Një 30-vjeçar, aktivist i shoqatës “Ecovolis” u plagos me armë zjarri pasditen e djeshme teksa ndodhej bashkë me aktivistë të tjerë në Qendrën e Pritjes së Komunitetit Rom në Tiranë.
Ngjarja ndodhi në ambientet e qendrës që ndodhet në zonën e Tufinës, rreth orës 17:15 kur grupi i aktivistëve kishte shkuar për të parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet e djeshme.
Gjatë një debati që ka lindur mes disa aktivistëve dhe një banori të qendrës, një pjesëtar i komunitetit rom në gjendje të dehur është larguar për pak minuta dhe është kthyer sërish aty me një automatik, raporton Panorama.
Autori me iniciale E.M. ka hapur zjarr në drejtim të aktivistëve dhe një plumb e ka goditur në pjesën e pasme të qafës 30 – vjeçarin Valjon P. që ka mbetur i plagosur dhe është dërguar me urgjencë në spitalin “Nënë Tereza”. Më pas autori ka mundur të largohet nga vendngjarja duke u ndihmuar nga daja i tij, që ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes.