Policia e Durrësit ka zbardhur aksidentin e ditës së djeshme në mëngjes, të ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës ku humbën jetë dy persona dhe u plagosën katër të tjerë.
Kështu, sipas Policisë, është ndaluar shtetasi Adis Barzezi, 28 vjeç banues në Tiranë, i cili ka qenë edhe drejtuesi i mjetit.
Gjithashtu, Policia zbulon edhe një fakt tronditës, teksa Barzezi rezultoi se kishte konsumuar alkool në masën 0.53 mg / l.
Gjithashtu, ka nisur procedimi penal edhe ndaj Hamza Islamaj, 49 vjeç, që është administrator i subjektit kontraktues për mirëmbajtjen e rrugës ku ndodhi aksidenti.
Sipas Policisë, kontraktuesi nuk ka zbatuar me përpikmëri kushtet teknike dhe nuk ka zëvendësuar barrierat mbrojtëse të sigurisë, të cilat kanë qenë të dëmtuara.
Në aksidentin e ndodhur ditën e djeshme në mëngjes, në Mbikalimin e Shkozetit, humbën jetën dy persona, A.S. 37 vjeç dhe V.M. 25 vjeç.
Gjithashtu, u plagosën B.D. 29 vjeç, O.Sh. 30 vjeç, K.K. 20 vjeç dhe drejtuesi Adis Barzezi. Ky i fundit humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me trafikndarësen e rrugës.