Furgona që furnizojnë lokalet apo marketet me produkte qumështi apo mishi lënë për të dëshiruar. Situata bëhet vërtet alarmante tani në sezonin e verës.
Prandaj Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon aksionin e kontrollit në furgona që furnizojnë lokalet dhe marketet në të gjithë qarkun e Vlorës.
Trupa inspektuese e DRAKU, Vlorë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndaluar disa furgona, dy prej tyre tregtonin produkte qumështi në temperatura mbi normën e lejuar, përkatësisht 18.4 dhe 15.6 gradë ku normalja është deri në 6 gradë celsius.
Për sa më sipër, ndaj subjekteve u mor masa administrative gjobë 100.000 për secilin.
Ndërsa një tjetër subjekt u kap në flagrancë duke transportuar mish dhe nënprodukte të tij në temperaturën 25.6 gradë ku normalja është 6 gradë celsius. Edhe ndaj këtij subjekti u mor masë administrative gjobë në vlerën 200000 lekë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik do të vijojë aksionin për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e Sigurisë ushqimore.