Rajoni

Alarm për bombë në disa shkolla në Gjilan dhe në veriun e Kosovës



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 10:36 - 16/06/22 |
Opi Nion

Mëngjesin e së enjtes policia është njoftuar për bombë në disa shkolla të rajonit të Gjilanit. Lajmin e ka konfirmuar për Klankosova.tv zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani. Hashani tha se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin.

“Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm Policia e Kosovës ka pranuar informata nga përgjegjësit e disa shkollave të komunës së Novobërdës, Kamenicës dhe Ranillugut , se përmes Email adresave zyrtare të këtyre shkollave kanë pranuar informatë se ka të vendosura bomba ( mjet shpërthyes). Për momentin nuk ka vend për panik. Policia e Kosovës dhe njësitet e IEDD (njësitet e deminimit) kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe janë duke i hetuar rastet veç e veç”, tha Hashani.

Alarm për bombë ka pasur edhe në disa shkolla në veriun e Kosovës.

Zëdhënësi i policisë për veriun e Mitrovicës Bane Radoviç, tha për Klankosova.tv se janë evakuuar nxënësi dhe punonjësit e këtyre shkollave.

“Po, ka shumë alarme përmes emaileve në pothuajse të gjitha shkollat fillore në veri të Kosovës, Policia e Kosovës ka evakuuar nxënësit dhe të punësuarit nga vendi i ngjarjes deri në arritjen e ekipeve të EOD (deminimit)”, tha Radoviç.

Kërcënime me bomba ka pasur së fundmi edhe në Prishtinë, saktësisht në shkollën “Xhevdet Doda” si dhe dy herë në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës. Në të gjitha rastet kërcënimet kanë qenë përmes e-mailit./klankosova

Pas