Aktualitet

Alarmi i emigracionit! Lufta e heshtur e Shqipërisë



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 08:20 - 29/10/22 |
Opi Nion

Emigrimi masiv, sidomos i të rinjve, është rikthyer fort pas pandemisë. Shqiptarët po largohen, duke rrezikuar jetën njësoj si në luftë, së fundmi duke kaluar detin nga Franca në Britani me gomone.
Largimi masiv i shqiptarëve shpjegohet vetëm nga teoria e fituesit të çmimit “Nobel” në ekonomi (2001) George Akerlof, sipas të cilit, sa më shumë njerëz largohen nga një vend, aq më pak tërheqës bëhet që të tjerët të qëndrojnë.
Bizneset, pa përjashtim në të gjithë sektorët, e konsideruan mungesën e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit sfidën më të madhe të aktivitetit më 2022. Numri i atyre që janë larguar është aq i madh këtë vit, saqë konsumi ka pësuar rënie të beftë në shumë artikuj, si brumërat. Shqipëria humbi miliarda dollarë nga investimet në arsim, kurse sistemi i pensioneve po vihet në rrezik. Bizneset po humbin mundësitë për zgjerim nga mungesa e punonjësve, teksa emigracioni po krijon rrethin vicioz në produktivitet. Pagat, si një mjet i fuqishëm frenimi

Shqipëria nuk është një vend në luftë, por ngjan si e tillë.

Të rinjtë shqiptarë, shpesh minorenë, gra me foshnja, madje edhe të moshuar, vazhdojnë të largohen nga vendi në një mënyrë që rrezikojnë seriozisht jetën, së fundmi nëpërmjet një udhëtimi rraskapitës që zgjat 7-9 orë me mjete primitive lundrimi nga Franca drejt Britanisë së Madhe, njësoj si në vitet para pas rrëzimit të komunizmit.

Të dhënat zyrtare të Autoriteteve Britanike tregojnë se rreth 5000 shqiptarë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin e tyre dhe janë regjistruar si azilkërkues në periudhën janar-qershor 2022. Gjysma e tyre kanë hyrë në vend me gomone, shumica të rinj.

Komuniteti Europian, nëpërmjet, Eurostat, raportoi se gjatë janar-gushtit të këtij viti kanë kërkuar azil mbi 5 mijë shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë ikin me kontrata pune, me punë të përkohshme, bashkim familjar, për studime etj.

Nga viti 2011 deri më 2021 u larguan nga vendi 214 mijë persona, sipas matjeve që vijnë nga metodologjia e emigracionit neto të INSTAT, por në vitin 2022, fenomeni është bërë më agresiv, pasi bizneset në sektorin e tregtisë pohojnë se ka rënie të menjëhershme në konsum, teksa të gjithë sektorët, pa përjashtim edhe ai publik, janë në emergjencë për punonjës.

Nga viti 2008 deri në 2020-n, rreth 700 mijë shtetas shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Mijëra të tjerë jetojnë në mënyrë të paligjshme.

Censi për regjistrimin e popullsisë, i parashikuar për këtë vit, u shty, por të dhëna të tërthorta nga INSTAT dhe anketa e emigracionit tregojnë se kanë ikur nga vendi rreth 700 mijë persona pas vitit 2010, teksa ritmet e largimit janë përshpejtuar pas pandemisë, sidomos këtë vit.

Pse po ikin

Për shumë vende europiane nuk është i kuptueshëm se pse kaq shumë njerëz largohen nga një vend i begatë me burime natyrore, duke rrezikuar edhe jetën dhe ku sistemi i qeverisjes është demokratik.

Largimi masiv i shqiptarëve shpjegohet vetëm nga teoria e fituesit të Çmimit “Nobel” në ekonomi, George Akerlof, sipas të cilit sa më shumë njerëz largohen nga një vend, aq më pak tërheqës bëhet që të tjerët të qëndrojnë.

Imagjinoni një 15-vjeçar nga një fshat në Veri të vendit, i cili flet me vëllain e tij të madh që jeton në Londër, që ka vetëm disa muaj atje dhe bën një jetë të pëlqyeshme.

Imagjinoni të tjerët që shpesh jetojnë në familje me minimumin jetik, që shohin profilet e të afërmve të tyre jashtë vendit në rrjetet sociale. Tani të rinjtë shqiptarë masivisht, nuk ëndërrojnë që të formohen me profesione, si një mënyrë për të ndërtuar jetën kur të rriten.

Emigracioni është kthyer në aspiratë, në mendësi dhe po konkurron çdo alternativë që ofrohet së brendshmi. Besmir Muslia, një mësues në ciklin 9-vjeçar në Shemri të Kukësit thotë se, pa përjashtim, nxënësit atje duan të emigrojnë, ikin pa mbaruar ciklin 9-vjeçar.

