për ndryshim rrënjësor. Kapja e shtetit ka pamundësuar zhvillimin ekonomik, luftën ndaj korrupsionit, ndërtimin e institucioneve demokratike, integrimet euro-atlantike. Tentakulat e oktapodit që ka kapur shtetin janë shtrirë kudo, prej ekonomisë familjare te shtresat e mesme e të ulta e deri te bizneset e vogla e të mesme që ballafaqohen përditë me falimentimin. Këta kanë kapur edhe gjykatat prej atyre të shkallës së parë e deri te Supremja e Kushtetuesja. Të kapur e kanë edhe policinë e prokurorinë, ku disa nuk guxojnë e një pjesë as që duan të merren me hetimin e arrestimin e kriminelëve të mëdhenj. Kështu që ka nevojë për ndryshim e për çrrënjosje të kapjes, kjo na bën që të kërkojmë bashkimin me të gjitha forcat që i rezistojnë krerëve të PDK-së dhe SHIK-ut.
Çfarë na ndan është sigurisht historia e tyre e bashkëpunimit me PDK-në, por mendoj se kjo është e tejkalueshme nëse sot ata shfaqin vendosmëri për të ecur përpara, si dhe sinqeritet e besnikëri në bashkëpunimin me ne. Kur je i vendosur për të ecur përpara, theksohet e përbashkëta. Kur frikësohesh nga ndryshimi ose je rehat në status quo, atëherë hulumton për të gjetur dallimet.
Gazeta JnK: A jeni të gatshëm që për shkak të pozitës së Kryetarit të Kuvendit të shkoni përsëri në zgjedhje dhe kur jeni në dijeni se kostoja për mbajtjen e tyre nuk është e vogël ?
Kurti: Kjo është një pyetje që i duhet bërë atyre që kanë të drejtën ta propozojnë kryetarin e Kuvendit, sipas vendimit të padrejtë të Gjykatës Kushtetuese. Nëse do të ishte Kosova një vend normal, Kryetarin e Kuvendit do ta propozonte shumica, pra secili grup me 61 nënshkrime. Dhe, po të ishte ashtu, të jeni të sigurt se nuk do të kishte nevojë të shkonim në zgjedhje, pasi ne do t´i kishim edhe numrat edhe kandidatin, e tashmë Kosova do ta kishte një kryetar Kuvendi. Por, sot për sot është në fuqi ai vendim i padrejtë, kështu që propozimin mund ta bëjë vetëm PDK dhe PAN. Ata s´po munden, sepse siç e pranuan më në fund edhe vetë, pas tre muaj gënjeshtrash, Veseli nuk i ka numrat dhe gabimisht e dëshpërueshëm orvatet të shfaqet i pazëvendësueshëm. Nga ana tjetër, PDK edhe po ka frikë të shkojë në zgjedhje të tjera, sepse e di se do të dalë edhe më keq nga çka dalë në ato të 11 qershorit.
Gazeta JnK: Në një situatë hipotetike nëse shkojmë në zgjedhje të reja parlamentare, a do garoni si të vetëm apo do provoni të shkoni me një listë me LDK-në, ose të ftoni në koalicion parazgjedhor me AAK dhe Nismën, duke tentuar që t’i shkëputni nga PDK ?
Kurti: Kuvendi i Kosovës konsiderohet i konstituuar porsa të zgjedhet kryesia e tij, pra kryetari dhe nënkryetarët. Paraprakisht ai nuk mund të shpërbëhet, as nga vetvetja e as nga Presidenti, që të mund të shkojmë në zgjedhje të reja. Rrjedhimisht, nuk ka çelës juridik e kushtetues i cili do të ndërpriste bllokimin aktual të institucioneve duke na dërguar sërish në zgjedhje. Sido që të jetë, në një situatë hipotetike, kjo mbetet për t´u diskutuar në forumet e brendshme të VETËVENDOSJE!-s, dhe unë nuk mund të vendos i vetëm për këtë. Por, rezultati ynë në 11 qershor tregoi se edhe pa koalicion votuesit na besuan duke na bërë subjektin më të madh. Pas 11 qershorit sondazhet vazhdojnë të tregojnë rritje për ne. Kështu që, jemi të qetë në këtë drejtim. Sigurisht që do ta konsiderojmë secilën kërkesë që mund të na vijë si prej anëtarësisë e strukturave tona, po ashtu edhe prej subjekteve të tjera.
Gazeta JnK: Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk po arrijnë ta konstituojnë Kuvendit, megjithatë pagat po i marrin; A do heqin dorë deputetët e LVV-së nga paga e deputetit të paktën për muajin gusht ?
