Aktorja hollivudiane Michelle Pfeiffer ka sulmuar miliarderin Bill Gates dhe duke shprehur shqetësimin e saj për një produkt të ri të miratuar nga FDA, të quajtur Apeel. Sipas Pfeiffer, ky mbrojtës i padukshëm për frutat dhe perimet, i cili zgjat jetën e tyre në dyqane, po aplikohet tashmë edhe në prodhimet “organike”, duke rrezikuar kështu sigurinë ushqimore, shkruan A2 CNN.
“Apeel është miratuar dhe tani edhe prodhimet organike janë të mbuluara me diçka që nuk mund ta shohim apo ta lajmë”, shkroi aktorja 67-vjeçare në një postim në Instagram, të shoqëruar me një video alarmuese që sugjeron se produktet organike nuk janë më të sigurta.
Apeel u themelua në vitin 2012 nga James Rogers, me mbështetje të hershme nga një grant 100 000 dollarësh i Fondacionit Bill & Melinda Gates. Megjithatë, kompania thekson se Gates nuk ka qenë asnjëherë aksioner dhe nuk është më i përfshirë në Apeel.
Zyrtarët e kompanisë reaguan ndaj deklaratave të Pfeiffer duke i cilësuar ato si “të rrezikshme dhe dezinformuese”. Sipas tyre, përbërja e Apeel-it është e ngrënshme dhe përbëhet nga lipide bimore që gjenden natyrshëm në fruta dhe perime. Ata po ashtu pretendojnë se mbulesa mund të hiqet me larje dhe fërkim.
Pavarësisht debatit, qëllimi i deklaruar i Apeel është të reduktojë mbetjet ushqimore dhe të ndihmojë në luftën kundër urisë në botë.