Situata nuk ishte shumë problematike deri 10 vite më parë, pasi Shqipëria doli nga komunizmi me një popullsi të re në moshë dhe emigracioni ishte si një lehtësim për papunësinë galopante. Mirëpo, emigrimi sistematik në 30 vite tranzicion e ka tkurrur popullsinë e vendit deri në atë pikë sa tani e gjithë shoqëria është në emergjencë për njerëz.

P.sh., sektori i ushtrisë po vuan për mekanikë, kur dihet se shumë mjete që ajo disponon kanë nevojë për mirëmbajte. Drejtues të një reparti të mjeteve të rënda pohuan se, konkursit të hapur për mekanik nuk po i përgjigjej askush.

Tani reparti po mban në punë një person që ka mbushur moshën e pensionit. Në sektorin privat të gjithë aktivitetet e biznesit pa përjashtim këtë vit renditën si sfidën më madhore mungesën e punonjësve.

Ekonomia e Shqipërisë është rritur mesatarisht me 3% në dekadën e fundit, por kjo nuk është përkthyer në standard më të lartë ekonomik për shqiptarët, pasi gati një e treta e popullsisë (mbi 30%) ishin në varfëri vitin e kaluar, sipas përcaktimeve të Bankës Botërore, niveli më i lartë në Europë.

Efektet e zbrazjes së madhe, bie konsumi, bizneset në alarm për punonjës

Me përfundimin e pandemisë Covid-19, vala e ikjeve nga Shqipëria është rritur ndjeshëm, sidomos në vitin 2022, ku një kanal i ri emigracioni në Britaninë e Madhe, me gomone nga Franca po zbraz vendin shpejt.

Mungesa e kapitalit njerëzor tani është kthyer në shqetësim për rritjen ekonomike të vendit, teksa në afate më të gjata, sistemi i pensioneve, kujdesi social dhe cilësia e demokracisë, në mungesë të një popullsie të re në moshë, do të përkeqësohet. Ikjet e mëdha i kanë vënë në vështirësi bizneset në të gjithë sektorët.

Pas pandemisë Covid-19, dhe luftës në Ukrainë, kishte kërkesë të lartë nga jashtë për të prodhuar në Shqipëri, por bizneset po i refuzojnë për shkak të mungesës së punonjësve.

Kriza e burimeve njerëzore fillimisht u shfaq në fabrikat e fasonit, por tani është përhapur me shpejtësi në të gjithë sektorët. Kompanitë e transportit urban në Tiranë po përballen me rënie të numrit të pasagjerëve si rrjedhojë e emigracionit të lartë.

Operatorët kryesorë të linjave urbane në kryeqytet thanë se aktualisht, numri i pasagjerëve është 40% më pak se viti 2019, që konsiderohet periudha para krizës. Sipas të dhënave të Bashkisë së Tiranës, në periudhën janar-qershor 2021, numri i pasagjerëve që përdorin transportin publik është 49% më pak se e njëjta periudhë e 2019-s.

Për 6-mujorin e parë të 2021, rreth 50% e pasagjerëve përdorën abone. Zbrazja po ndodh aq shpejt dhe tani efektet ndihen shumë. Popullsia është zvogëluar, saqë edhe kompanitë e sigurimit, thonë se, aktiviteti i tyre po ndikohet jashtëzakonisht keq nga emigrimi.

Forcim Kola, Drejtor i Përgjithshëm i INSIG, tha se, kompania po përballet me sfida të mëdha, që lidhen me kufizimet e stafit, vështirësitë për të kontaktuar klientët, ritmet ulëse të tregut të sigurimeve, si pasojë e frenimit të veprimtarive individuale dhe të bizneseve.

Emigrimi jashtë i shqiptarëve në nivele të konsiderueshme, rënia e fuqisë blerëse dhe frenimi i mundshëm i rritjes ekonomike, po ndikojnë negativisht tregun e sigurimeve, – tha ai.

Më keq janë sektorët që kanë bazë të aktivitetit krahun e lirë të punës, sidomos industria. Luan Leka, themelues dhe CEO i EHW GmbH, një nga grupet më të mëdha të fokusuara në industrinë përpunuese në vend, tha se fenomeni i emigracionit ka ndikuar në zvogëlimin e tregut dhe gjetjen e fuqisë punëtore, ndërkohë që dhe pagat e ulëta janë një tjetër faktor që nuk e nxisin konsumin.

Call center, që një dekadë më parë ishin zgjidhja për punësimin e të rinjve të arsimuar, tani janë në krizë për gjetjen punonjësve. Lorenc Goga nga “Facile.it”, thotë se në vitet 2015 -2017, në kompani kanë qenë 700 të punësuar, ndërsa tani janë 300 të punësuar.