Kurti: Deputetët e LV kanë qenë prezentë në secilën seancë, dhe kanë qenë të gatshëm për të punuar. Ne madje e kemi ftuar PAN që të kandidojnë cilin të duan, qoftë dhe Kadri Veselin, dhe të shohim se a i kanë apo nuk i kanë votat. Por ata e kanë bllokuar Kuvendin, duke mos ardhur, e së fundi edhe duke ardhur por duke mos propozuar. Pra, edhe një herë, nuk është e drejtë që njëra palë të mbajë përgjegjësi për veprimet e palës tjetër. Unë e kuptoj se disa gazetarë i bien shkurt edhe thonë se deputetët janë fajtorë që Kuvendi nuk po konstituohet, veçse ky përgjithësim barazon ata që po bllokojnë me ata që po përpiqen të punojnë, e kjo kudo do të quhej padrejtësi.
Gazeta JnK: Si e shihni rolin e Presidentit Thaçi në zhvillimet e fundit politike që kanë të bëjnë me krizën institucionale e politike?
Kurti: Ai qartësisht nuk ka ndenjur i paanshëm, siç do të duhej të ishte roli i Presidentit sipas ligjit e sipas traditës kushtetuese. Që prej periudhës parazgjedhore, e deri në vonesën që i bëri thirrjes së Kuvendit, ai qartësisht ka mbajtur anën e partisë së cilës i përket. Kjo nuk është dinjitoze nga ana e tij, edhe pse siç duket ai nuk shqetësohet fort për dinjitet. Nuk besoj se ai i ka mjetet për ta zgjidhur krizën, sepse kriza zgjidhet veç nëse PDK lëshon rrugë që shumica të krijojë qeverinë dhe institucionet. Por nga ana tjetër, duket se brenda vetes Thaçi po e shijon këtë krizë të Veselit. Gjithsesi kjo është punë për ta.
Gazeta JnK: Nëse Presidenti i fton liderët në ndonjë tryezë politike, a jeni i gatshëm të merrni pjesë?
Kurti: Nuk mund të marr vendime të tilla pa u konsultuar me subjektin të cilit i përkas sepse ne nuk marrim vendime vetjake. Nga ana tjetër, këto tryeza politike vetëm sa po e justifikojnë vonimin. Për çfarë duhet tryeza tani që u konstatua nga të gjitha palët se PDK dhe PAN refuzojnë të propozojnë kandidatin, se kandidati i përfolur i tyre nuk ka guxim të matet ndërkohë që refuzon të zëvendësohet?! Mjafton që PDK të lëshojë udhë dhe kriza zgjidhet, andaj besoj se nuk ka nevojë për tryeza këtu.
Gazeta JnK: Nëse ndodh ajo që ju po e pretendoni, të jeni në krye të Qeverisë, a do të vazhdohet dialogu Kosovë – Serbi dhe në çfarë formati, si do të duket ai dialog, për çfarë do të diskutohet ?
Kurti: Dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë që prej më shumë se gjysmë viti. Pse duhet ta rifillojmë atë dialog që tashmë ka vdekur? Vetë gazetarët e analistët objektivë e kanë treguar me analizat e tyre se si ai dialog në fakt nuk ka sjellë ndonjë avancim në marrëdhëniet mes vendeve, e as nuk ka sjellë integrim të komuniteteve shumicë e pakicë. Pra, pse duhet vazhduar një proces i dështuar, një model i dështuar? Neve do të angazhohemi menjëherë me Brukselin, Berlinin e Uashingtonin që të nisim një dialog me ta për çështjen e marrëdhënies së Kosovës me Serbinë. Pra, dialog me partnerët për zgjidhjen e një problemi me palën kundërshtare, jo dialog me palën kundërshtare ku partnerët i vendosim si arbitra asnjanës. Dialogu i deritashëm asimetrik dhe pa konsensus nacional në Kosovë neve na ka humbur shumë kohë kurse Serbisë ia ka rritur apetitet thua se jemi në kohën para shpalljes së pavarësisë. Për të qenë edhe më keq se kaq, për shkak të këtij dialogu pa parime, faktorët ndërkombëtarë nuk i kërkojnë më Serbisë ta njohë Kosovën. E, për marrëdhënie normale neve na duhet njohja prej Serbisë. Po ashtu na duhet edhe njohja dhe kërkimfalja për krimet e luftës, gjë që do të pasohej edhe nga dëmshpërblimet ekonomike dhe kthimet e dokumentacioneve dhe pasurive të vjedhura. Këta janë hapat e parë të një marrëdhënieje të mundshme normale e fqinjësore me Serbinë, dhe mund të realizohen me ndihmën dhe me këmbënguljen e Uashingtonit, Berlinit dhe Brukselit.
Gazeta JnK: Të jesh kryeministër nënkupton të jesh i gatshëm të takohesh edhe me personalitet me të cilët nuk do ta kishit imagjinuar më parë. Në këtë kuptim, a jeni i gatshëm që si kryeministër i Kosovës të takoheshit me Presidentin serb Aleksandar Vucic?
