Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një konferencë për mediat, ditën e sotme ka komentuar akuzat e SPAK ndaj ish-kryeministrit, Sali Berishën për çështjen e ish-kompleksit Partizani.
Meta tha se akuzat ndaj Berishës janë diktuar nga kryeministri Edi Rama.
“Sa i takon qëndrimeve ndaj zotit Berisha nga ana e prokurorëve të SPAK apo të përfaqësuesve të gjykatave dua të shpreh keqardhjen për këtë shitje që nuk është e papritur të ashtuquajturës drejtësisë të re, anashkalon parlamentin, mbi Kushtetutën dhe konventat europiane.
Është aktakuzë që është bërë në kongresin e PS-së nga Edi Rama. Akt akuzë e diktuar prej tij. Për çështjen e ish klubit Partizani është personi kryesor që ka marrë përgjegjësinë për të bërë ndërrimin e destinacionit nga sportive në destinacion për ndërtim.
Dhe po të shikoni emrin i tij nuk del. Përmes kapjes së sistemit të drejtësisë ka garantuar paprekshmërinë e tij dhe përpiqet të përdorë gjykatës dhe prokurorë të caktuar që të godasë opozitën e vërtetë dhe të shfokusojë opinionet publikë nga skandalet qindra miliona euro”-tha Meta.