Minimalisht kësaj kompanie i nevojitet çdo muaj të rekrutojë 20 punonjës të rinj, por ka muaj që kërkesa është edhe më e lartë. Sot “Facile.it” nuk po arrin ta zëvendësojë stafin që po ikën, ndërsa rritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore duket mision i pamundur.

Adi Haxhiymeri, një nga importuesit më të mëdhenj të miellit, nëpërmjet fabrikës “Bloja”, pohon se emigracioni është një ndër faktorët kryesorë në vend për rënien e konsumit të brumërave. Gjatë periudhës janar-gusht 2022, importet e drithërave shënuan rënie me 17% dhe Haxhiymeri e shpjegon këtë me zbrazjen e vendit nga emigracioni i lartë.

Ai tha se të rinjtë janë konsumatorët më të mëdhenj të brumërave, por edhe grupmosha që largohet më së shumti nga vendi. Pasojat e emigrimit reflektohen menjëherë te konsumi i bukës. – tha si. Por veç të tjerash, ikja e njerëzve është shndërruar edhe në problem për funksionimin e aktivitetit.

Florian Zekja, nga Unioni i Fasonëve, tha se, industria është duke kaluar një situatë tejet të vështirë sa u përket punonjësve. Para se të shfaqej kërkesa e lartë pas pandemisë, fabrikat e tekstileve kishin rreth 20 mijë punonjës minus, por me kërkesat e tanishme, nevojat janë për dyfishim të punësimit në këtë sektor.

Industria e tekstileve dhe këpucëve kishte deklaruar rreth 56 mijë të punësuar në vitin 2019, para pandemisë, por Unioni i Fasonëve pohon se, nëse do të kishte mjaftueshëm punonjës, kërkesa është për të punësuar deri në 100 mijë persona.

Mungesa e fuqisë punëtore është problemi më madhor që ka aktualisht sektori i shërbimeve në bare dhe restorante. Nuk pritet që kjo krizë të gjejë ndonjëherë zgjidhje, pasi edhe zbatimi i politikës për të sjellë punonjës nga jashtë rezultoi se u përdor nga ta si trampolinë për të emigruar drejt Europës apo vendeve të tjera”, tha Enri Jahaj, nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve.

Investimet e humbura në arsim, nga 2011 deri më 2021, mbi 4 miliardë euro

Njerëzit, si kapitali më i çmuar në një shoqëri, kur emigrojnë, i krijojnë humbje të mëdha vendit, edhe në aspektin ekonomik. Dëmi i drejtpërdrejtë matet në sektorin arsimor. Sipas përllogaritjeve të Institutit “Aspen” me qendër në SHBA, kostot e edukimit për një person me shkollë të mesme në Shqipëri janë 18,283 euro. Në vendet e tjera të Ballkanit, kostot janë më të larta se në Shqipëri.

Me një përllogaritje të thjeshtë, Shqipërisë i kanë humbur mbi 4 miliardë euro, nëse supozojmë se 228 mijë persona që kanë ikur 10 vitet e fundit ishin të gjithë me shkollë të mesme. Në varësi të nivelit të arsimimit, shoqëria investon në edukimin e individëve deri në njëzet vjet në disa raste.

P.sh., për përgatitjen e personi me shkollë doktorale, sistemi publik në Shqipëri harxhon deri në 32 mijë euro. Me emigrimin e të rinjve të arsimuar, investimet përkthehen në humbje ose bëhen investime në vendet e destinacionit, të cilat përfitojnë njerëz të arsimuar pa shpenzuar para.

Emigracioni, ekonomia bie në kurthin e mungesës së produktivitetit

Në vitin 2021, popullsia e vendit u tkurr me 36 mijë banorë, më shumë se gjysma e Qarkut të Kukësit prej 72 mijë banorësh. Por, zhvillimi më shqetësues është fakti që në pjesën më të madhe të kësaj tkurrjeje ka ndikuar rënia e numrit të grupmoshës 20-24 vjeç, që është dhe pjesa më vitale dhe në moshë produktive e popullsisë.

Kjo grupmoshë shënoi rënie me 15 mijë persona, duke ndikuar në gati gjysmën e tkurrjes së popullsisë totale të vendit. Rënia në vlerë është gati tre herë më e lartë se te grupmoshat e tjera, një faktor indirekt që efektin më të lartë nuk e kanë dhënë zhvillimet natyrore të popullsisë, por emigracioni.

Përvojat kanë treguar se vendet me emigracion të lartë të të rinjve bien në kurthin e mungesës së produktivitetit. Me humbjen e popullsisë së re në moshë, ekonomia humb kreativitetin dhe mundësitë për t’u bërë inovative.