Kurti: Po e bëni këtë pyetje a thua se po flasim për diçka të pamundur. Pjesëmarrja në Procesin e Berlinit të gjashtë kryeministrave të Ballkanit Perëndimor ende të paanëtarësuar në BE imponon takime të tilla. Në fakt, takimi me kryeministrin apo presidentin e Serbisë është gjëja më e rëndomtë që ka bërë secili kryeministër apo president i Kosovës deri më tash, diçka që e rrok edhe imagjinata më e zbehtë. Si kryeministër i Kosovës unë do të zbatoj protokollin në marrëdhëniet ndërkombëtare ku do të jenë prezentë të dyja palët. Megjithatë, unë do të artikuloj në nivelin më të lartë interesat e Kosovës dhe të kombit shqiptar, brenda rregullave të diplomacisë.
Gazeta JnK: Kushtetuta e Republikës së Kosovës u garanton minoriteteve pozita të larta kyçe në Qeveri. Lista Serbe shpesh herë është shprehur skeptike për një bashkëpunim me ju, skepticizëm kemi parë edhe tek ju. Si do të veproni me minoritetin serb, çfarë pozite do t’i ofroni?
Kurti: Do të bashkëpunojmë me komunitetin serb. Ka politikanë, madje edhe deputetë të minoritetit serb, të cilët janë ankuar dhe kanë shprehur kundërshtim ndaj diktatit të Beogradit që vjen përmes Listës Srpska. Kështu që, ne do të kërkojmë dhe do të gjejmë bashkëpunimin e tyre. Është e vërtetë se Beogradi po përpiqet të ndërtojë një monopol politik mes serbëve të Kosovës, por nuk kemi pse ne t´ia njohim atë monopol Beogradit. Serbët e Kosovës janë bashkëqytetarët tanë, për të bashkëpunuar me ta nuk kemi nevojë për filtra e për ndërhyrje nga jashtë. Kjo gjë nuk ndodh me shqiptarët në Serbi, ndaj nuk ka pse të ndodhë as me serbët në Kosovë. Ne menjëherë do të fillonim me dialogun me serbët e Kosovës, dialog ky nga poshtë, i hapur, demokratik, për zhvillim ekonomik e për progres shoqëror. Preokupimet kryesore të qytetarëve të Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare janë punësimi dhe drejtësia.
Gazeta JnK: Në cilat komuna pritni që të fitoni në zgjedhjet lokale dhe a jeni të hapur për koalicione në ato komuna që do të shkoni në balotazh?
Kurti: Rezultatet e 11 qershorit na treguan se mund të presim balotazh në 10 deri në 15 komuna. Por mund të ketë befasi. Ka komuna të mëdha ku, po të na ndihmojnë pak qytetarët, mund të fitojmë edhe pa balotazh. Kandidatët për kryetarë i kemi të mirë, ndërkohë që kam mbetur i zhgënjyer nga kandidimet e forcave të tjera. Për koalicionet në raundin e dytë kemi kohë. Një gjë është e sigurt, koalicionet nëse bëhen, nuk do të jenë pragmatiste, por parimore.
Gazeta JnK: A do të bëni koalicion në nivel komunal me PDK-në në komunat ku potencialisht PDK-ja nuk do të jetë pjesë e balotazhit?
Kurti: Nuk do të bëjmë koalicion me PDK-në. Kush është i ndershëm brenda PDK-së e ka derën e hapur tek ne, por koalicion me atë subjekt nuk do të bëjmë. Tani për tani është mirë që PDK-ja të mbetet në opozitë dhe të nisë një pastrim e reformim të vetvetes. Por ju e dini që ata në vend se të analizojnë gjerë e gjatë se çka u ndodhi me 11 qershor dhe të reflektojnë mbi rezultatin, u hodhën në sulme agresive kundër LV e posaçërisht kundër qeverisjes sonë në kryeqytet. Në PDK ka shumë anëtarë në nivele të ndryshme që janë për bashkim kombëtar dhe për socialdemokraci, që janë atdhetarë dhe progresistë – ata e kanë vendin në Vetëvendosje. Parulla ”Familja, Prona, Shteti” është këmishë e zezë që s’u bie e s’u shkon atyre.
Gazeta JnK: Kurdo që mbahen zgjedhjet e brendshme në LVV për kryetar partie, a do të kandidoni për të qenë përsëri në krye të Lëvizjes që e formuat?
Kurti: Në këtë moment jam i përqendruar tek çështja e krijimit të qeverisë, dhe po përpiqemi të bëjmë shumicën bashkë me LAA-në. Siç e thatë edhe ju, përpara janë edhe zgjedhjet lokale e fushata, kështu që në këtë moment nuk mendoj se mund të marr përsipër edhe përgjegjësi të tjera. Për më vonë gjithçka do të diskutohet sipas rrethanave, gjithnjë në konsultim dhe duke respektuar mendimet e anëtarëve dhe forumeve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.