Pasi janë të rinjtë ata që kanë ide dhe dëshirën, si dhe priren nga inovacioni. Pa inovacion, ekonomia nuk mund ta çojë modelin ekonomik në një nivel më të lartë dhe më produktiv.

Pakësimi i të rinjve e pengon qeverinë të ketë qasje të reja në ekonomi. Veç të tjerash, demokracia bëhet më pak cilësore, pasi zakonisht të rinjtë janë grupmosha më aktive dhe ushtrojnë më shumë presion mbi politikën.

Gjatë 30 viteve të fundit, Shqipëria ka ndjekur një model ekonomik të bazuar në krahun e lirë të punës dhe struktura e ekonomisë nuk ka gjeneruar punë me vlerë të lartë. Mungesa e produktivitetit është bërë shkak për emigracion dhe emigracioni, në vetvete, bëhet shkak për rënie të produktivitetit në vijim.

Rënia e lindjeve me shpejtësi nga më shumë se 85 mijë në vitin 1990 në rreth 27 mijë në vitin 2021, sjell një perspektivë të zymtë mbi ecurinë e forcës së punës në dekadën në vijim. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se popullsia në moshë pune 15-64 vjeç u tkurr me mbi 32 mijë persona vetëm vitin e kaluar, me rënie vjetore 1.7%, më e thella në 30 vjet.

Në fund të tremujorit të dytë të vitit 2022, gati 80% e burrave në moshë pune u përfshinë në tregun e punës, niveli më i lartë historik. Por ndërkohë, shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 20,2%, pasi kjo grupmoshë, sidomos pjesa e arsimuar, nuk po arrin të integrohet në tregun e punës, për shkak se shumica e vendeve të lira nuk përkojnë me përgatitjen arsimore të tyre.

Rezultatet e Barometrit të Ballkanit 2022 tregojnë se 42% e të anketuarve në Shqipëri planifikojnë të emigrojnë, kjo ishte përqindja më e lartë në rajon, pas Kosovës.

Rritja e pagave, mjet i pamjaftueshëm për frenimin e emigracionit

Anketat rajonale kanë gjetur se 80% e shqiptarëve emigrojnë për arsye ekonomike. Të ardhurat nga pagat në Shqipëri janë më të ulëtat në Europë dhe 30% më pak se mesatarja rajonale. Bizneset në Shqipëri po mendojnë të përdorin pagat si mjet për të frenuar emigracionin, por sado që të jetë rritja, është e vështirë të plotësohet hendeku.

Luan Leka, themelues i EHW, pohon se fenomeni i emigracionit ka ndikuar në zvogëlimin e tregut dhe gjetjen e fuqisë punëtore.

Ai shton se ndërhyrja më efikase për të ngadalësuar fenomenin e emigracionit është rritja e pagave. Fenomeni ka filluar, por ai do të nxisë rritjen e kostove të ndërmarrjes dhe për pasojë, çmimet. Shumë ndërmarrje do të humbasin aftësinë konkurruese dhe do të mbyllen, duke favorizuar importin.

  1. Leka rekomandon se përballë këtij fenomeni të pandalshëm do të ishte me vlerë ndërhyrja e shtetit për uljen e ngarkesës fiskale mbi pagat, që sot kalon 40% të pagës neto.

Eleni Babameto, e cila drejton kompaninë “Teuta”, një nga kompanitë më të mëdha në fushën e import-eksportit të ushqimeve dhe distribuimit të tyre, pohoi se është rritur edhe konkurrenca e brendshme pasi të gjitha bizneset janë në kërkim të punonjësve.

Kjo ka krijuar paqëndrueshmëri të stafit dhe vështirësi për të mbajtur ekuilibrin e biznesit. Babameto tha se rritja e pagave është një mjet, të cilin ajo e ka aplikuar për ta përballuar. Ajo tha se bizneset ende kanë hapësira për rritjen e pagave, pasi deri disa vite më parë kishte kërkesa të mëdha për punë.

Si në çdo treg, edhe ai i pagave varet nga oferta dhe kërkesa. Tani që ka mangësi në stafe, ne po përdorim pagat si mjet për të shmangur vështirësitë, tha Babameto.

Të dhënat e INSTAT treguan se ritmet vjetore të rritjes së pagave ishin 6% në tremujorin e dytë të vitit 2022, por kjo rritje u gërrye nga inflacioni, i cili po rritet me ritme më të larta se pagat.

Të dhëna të tjera nga INSTAT tregojnë se bizneset në Shqipëri investojnë shumë pak te kapitali njerëzor. Nga viti 2016 deri në vitin 2020, investimet në trajnimin profesional të punonjësve kishin rënë nga 20-80% sipas aktiviteteve ekonomike, raportoi INSTAT, ndërsa Kodi i Punës nuk respektohet në shumë aspekte të tij./Monitor

Pas